“21 Janari”
“Ashklat dhe plumbi, me të njëjtën shpejtësi”
Shkencëtari nxjerr përfundimin nga ligjet e fizikës, dinamikës dhe aerodinamikës
Sokol Çobo
Ekspertët shqiptarë, duke u bazuar te ligjet e fizikës, dinamikës dhe aerodinamikës, kanë përcaktuar se predha që goditi për vdekje Ziver Veizin, më 21 janar 2011, ndoshta ka qenë rikoshet, duke dhënë një version në favor të të pandehurve në procesin gjyqësor që është hapur ndaj Ndrea Prendit dhe Agim Llupos. Shkencëtarët shqiptarë kanë dalë në përfundimin se në plumbin që është gjetur te trupi i gjirokastritit ka pasur mikroashkla, ndoshta të shkaktuara nga rikosheti i saj në një pishë brenda rrethimit të Kryeministrisë që ka devijuar predhën drejt Veizit. Megjithatë, një tjetër version për ashklat, ka qenë se ato mund të kenë ndjekur plumbin, madje edhe me shpejtësinë e tij. Në seancën e djeshme gjyqësore, eksperti Gani Jahelezi, tha se predha ka udhëtuar së bashku me dy ashklat mikroskopike në trupin e të ndjerit, çka nënkupton se viktima është qëlluar nga një goditje rikoshet.
Sipas shpjegimeve të ekspertit, pas ekzaminimeve në një laborator, kjo predhë gjatë lëvizjes ka qenë e rregullt, simetrike dhe e padeformuar, por në kontakt me objekte të tjera, një e treta e saj është deformuar duke lënë tek ajo një shenjë vjaske. “Në rastin tonë, nëse predha ka goditur një objekt të drunjtë, shenjat e vjaskave me relievin e tyre bëjnë të mundur shkëputjen e copëzave të një objekti të drunjtë. Këto copëza mund të mbarten nga relievi i vjaskave ose mund të shoqërojnë predhën në lëvizjen e saj”, deklaroi eksperti.
Raporti shkencor
Sipas llogaritjeve shkencore të ekspertit, gjatë lëvizjes së predhës në ajër, mbi të veprojnë forcat e fërkimit të ajrit që shpjegohen edhe nga teoria e aerodinamikes dhe gjatë lëvizjes së predhës formohet një vorbull rrotulluese.
Objekti i ekspertimit ka qenë predha e gjetur në trupin e viktimës Ziver Veizi, dy copëzat e drurit që janë gjetur në rrobat e tij.
Copëzat u fotografuan të zmadhuara në të gjitha drejtimet. Me këto copëzat objekt ekspertimi, u tentua të peshohen në një peshore elektronike farmaceutike, por nuk u arrit, pasi pesha e tyre është shumë e vogël (nënfish i gramit).
Predha objekt ekspertimi, u këqyr me sy të lirë, asaj iu bënë fotografitë nga larg, brenda qeses, pasi u nxor nga qesja dhe fotografitë metrike. Duke u nisur nga forma, përmasat e saj themi se predha ju përket fishekëve që janë municion i fabrikuar për armët e vjaskuara, të kalibrit 9 mm. Gjatë këqyrjes së mëtejshme me sy të lirë dhe mikroskop u pa që predha është metalike me ngjyre bakri e përbërë nga dy shtresa, këmisha dhe bërthama. Këmisha në pjesën fundore të saj ka 6 shenjat e vjaskave të armës, gjë që tregon se predha gjatë lëvizjes në tytën e armës që e ka nxjerrë atë ka qenë e çrregullt, simetrike dhe e padeformuar.
“Gjatë këqyrjes me mikroskop në vjaskat e kësaj predhe dhe në pjesën fundore të saj shihen lehtësisht njolla me ngjyrë të kuqërreme. Predha në 1/3 e saj, në njërën anë dhe pikërisht mbi një shenje vjaske është e deformuar me shtypje nga maja në fundin e predhës, kjo tregohet pasi kreshtat e vjaskës brenda deformimit vijnë duke u limuar në formë gjuhëze nga maja në fundin e predhës. Duke u nisur nga kjo themi se predha ka goditur një objekt jo më të fortë se vetë materiali i këmishës së predhës”, thotë eksperti, sipas së cilit “në rastin tonë, nëse predha ka goditur një objekt të drunjtë, shenjat e vjaskave me relievin e tyre bëjnë të mundur shkëputjen e copëzave nga objekti i drunjtë, këto copëza mund të mbarten nga relievi i vjaskave ose mund të shoqërojnë predhën në lëvizjen e saj”.
Jahalezi thotë se ne mbështetemi në ligjin e ruajtjes së energjisë i cili thotë: “Në një sistem trupash gjatë veprimit të tyre, energjia mund të shndërrohet nga një lloj në një tjetër, por ajo ruhet”.
Ashklat me shpejtësi plumbi
Sipas ekspertit, predha shkëputet nga gryka e zjarrit duke pasur një shpejtësi fillestare, rreth 375 m/s. Pas daljes së predhës nga gryka e zjarrit ajo fillon të lëvizë sipas një trajektoreje në forme parabole që quhet flurudhe. Pra flurudha është vendi gjeometrik i pikave të hapësirës ku kalon qendra e masës së predhës.
“Sa më e vogël të jenë masat e thërrmijave aq më e madhe është shpejtësia e tyre dhe e anasjella. Në zbatim të këtij ligji themi se copëzat objekt ekspertimi, nga momenti i goditjes me predhën, përfitojnë një shpejtësi të caktuar. Gjatë lëvizjes së predhës në ajër, mbi predhë veprojnë forcat e fërkimit të ajrit që shpjegohen në teoritë mbi aerodinamikën. Këto vija, frymë ajri, janë të dendura, pasi ngjishen nga predha dhe dalin nga gjendja e mëparshme duke formuar një formë hinke. Në pjesën e pasme të predhës, gjatë lëvizjes së saj, formohet një zonë boshe pa ajër, ku trysnia e ajrit tenton që të mbushë këtë zonë duke formuar disa pështjellime të ajrit, të cilat duke pasur dhe lëvizjen rrotulluese të predhës formon një vorbull me drejtimin e lëvizjes së predhës. Atëherë copëzat e drunjta që janë shumë pranë këtij boshllëku dhe vorbullës së krijuar mund të lëvizin së bashku me predhën, duke ngecur në relievin e shenjave të vjaskave ose mund të futen në hapësirën bosh pas predhës duke lëvizur në flurudhën e saj. Në rastin tonë, distanca e lëvizjes së bashku të dy copave të drunjta dhe predhës do mund të përcaktohet nëse do dinim vendndodhjen e objektit nga janë shkëputur copëzat”, thotë eksperti.
Në fund të kësaj analize, eksperti Gani Jahelezi thotë se “duke u nisur nga ligjet e fizikës, dinamikës, aerodinamikës, siç u shpjegua dhe më lart, predha objekt ekspertimi duke e goditur trungun e ngurtë nga ku mund të jenë shkëputur dy copëzat objekt ekspertimi, u jap energji këtyre copave duke bërë të mundur që dy copëzat të lëvizin me predhën ose pas saj, në të njëjtën flurudhë”.