Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Shkodrës. Një i ri ka mbetur i vdekur, ndërsa dy persona të tjerë janë plagosur, pasi drejt tyre është qëlluar disa herë me automatik.


Ngjarja ka ndodhur në ambientet e qendrës studentore të universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ku një person ka qëlluar mbi të riun Aleksandër Qarri, i cili mendohet të jetë objektivi i atentatit, ndërkohë që nga breshëria e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë, kalimtarë të rastit.


Qarri është dërguar menjëherë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka humbur jetën disa orë më vonë, ndërsa dy të plagosurit e tjerë mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.


Policia e cila mbërriti në vendngjarje gjeti 12 gëzhoja automatiku si dhe armën e zjarrit tip kallashnikov me të cilën mendohet se është kryer krimi.


Dhjetëra forca policore janë angazhuar në një operacion për kapjen e autorëve të ngjarjes, ndërkohë që identiteti i viktimës dhe motivet e vrasjes mbeten ende të paqarta.

20 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)