Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë kallëzim penal për kreun e bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi dhe pesë zyrtarë të tjerë të këtij institucioni. Ndaj tyre janë ngritur akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tendera dhe ankande publike”.
Sipas KLSH-së, gjatë auditimit të kryer në këtë bashki janë vënë re se në zonën e qendrës së qytetit janë dhënë një sërë lejesh sheshi dhe ndërtimi në mungesë të Planit të Përgjithshëm Rregullues dhe të Studimit Urbanistik Pjesor të qendrës së qytetit të miratuar në KRRTRSH, veprime këto të kryera në kundërshtim me disa ligje.
“Gjithashtu auditimi evidentoi se nga KRRT e Bashkisë Pogradec, janë miratuar një sërë Studime Urbanistike Pjesore dhe leje ndërtimi në shkelje të kondicioneve urbanistike në kundërshtim të hapur me ligjet. Në total nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, si pasojë e veprimeve të mësipërme penale dhe shkeljeve të tjera të legjislacionit financiar dhe atij që ka të bëjë me zbatimin e kontratave për punë publike dhe taksat në fushën e urbanistikes, është konstatuar një dëm ekonomik në vlerën 46,411,128 lekë”, thuhet në njoftimin për shtyp të KLSH-së. Mësohet se padia dhe shkeljet e konstatuara janë referuar në Prokurorinë e Pogradecit, për veprime të mëtejshme hetimore.
5 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)