sportNdodhi e pamendueshmja, ndeshja Shqipëri-Maqedoni, sfida e parë eliminatore e botërorit 2018 për kuqezinjtë, nuk mbyllet, gjithçka u ndërpre në minutën e 75 për shkaqe natyrore. Një rrebesh shiu i shoqëruar me erë të fortë ndërpreu në momentin më kulminant sfidën e “Loro Boriçit”, duke prishur festën e 16 mijë të pranishmëve në stadiumin e rikonstruktuar në momentin që ndeshja ishte fiksuar në shifrat 1-1.


Nuk kishte ndodhur asnjëherë që Shqipëria të ndërpriste një ndeshje për shkaqe natyrore edhe pse tapeti i gjelbër i stadiumit të Shkodrës përballoi me sukses prurjet e shumta të ujit por vazhdimësia e takimit u bë e pamundur, ashtu si sinjali satelitor që mundësoi sinjalin për lidhjen direkte në kanalin Supersport 2. Në këto kushte gjyqtari turk, Huseyin Goçek ndërpreu ndeshjen dhe pas 45 minutave vendosi shtyrjen përfundimtare të takimit.


Një nga shkaqet kryesore të shtyrjes përfundimtare të takimit ishte pikërisht mungesa e sinjalit që prodhohej nga Shkodra për të gjithë kanalet që kishin siguruar të drejtat e transmetimit të këtij takimi, përfshirë këtu edhe Supersport. Në këtë mënyrë, kuqezinjtë mund të shpresojnë te 15 minutat e mbetura pasi ata kanë mundësi të kthjellohen për të kërkuar golin sërish në “Loro Boriçi” me rikthimin në fushë ketë te martë në orën 14:00 kur do të rinisë edhe takimi.


Një natë që do të mbahet mend gjatë qoftë për shkak edhe të kaosit që shkakoi furtuna në qytetin verior. Në stadiumin modern në qytetit të Shkodrës mes malit të emocioneve, kuqezinjtë nuk arritën të dilnin në lojën e tyre edhe pse kishin kontrollin e lojës gjatë pjesës më të madhe dhe vetëm një gabim i Kukelit riktheu baraspeshën.


Në një atmosferë fantastike, në praninë e rreth 16 mijë të pranishmëve, trajneri italian hodhi në fushë një formacion sulmues 4-3-3 me Berishën në portë, Agollin, Mavrajn, Gjimshitin dhe Hysajn në mbrojtje, treshen e mesfushës Xhaka-Kukeli-Abrashi dhe në sulm me surprizën Hyka dhe Sadikun e Gashin. Ishte pikërisht sulmuesi nga Elbasani që në minutën e 9 ngriti peshë stadiumin me një gol të gjithin personal.


Pas rrjetës historike ndaj Rumanisë, bomberi kuqezi duket se nuk dëshiron të ndalet pas fanella e Kombëtares është kthyer në një lëkurë të dytë për të. Dalëngadalë, të besuarit e De Biasit u treguan më të qartë duke hedhur më shumë sytë nga sulmi dhe në të 28-ën ishte Mavraj që nuk përfitoi nga një top që përfundoi në këmbët e tij. Ishte Hyka orkestruesi i sulmeve nga e majta dhe vetëm pak sekonda më pas gaboi në finalizim pasi bëri mirë. Minutat në vazhdim Maqedonia guxoi me disa aksione të paqarta por edhe kaq mjaftoi që De Biasi të reagonte ashpër ndaj lojtarëve të tij. Në të 33-ën ishte Kukeli që kërkoi thellësinë e zonës së rreptësisë por Gashi në pozicion jashtë loje, i prishi llogaritë me një stopim që mund ta kishte evituar.


Një minutë më pas ishte radha e Xhakës që me një inkursion personal i konsumoi të gjitha energjitë dhe finalizimi ishte për t’u harruar. Maqedonia replikoi me një skemë (36) por Pandev u tregua i pasaktë, ndërsa në minutën e 39, Hasani gaboi në ekzekutimin e goditjes së dënimit. Sinjalin e fundit të rrezikshëm të pjesës së parë e dha Agolli që me një goditje të prirët rrezikoi por nuk shënjestroi kuadratin e Maqedonisë. Rikthimi në fushën e blertë tregoi limitet e ekipit shqiptar ende me faza dritëhijesh pasi në të 51-ën, Kukeli me një pasim gati-gati amator dhuroi një asist për Alioskin, i cili u tregua i ftohtë përpara Berishës duke vendosur baraspeshën.


Në të 52-ën, Hyka u rrëzua në zonën e rreptësisë por për kryesorin loja vazhdoi ndërsa topi përfundoi në këmbët e Sadikut që goditi lehtë duke e dhuruar topin. Maqedonia nëpërmjet Alioskit mori zemër nga rënia e ndjeshme e rendimentit të kuqezinjve, pavarësisht hyrjes në fushë të Roshit, Balajt dhe Memushajt. Me kalimin e minutave intensiteti i reshjeve u rrit. Dalëngadalë tifozët nisën të braktisnin stadiumin ndërsa situata u rëndua deri në daljen e skuadrave nga fusha e lojës. Ndoshta ky nuk ishte debutimi ideal për kuqezinjtë në eliminatoret e Botërorit 2018, por 15 minutat e mbetura japin ende sinjale shprese për të rrëmbyer 3-pikëshin e parë për djemtë e Gianni De Biasit.


6 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)