Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, duhet të shpallte datën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, më 30 shtator. Sipas Kodit Zgjedhor, 30 shtatori konsiderohet si afati limit, të cilën Presidenti kishte detyrimin ligjor të dekretonte ditën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Sot kanë kaluar dy ditë dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Mosdekretimi i Nishanit ka ardhur nga fakti se ende dy partitë e mëdha nuk kanë përzgjedhur anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, institucion i cili ka detyrim të përgatisë procesin zgjedhor nga pikëpamja administrative e tij. Por, pavarësisht faktit se vendosja e datës së zgjedhjeve përpara konstituimit të KQZ-së nuk do të kishte sens, Presidenti Nishani duket se ka “harruar” t’u bëjë thirrje partive politike të veprojnë me shpejtësi për të përmbushur detyrimet ligjore që përcakton Kodi Zgjedhor. Tashmë që afati ligjor për përcaktimin e datës së zgjedhjeve ka kaluar, nuk dihet se kur do të jetë koha kur kreu i shtetit do të vendosë për datën në të cilën do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kodi Zgjedhor parashikon në nenin 9 të tij, se Presidenti i Republikës ka detyrimin të përcaktojë datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, jo më vonë se 9 muaj nga data e përfundimit të mandatit të Kuvendit, që në rastin konkret është maji i vitit 2013. Përcaktimi i kësaj date do të thotë se partitë politike, që nga muaji i ardhshëm, pritet të nisin “de facto” fushatën zgjedhore për garën e madhe të qershorit të vitit 2013.
F.Mejdini
Kodi
Amendimi i Kodit Zgjedhor me konsensus nga të dyja partitë politike, u konsiderua si një hap para nga ana e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Shqipëri. Po ashtu si edhe më parë, dy forcat kryesore politike në Shqipëri dhe institucionet ngurrojnë të zbatojnë ligjet që miratojnë vetë
Zgjedhjet
Fushata nis para ngritjes së institucioneve
Pavarësisht faktit se institucionet zgjedhore nuk kanë nisur funksionimin, partitë politike janë një hap përpara për sa i përket fillimit të punës në terren për procesin zgjedhor. Prej javësh tashmë, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë nisur fushatën në terren, duke bërë premtime dhe duke shpallur programin e tyre elektoral. Një fokusim i madh po bëhet te premtimet elektorale që lidhen me biznesin e vogël. Kreu i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar se socialistët do të heqin taksat për këtë biznes në momentin kur të vijnë në pushtet. Një gjë e tillë është konsideruar si qesharake nga ana e Kryeministrit Berisha, deputetët e të cilit kanë dalë në terren për të provuar se qeveria e tij ka ulur taksat.