I arrestuari Ylli Kapllanaj: Kisha frikë se gjatë vjedhjes do të më dhunonin familjen
Policia tha se viktima që u gjet në oborrin e familjes Kapllanaj, është Ildjon Alushaj nga Patosi
Edmond Hoxhaj
Ildjon Alushaj nga Patosi dyshohet se kishte udhëtuar bashkë me tre bashkëpunëtorë deri në fshatin Ngraçie të Mallakastrës, ku pak muaj më parë pati rrëshqitje dheu dhe shumë banesa u dëmtuan, me qëllim për t’i vjedhur ato, por është përballur me rezistencën e një prej kryefamiljarëve dhe ka mbetur i vrarë në oborrin e njërës prej këtyre banesave. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme dhe menjëherë pas krimit, autori i saj, Ylli Kapllanaj, është dorëzuar në polici, duke dhënë versionin e tij. Por, policia tha se po heton për zbardhjen e plotë të krimit.
Përplasja
Ngjarja e rëndë që i ka kushtuar jetën 21-vjeçarit Ildjon Alushaj nga Patosi, mësohet të ketë ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm, në oborrin e banesës së 47-vjeçarit Ylli Kapllanaj. Sipas dëshmisë së dhënë në polici nga 47-vjeçari, pas mesnatës së djeshme, rreth orës 01:00, kishte dëgjuar zhurma pranë banesës së tij. Ai ka pohuar se ka këqyrur nga dritarja e shtëpisë dhe ka vërejtur se në oborr ndodheshin disa persona që nuk arrinte t’i shquante mirë, për shkak të errësirës. Sipas tij, ata po tentonin të hynin në banesë. Më tej, ai ka shtuar se, i ndodhur përballë këtij fakti ka marrë një automatik tip “Kallashnikov” që mbante në shtëpi dhe ka dalë në derë, duke qëlluar mbi personat që ndodheshin në oborr, duke iu kërkuar se çfarë bënin aty. Kapllanaj ka pohuar se kishte qëlluar me qëllim që t’i trembte e të largoheshin, pasi ishte frikësuar se mos hynin në banesë dhe dhunonin atë dhe familjarët. Ka dëgjuar më pas zhurmat e hapave të personave që largoheshin me shpejtësi pas të shtënave dhe ka ndezur llambën e verandës. Kur ka zbritur në oborr ka konstatuar se një prej personave kishte mbetur i vrarë si pasojë e predhave të shtëna prej automatikut të tij.
Arrestimi
Pasi 47-vjeçari Ylli Kapllanaj është bindur se personi që ndodhej i gjakosur në oborrin e shtëpisë së tij kishte ndërruar jetë, ka njoftuar policinë për gjithçka kishte ndodhur. Menjëherë në banesën e tij kanë mbërritur mjaft forca policie, të cilat kanë nisur hetimin për zbardhjen e ngjarjes. Nga hetimet paraprake dyshohet se 47-vjeçari Kapllanaj ka shtënë mbi 21-vjeçarin Alushaj, pasi dyshohet se ky i fundit së bashku me tre persona të tjerë kanë shkuar për të vjedhur në banesën e tij. Në vendngjarje policia ka gjetur dhe sekuestruar dy automatikë tip “Kallashnikov” dhe katër gëzhoja. Policia ka konkluduar paraprakisht se 47-vjeçari Kapllanaj nuk është gjendur në kushtet e vetëmbrojtjes dhe ka vendosur të kryejë arrestimin e tij në flagrancë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Kapllanaj është ndaluar për veprat penale të “vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, dhe “armëmbajtje pa leje”, për shkak të automatikut tip “Kallashnikov” që Kapllanaj mbante në shtëpi. Viktima mësohet të ketë pasur origjinën e familjes nga fshati Belishovë i Rrethit të Mallakastrës, që ndodhet mjaft pranë me fshatin Ngraçie. Sipas policisë, dyshohet se Alushaj, duke njohur mirë zonën, mund të ketë udhëhequr edhe tre personat e tjerë ende të paidentifikuar për të kryer vjedhje në banesat e fshatit Ngraçie, një pjesë e të cilave nuk banohen më për shkak të rrëshqitjeve masive të tokës.
Banorët e zonës:
“Edhe ne do të vepronim ashtu si Ylli Kapllanaj”
Banorët e fshatit Ngraçie janë shprehur për gazetën se ka pasur edhe raste të tjera vjedhjeje banesash gjatë muajve të fundit. Sipas tyre, këto vjedhje kanë nisur që prej braktisjes së dhjetëra banesave, për shkak të rrëshqitjes së tokave. Njëri prej tyre, Flamur Kapo, është shprehur se kohët e fundit kishin nisur që t’i ruanin me radhë banesat e braktisura, me qëllim që mos t’u vidheshin mobiliet e sende të tjera që kishin lënë aty. “Që kur rrëshqiti toka dhe dhjetëra banesa u braktisën, hajdutët nisën që t’i bastisin ato. Ky nuk është rasti i parë që na sulmojnë për të na vjedhur shtëpitë dhe bagëtinë tonë. Neve na thoshin njerëzit se si ka mundësi që nuk arrinim t’i kapnim hajdutët. Dyshoj se ky grup ka qenë edhe herë të tjera. Këto vjedhje na detyruan që muajin e fundit ne të vendosnim t’i ruanim me radhë banesat që kemi braktisur pas rrëshqitjes së tokës”, ka pohuar Flamur Kapo, i cili ka shtuar se kushdo që do të ishte në vendin e Yllit, do të bënte të njëjtën gjë.
