Provimet e maturës
Buxheti 120 milion lekë, për mbi 2 mijë pajisjet të karikueshme. Instalimi nis në fillim të majit
Shuma – Kompania fituese do t’ia shesë Ministrisë së Arsimit detektorët dhe zhurmuesit për 120 milionë lekë të vjetra
MASH – Fituesi nuk është zyrtarizuar përfundimisht, për shkak se është hapur procesi i ankimimit, për firmat që kundërshtojnë fituesin
Shpresa Mezini
Shpallet kompania fituese që do t’i shesë Ministrisë së Arsimit detektorët dhe zhurmuesit që do të instalohen për të ndaluar kopjet në testimet e maturës. Lëvrimi i një fondi prej 120 milionë lekësh në dispozicion të sigurisë që do t’u kushtohet provimeve të maturës, vjen sivjet për herë të parë. Diskutimet në këtë pikë janë të shumta pasi vit pas viti administratorët, sekretuesit, por edhe hartuesit e tezave nuk janë paguar në kohë. Përkundrazi, paratë i kanë marrë 1 vit më vonë, kur ndërkohë kanë qenë duke kryer të njëjtin shërbim për maturën e një viti më pas. Nisur nga kjo, specialistët e MASH-it bëjnë me dije se kjo praktikë pune vjen për të evituar mangësitë e përvojave të kaluara të Maturës Shtetërore, siç është edhe mospagesa në kohë e pjesëmarrësve në grupet e punës. Sipas tyre, shpenzimi i parave për këto lloj pajisjesh do t’u japë fund njëherë e mirë problemeve të konstatuara vitet e mëparshme.
Burime në MASH bëjnë me dije për gazetën “Shqip”, se kompania fituese, përveçse ka plotësuar në mënyrë rigoroze dokumentacionin e kërkuar, ka ofruar çmim më të ulët nga shuma limit. Fondi që MASH-i kishte parashikuar për blerjen e aparaturave, që bllokojnë valët e celularëve dhe konstatojnë mjetet elektronike që nxënësit fshehin në xhepa, ishte 200 mijë euro, ndërsa firma fituese do t’i shesë këto pajisje për 120 milionë lekë të vjetra.
Specialistët e arsimit, pjesë e grupit të punës, që shqyrtuan dosjet e firmave pjesëmarrëse në tender, theksojnë se aktualisht janë në fazë ankimimi, në përputhje me procedurat teknike të zhvillimit të tenderëve. Sipas tyre, brenda një afati që nuk do të zgjasë gjatë, për shkak se mjetet duhen instaluar në fillim të majit, kompanitë e tjera që morën pjesë në “garë” kanë të drejtë të ankohen nëse nuk gjykojnë që vendimi për shpalljen e fituesit nuk është i drejtë. Ndërsa menjëherë pas kësaj do të zyrtarizohet fituesi, në mënyrë që të nisë instalimi i detektorëve dhe zhurmuesve në të gjitha shkollat e mesme të vendit.
Specialistët e arsimit në MASH, bëjnë me dije se specifikimet teknike që ky institucion ka kërkuar publikisht kanë qenë të qarta për të gjitha kompanitë pjesëmarrëse.
Sipas të dhënave, mësohet se dy prej kritereve specifike që ka përmbushur kompania fituese e teknologjisë në vend, janë që: aparaturat janë të karikueshme, jo me bateri dhe mbulojnë një hapësirë të konsiderueshme klasash njëkohësisht. Ndërsa fituesi, duke iu referuar deklaratës së specialistëve të MASH-it, ishte ai që përveçse plotësoi kriteret, ofroi çmim më të ulët për blerjen e dy llojeve të aparaturave, që në total do të jenë mbi 2210 mjete që synojnë eliminimin e kopjeve gjatë zhvillimit të testimeve të maturës. Detektorët lëshojnë sinjal nëse maturantët kanë fshehur në xhepa mjete të ftohta apo edhe celularë, ndërsa zhurmuesit bllokojnë automatikisht valët e celularëve për të ndërprerë çdo lloj komunikimi. Sipas tyre, numri i detektorëve është i njëjtë me numrin e shkollave publike, ku do të zhvillohen provimet e maturës, duke qenë se rrezja e tij është e mjaftueshme edhe për hapësira të mëdha, pa qenë e nevojshme për 2 apo 3. E kundërta do të ndodhë me numrin e aparaturave që ndërpresin valët e celularëve, zhurmuesve, që do të jenë më të shumtë në numër, për shkak se varen nga rrezja e veprimit të tyre, nga madhësia e klasës, si edhe nga hyrjet apo kthesat e ndërtesës.