
Oficeri i policisë, Eduard Çelmeta pas arrestimit
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka vënë në pranga një efektiv policie me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli, përmes një deklarate për mediat ka dhënë detaje nga operacioni i policisë duke sqaruar se, Eduard Çelmeta, oficer policie me detyrë kontrollor pasaportash në aeroportin ‘Nënë Tereza’, në Rinasit është vënë në pranga me akuzën mitmarrjes.
Sipas Ollit, Çelmeta, përkundrejt shpërblimit që shkonte nga 400-500 euro ka bërë të mundur kalimin e paligjshëm në aeroportin e Rinasit të personave që e kishin të ndalur të largoheshin nga Shqipëria dhe persona të shpallur në kërkim.
“Arrestimi i tij, u bë për veprat penale, “Korrupsioni pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuara nga neni 259 dhe 248 i Kodit penal. I arrestuari Çelmeta, në mënyrë të vazhdueshme, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, në këmbim të përfitimeve të paligjshme financiare, në shuma që variojnë nga 400 deri në 500€, ka lejuar kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror në aeroportin e Rinasit, të shtetasve të ndryshëm”, sqaron zëshënësi i Ministrisë së Brendshme.
Lidhur me këto akuza, për 42 vjeçarin Çelmeta është dhënë masa e sigurisë arrest me burg, ndërsa policia pritet të japë detaje të tjetra rreth veprimtarisë së tij të jashtëligjshme në ditët në vijim, ka sqaruar zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.
10 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)