Shkodër, banorët e komunës Rrethina hyjnë me forcë në nënstacionin elektrik, përplasje me policinë
Banorët e Komunës Rrethina në Shkodër, të cilët prej dy javësh nuk kanë energji elektrike në banesat e tyre, kanë përshkallëzuar protestën e tyre. Mbrëmjen e djeshme, qindra banorë të zonës, kanë hyrë me forcë në nënstacionin kryesor elektrik që ndodhet në periferi të qytetit të Shkodrës.
Forca të shumta policie janë përplasur me banorët, e për arsye sigurie është vendosur ndërprerja e energjisë elektrike për të gjithë qytetin. Situata është tensionuar së tepërmi kur banorët kanë thyer derën kryesore të nënstacionit në tentativë për të risjellë vetë me forcë energjinë në banesat e tyre.
Në mbështetje të banorëve kanë dal edhe përfaqësues të komunës. Nënkryetari i Komunës Rrethina, Gjelosh Prendi, i pranishëm në këtë protestë është shprehur se: “Komuna është në përkrahje të banorëve pasi kanë plotësisht të drejtë dhe duhet gjetur një zgjidhje e shpejtë pasi njerëzit janë të irrituar që u ndërpritet energjia në një kohë e paguajnë rregullisht faturat”. Ndërsa kryeplaku i fshatit Bardhaj, Lek Vuka, ka deklaruar se faji për situatën e krijuar është i shtetit që nuk ndërhynë tek CEZ për të sqaruar problemin e krijuar.
Policia ka shoqëruar dy persona për incidentin e djeshëm, ndërkohë që banorët e Komunës Rrethina kanë kërcënuar se do të marrin fëmijët, gratë dhe pleqtë dhe do futen sërish me forcë brenda nënstacionit në ditët në vazhdim nëse energjia nuk rikthehet.
4 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)