Zbardhet plani i killerit Osman Malja, i cili u plagos dhe u arrestua. Djali i mjekut ka kryer një plagosje, motivi dyshohet për gjakmarrje
I burgosuri – 25-vjeçari Hato, banues në lagjen Kiras të Shkodrës, u arrestua në Laç më 1 maj të këtij viti, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasje me dashje, plagosje e rëndë me dashje dhe armëmbajtje pa leje
Mjeku – Ekzekutimi i mjekut dështoi falë ndërhyrjes në kohë të forcave të policisë, që prej ditësh kishin nën vëzhgim 21-vjeçarin Osman Malja, i paguar nga një i burgosur për të kryer vrasjen në Shkodër
Bashkëpunëtori – Policia thotë se në hetim është pikërisht Eljon Hato, si dhe bashkëpunëtori i tij Sh.Rr., i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në përgatitjen, porositjen dhe vrasjen e mbetur në tentativë të mjekut Agron Terolli
Motivi – Policia thotë se djali i doktorit kohë më parë ka plagosur me armë zjarri pa leje një person, duke e lënë të paaftë fizikisht. Dënimin për këtë vepër penale po e kryen në Burgun e Shën Kollit në Lezhë
Sokol Çobo
Mjeku radiolog në qytetin e Shkodrës, Agron Terolli, ishte objektiv i sulmit që do të kryente vrasësi me pagesë Osman Malja, dy ditë më parë, teksa u plagos dhe u arrestua nga policia, para spitalit rajonal. Burime nga Policia e Shtetit thanë se 21-vjeçari i arrestuar është marrë në pyetje dy net më parë, teksa ka pranuar se ka marrë një porosi nga një i burgosur për të vrarë radiologun. I riu ka dëshmuar se personi që ka urdhëruar sulmin ndaj Terollit ka qenë Eljon Hato, ku ky i fundit është arrestuar pak muaj më parë dhe po qëndron në Burgun e Lezhës. Motivi i sulmit ndaj mjekut, sipas burimeve nga policia, është djali i tij, edhe ai i arrestuar për akuzën e plagosjes dhe po vuan dënimin sërish në Burgun e Lezhës.
Vrasja e parandaluar
Policia thotë zyrtarisht se prej tre javësh, Malja mbahej në vëzhgim dhe përgjim nga agjentët e policisë. “Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i Osman Maljas, 21 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas mbahej nën vëzhgim prej disa kohësh nga policia, e cila kishte në kontroll të plotë lëvizjet dhe veprimtarinë e tij për vrasjen e porositur të mjekut Agron Terolli. Forcat e specializuara të policisë kanë ndërhyrë duke neutralizuar dhe arrestuar autorin në momentin që 21-vjeçari tentoi të hapë zjarr në drejtim të objektit të sulmit, mjekut Agron Terolli me armën e tij tip kallashnikov të kamufluar në një çantë sporti. Në momentin e ndërhyrjes, autori ka tentuar të reagojë edhe ndaj forcave policore, por kjo është bërë e pamundur falë veprimeve të shpejta policore në neutralizimin dhe arrestimin e tij. Gjatë këtij operacioni, autori Osman Malja ka mbetur i plagosur dhe aktualisht pas ndihmës mjekësore të dhënë, është jashtë rreziku për jetën”, pohojnë burimet nga policia.
Sipas tyre, nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se Malja kishte qëllim vrasjen e mjekut dhe se kjo vrasje ishte porositur nga burgu, nga Eljon (Esmeraldo) Hato, 31 vjeç, i cili ndodhet i arrestuar në ambientet e Burgut të Lezhës, për “vrasje”. Në cilësinë e provës materiale, autorit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri automatike me fishek në gojë dhe një krehër me 15 fishekë.
Motivi i sulmit
Policia thotë se në hetim është pikërisht Eljon Hato, si dhe bashkëpunëtori i tij, Sh.Rr., i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në përgatitjen, porositjen dhe vrasjen e mbetur në tentativë të mjekut Agron Terolli, mjek në Spitalin Rajonal Shkodër. Në lidhje me motivin që shtynë të dënuarin për vrasje, policia thotë se djali i doktorit kohë më parë ka plagosur me armë zjarri pa leje një person, duke e lënë të paaftë fizikisht. Dënimin për këtë vepër penale po e kryen në Burgun e Shën Kollit në Lezhë, aty ku qëndron edhe Eljon Hato. Hetimet e policisë janë përqendruar pikërisht te kjo pistë, për ndonjë hakmarrje apo gjakmarrje të mundshme ndaj djalit të mjekut, duke i ekzekutuar babanë. Ndërkohë, një tjetër pistë që policia po heton është edhe ajo e vrasjes së mundshme, për shkak të detyrës.