Urdhri i MAS: Identifikoni rastet. Drejtoritë arsimore nisin inspektimin. Së shpejti të dhënat
Shpresa Mezini
Shkarkimet në sistemin parauniversitar në vend nuk kanë përfunduar ende. Pas valës së largimeve nga detyra të mbi 2000 mësuesve që prej vitesh kanë dhënë mësim për një lëndë për të cilën nuk janë diplomuar apo ata pa arsimin përkatës, shkarkimet do të pozicionohen në radhët e psikologëve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Si asnjëherë më parë, drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore kanë marrë urdhër të nisin inspektimin për evidentimin e psikologëve që deri më tani kanë ushtruar rolin e psikologut, duke mos qenë të tillë me profesion. Menjëherë pas urdhrit të Ministrisë së Arsimit drejtuar këtyre institucioneve arsimore, DAR dhe ZA kanë nisur inspektimin në shkollat përkatëse, ndërsa kanë vënë në dijeni edhe psikologët, në mënyrë që të mos u vijë i papritur largimi nga detyra nëse nuk plotësojnë kriterin bazë të punësimit, diplomë brenda profilit të tyre. Pas identifikimit të psikologëve që nuk janë diplomuar për psikologji, të dhënat zyrtare do të dorëzohen në MAS, ndërsa fill pas kësaj do të nisin shkarkimet për cilindo që nuk plotëson këto kushte. “Urdhri i Ministrisë së Arsimit në adresë të Drejtorisë Rajonale Tiranë, detyron shërbimin psikologjik shkollor të drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave arsimore të marrë të gjitha masat e nevojshme që në fillim të vitit të ri shkollor të kenë zëvendësuar të gjithë psikologët që nuk kanë arsim përkatës dhe të sigurojnë kabinetin e shërbimit psikologjik dhe pajisjen e tij në të gjitha shkollat që ofrojnë këtë shërbim”, tregon për gazetën “Shqip”, Anila, psikologe në një prej shkollave të mesme në kryeqytet. Ndër të tjera ajo e konsideron me vend lëshimin e një urdhri të tillë, madje e quan të vonuar, pasi jo rrallëherë në shkollat 9-vjeçare apo të mesme kanë ndodhur ngjarje që mund të parandaloheshin fare mirë nga psikologët. “Për mua ky është një nga vendimet më të mira të Ministrisë së Arsimit. Personalisht kam kryer studimet e larta, bachelor për Psikologji në Fakultetin e Shkencave Sociale, ndërsa jam specializuar edhe në master shkencor po brenda fushës, çka do të thotë se kam investuar për t’u punësuar në këtë profesion. Si unë ka shumë djem e vajza të tjera, që nuk kanë arritur t’i mbijetojnë tregut të punës, pasi deri më tani punësimet nuk janë bërë me meritokraci, po miqtë e filanit dhe militantët e filan partie. Më në fund po vjen dita që t’i japim Cezarit atë që i takon Cezarit, siç ndodh në të gjithë botën! Në sytë e disave të diskutuarit për rolin e psikologut mund të duket fare e parëndësishme përpara bukës së përditshme, dritave, ujit, por më besoni që psikologu sidomos në shkollat e mesme është një rol shumë i rëndësishëm dhe vendimtar, për të parandaluar trauma, apo edhe drama në raste të tjera”, argumenton Anila. Një nga përgjegjësitë e shkollës është edhe ofrimi i shërbimit psikologjik, tashmë i sanksionuar në Ligjin e ri të Arsimit Parauniversitar. “Roli i psikologut shkollor është i rëndësishëm në shkollë. Shërbimi i tij ofrohet nëpërmjet trajtimit të problematikave të ndryshme, vlerësimit të rasteve të fëmijëve me nevoja të veçanta psikosociale, si dhe me anë të hartimit e të zbatimit të programeve parandaluese, sipas nevojave të komunitetit shkollor. Shoqëria jonë është e lirë dhe e hapur ndaj risive, por edhe ndaj problemeve të shumta shoqërore, ekonomike, shpirtërore, individuale. Në këtë proces, psikologët janë më afër se kushdo tjetër me fëmijën, adoleshentin-nxënës dhe problemet e shumëllojshme të tyre. Nga ana tjetër, psikologu shkollor jep një kontribut të ndjeshëm te çdo nxënës për të përballuar me sukses kurrikulën, përmbajtjen, synimet dhe objektivat e saj. Janë psikologët, të cilët së bashku me mësuesit, lehtësojnë përpjekjet e nxënësve për të përfunduar me sukses shkollimin e tyre”, sqarohet në udhëzimin e Arsimit për “Shërbimin psikologjik në shkolla”.