Policia ka ndaluar pedagogun Fran Qafa, akuzohet për korrupsion
Akuzat për mitmarrje kanë çuar në pranga një pedagog të universitetit “Luigj Gurakuqi”, të Shkodrës.
Policia lokale ka njoftuar se sot është bërë ndalimi i Fran Qafës, me detyrë pedagog në Fakultetin Juridik, të universitetit “Luigj Gurakuqit”.
Të njëjtat burime saktësojnë se pedagogu Qafa akuzohet se merrte lekë nga studentët, për t’i kaluar në provime. Sipas policisë Qafa ishte nën hetim prej disa kohësh, ndërkohë që sot është bërë e mundur dokumentimi i akuzave të ngritura ndaj tij.
Ai është ndaluar nga policia dhe akuzohet për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike. Mësohet se hetimet kanë nisur pas denoncimeve të shumta të ardhura nga studentët e këtij fakulteti. Ndërkohë që sot ai është arrestuar në flagrancë duke marrë para nga një student, në këmbim të favorizimit në provim.
16 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)