Admir Tafili u arratis gjatë një lejeje speciale nga burgu i Shën Kollit dhe vrau vëllezërit e ish-shefit të krimeve
Gjykata e Shkodrës ka vendosur burgim të përjetshëm për Admir Tafilin, i shpallur fajtor për vrasjen e dy vëllezërve të ish-shefit të krimeve të Shkodrës, Prel Pjetrushit. Trupi gjykues i përbërë nga Tonin Stërkaj, Emiljano Ruli dhe relatori i çështjes Ken Dhima, ka shpallur fajtor Tafilin për kryerjen e veprave penale të vrasjes në rrethana cilësuese ndaj dy ose me shumë personave, armëmbajtjes pa leje si dhe falsifikim të dokumenteve. Vendimi i gjykatës ka qenë në përputhje me pretencën e kërkuar nga organi i akuzës. Mbrojtja ka kërkuar që të pranohet gjykimi i shkurtuar pasi Tafili pas kryerjes së krimit, është vetëdorëzuar në polici pa bërë rezistencë dhe ka pranuar kryerjen e krimit, por kërkesa nuk është marrë parasysh nga gjykata. I akuzuari Admir Tafili në këtë proces gjyqësor ka zgjedhur që të përfaqësohet nga avokati mbrojtës Alfred Pjetrani duke mos ardhur në asnjërën prej seancave gjyqësore në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër. Në Mars të vitit 2011, Admir Tafili u arratis nga burgu i Shën Kollit në Shkodër, ku vuante dënimin për plagosjen e Prel Pjetrushit dhe kreu vrasjen e dy vëllezërve Nik dhe Gjovalin Pjetrushi, për hakmarrja ndaj vrasjes së babait.
Historia
Konflikti mes familjeve Tafili dhe Pjetrushi nisi më datën 2 gusht të vitit 2000, kur policia e Shkodrës organizoi një operacion për arrestimin e shtetasit Bahri Tafili, babait të Admirit. Gjatë këtij operacioni, mbeti i vrarë drejtori i policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, si dhe i kërkuari Bahri Tafili. Pas operacionit, policia arrestoi djalin e madh, Genc Tafilin, nën akuzën e vrasjes në bashkëpunim të Arben Zylyftarit, për të cilën ai ende vuan dënimin prej 25 vitesh burg. Në lidhje me vrasjen e Bahri Tafilit dhe të drejtorit të policisë, Arben Zylyftari, familja Tafili akuzoi ish-shefin e krimeve, Prel Pjetrushi, si organizator të të gjithë ngjarjes. Në vitin 2001, ndaj shefit të krimeve të Shkodrës, Prel Pjetrushit kryhet një atentat, ku derdhet një breshëri plumbash në momentin që ai po futej në banesë. Pavarësisht se merr disa plumba në trup, shefi krimeve arrin të shpëtoje dhe pas shërimit largohet për në SHBA për arsye sigurie. Në lidhje me këtë ngjarje, policia arrestoi pas shumë operacioneve policore, djalin e vogël të familjes Tafili, Admirin, dhe në vitin 2002, ai u dënua me 22 vite burg për atentatin në fjalë.
Në 2 tetor të vitit 2010, 35-vjeçari arratiset nga burgu, duke përfituar nga një leje të posaçme për të takuar familjarët. Në lidhje me këtë ngjarje u arrestuan të gjithë policët e togës së shoqërimit, mjeku i burgut dhe u pezullua nga detyra drejtori i burgut, por më 27 korrik të vitit 2011, për të 13 të akuzuarit u dha pafajësia.
Megjithëse u bënë shumë kërkime nga policia, nuk u bë e mundur kapja e Admir Tafilit, i cili arriti të sfidojë policinë e Shkodrës dhe më 18 mars të vitit 2011, vetëm 6 muaj pas arratisjes spektakolare, Admir Tafili qëllon për vdekje pas një prite pranë banesës së tyre, dy vëllezërit e ish-shefit të krimeve, shtetasit Nik dhe Gjovalin Pjetrushi. Pasi arrin qëllimin për të cilin ishte arratisur nga burgu duke vrarë në shenjë hakmarrje vëllezërit e ish-shefit të krimve ku ky i fundit akuzohej nga familja Tafili si autor i vrasjes së babait të tyre dhe të drejtorit të policisë Arben Zylyftari.
Një muaj pasi kreu vrasjen e dyfishtë, Admir Tafili, arrin të prangoset në Tiranë nga forcat Renea.
4 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)