Masat – ShoqatatAleanca LGBT” dhe “Pro LGBT” theksojnë se do të kontaktojnë të gjitha partitë politike për të parë se çfarë hapësirash kanë të drejtat e komunitetit gej në programet e tyre.


Vota – Shoqatat deklaruan se thirrjet ndaj këtij komuniteti nuk do të mungojnë për të bërë një votim të zgjuar në 23 qershor në përputhje të interesave të tyre.


Homofobia – Në 17 maj, shoqatat në mbrojtje të homoseksualëve do të organizojnë Festivalin e Diversitetit në kuadër të ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë me tubime të ndryshme në Tiranë. 


Kundërshtimi 


“Aleanca LGBT” dhe “Pro LGBT” shprehin shqetësimin për qëndrimet e Spahiut në një deklaratë për “Shqip”


Fatjona Mejdini


3-kaosShoqatat në mbrojtje të komunitetit homoseksual në Shqipëri reaguan dje ashpër ndaj deklaratave diskriminuese të bëra në adresë të tyre dhe të grave nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu. Në një prononcim për “Shqip”


“Aleanca LGBT” dhe “Pro LGBT” formuluan një qëndrim të përbashkët për sa u përket deklaratave të Spahiut nga Kukësi, duke i quajtur këto deklarata elektorale, mesjetare që kërkojnë të fitojnë të drejtat e pakicës për të fituar mbështetjen dhe simpatinë e shumicës. “Tashmë është shndërruar pothuajse në një argëtim për ne çdo dalje publike e z. Spahiu në lidhje me çështje që ai nuk i kupton dot. Beteja e tij me çështje të tilla ngjan, për fat të keq, si betejat me mullinjtë e erës. Është evidente se partia mesjetare me një Don Kishot të përkryer si zoti Spahiu duke mos pasur asnjë ide konkrete si të zhvillojë vendin përpiqet të fitojë simpatinë dhe mbështetjen e shumicës, duke sakrifikuar të drejtat e pakicës, por me mendimet e veta nuk arrin të shkojë as deri në Burgajet, ku me siguri ka qytetarë të kulturuar që i kuptojnë çështjet më mirë se Ekremi. E jo më t’u kërkojë vota shqiptarëve që duan të integrohen në BE”, theksohet në deklaratën e përbashkët të dy shoqatave. “Aleanca LGBT” dhe “Pro LGBT” i kujtuan dje Spahiut se deklaratat e tij binin ndesh me të drejtat e njeriut dhe se Shqipëria nuk mund të bënte hapa mbrapsht në lidhje me këtë çështje. “Ne nuk kuptojmë dot se si do t’ia arrijë konkretisht PLL qëllimit për të ndaluar miratimin e një forme që i lejon çiftet gej të kenë të njëjta të drejta dhe përgjegjësi familjare si çdo çift tjetër. Me çfarë votash do e bëjë këtë gjë PLL? Me çfarë deputetësh? Angazhimi i Shqipërisë për të luftuar për respektimin e të drejtave të njeriut e për ta trajtuar këdo si të barabartë para ligjit, është një angazhim i pakthyeshëm tashmë”, theksohet në deklaratë. Po kështu, Spahiut i kujtohet se vendet më të qytetëruara të botës sot po marrin nisma të rëndësishme në mbrojtje të këtij komuniteti dhe se ai nuk ishte më burrë se personalitetet dhe drejtuesit e shteteve më të rëndësishme botërore. “Mos janë gjë më pak burra njerëz si Hollande, baba i katër fëmijëve që po bën të njëjtën gjë në Francë që kërkojmë ne? Mos është më pak burrë Cameron i Britanisë? Fredrik Reinfeldt i Suedisë? Zapatero apo Rajoy i Spanjës? Coelho i Portugalisë? Stoltenberg i Norvegjisë? Rutte i Holandës? Di Rupo i Belgjikës? Po gratë e hekurta që udhëheqin vendet më të zhvilluara të Europës, mos janë gjë më pak dinjitoze? Si, fjala vjen Merkel e Gjermanisë? Thorning-Schmidt e Danimarkës? Halonen e Finlandës? Siguroardottir e Islandës? Apo Gillard e Australisë? Bratusek e Sllovenisë? Për të mos folur pastaj për burrat e femrat që po përparojnë vendet e tyre në Amerikën Latine, fjala vjen, Fernandez de Kirchner e Argjentinës? Chinchilla e Kosta Rikës? Mos është më pak burrë dinjitoz Barack Obama? Po këta e këto, ka shumë mundësi që PLL nuk i njeh…”, theksohet në deklaratën e dy shoqatave të dhënë dje për “Shqip”. Po kështu “Aleanca LGBT” dhe “Pro LGBT” i kujtojnë kreut të PLL-se e drejta për abort është një e drejtë e çdo gruaje në vitin 2013. “Kjo është një arritje për lëvizjen e gruas në Shqipëri. Mekanizmat e mbajtjes së shtypur të gruas në një shoqëri si ajo që ëndërron Ekremi janë të sofistikuara, por që të gjitha mbështeten te një gjë: t’i mohojnë gruas çdo të drejtë për të pasur kontroll mbi trupin e saj dhe mbi të gjitha për t’i shkatërruar vullnetin e vet të lirë”, theksohet në deklaratë.