AKZ shemb një mur simbolik dhe nis peticionin për bashkimin e dy vendeve
Festa e Morinit u realizua gjatë paradites dhe menjëherë më pas, të pranishmit u nisën për të festuar në Vlorë
Sulejman Dida
Mijëra banorë të zonës së Kukësit dhe Prizrenit dhe aktivistë të Aleancës Kuqezi dhe të Frontit për Bashkim Kombëtar e kanë shndërruar doganën e Morinit në një arenë festimi të “Shqipërisë së bashkuar”, duke sjellë ngjashmëri me Sheshin e Flamurit në Vlorë. Të veshur kuqezi, me simbolet kombëtare dhe me flamuj në duar rreth 3 mijë shqiptarë të Kosovës kanë kaluar kufirin pa kontroll dhe janë bashkuar në Morin me pjesën tjetër që i priste nga Shqipëria, gjithashtu të veshur kuqezi dhe me entuziazëm ekzaltues, deri në lot. Aleanca Kuqezi, ashtu siç kishte paralajmëruar ka rrethuar dhe bllokuar pikën kufitare Kosovë-Shqipëri mesditën e djeshme. Në 100-vjetorin e Shqipërisë, ajo nisi peticionin për referendum për bashkimin e dy shteteve. Kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, si dhe kryetari i Frontit për Bashkim, Ibish Hetemi, duke marshuar nga të dy anët e kufirit, janë takuar dhe përqafuar si vëllezër pikërisht në mes të dy pikave kufitare Kosovë-Shqipëri, në Morin, duke shënuar kështu edhe simbolikisht bashkimin kombëtar. Aty kanë shembur edhe një mur të improvizuar, duke simbolizuar bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
Festa
“Shqipërinë e duam të bashkuar”, tha një burrë nga Prizreni, duke kujtuar faktin që 40 firmëtarët e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 shpallën të pavarur Shqipërinë në krejt territorin etnik. “Ne duhet të çojmë në vend amanetin e baballarëve tanë, ta bashkojmë Shqipërinë me Kosovën dhe me Shkupin”, u shpreh ai, duke shtuar se shembja simbolike e ndodhur në Morin duhet të bëhet me kurajën e dy qeverive dhe mirëkuptimin e miqve perëndimorë. “Kujt i prishka punë një Shqipëri e bashkuar?, ne asnjë herë nuk kemi qenë rrezik për të tjerët”, tha një tjetër aktivist i Frontit për Bashkim Kombëtar, duke kujtuar historinë e gjatë dhe tragjike të shqiptarëve.
Spahiu
Pas një koncerti me motive patriotike dhe entuziaste në vijën e kufirit nga grupe të njohura të muzikës shqiptare, kreu i AKZ-së, Kreshnik Spahiu, tha se ka ardhur momenti i madh i bashkimit të shqiptarëve. “Ky është momenti historik i bashkimit”, tha ai, duke shtuar se brezat nuk do të na falin asnjë çast neglizhence. Ai akuzoi udhëheqësit shqiptarë që nga Esat Pashë Toptani, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Sali Berisha e Fatos Nano si shitës të Shqipërisë te sllavët. Ai kujtoi faktin që shqiptarët sot qarkullojnë në botë me shumë pasaporta, përkatësisht shqiptare, kosovare, maqedonase, malazeze, serbe dhe përmendi përpjekjet e disa shteteve ballkanike për të shpërndarë pasaporta të tyre për shtetasit tanë. “Kjo marrëzi”, sipas tij, “duhet të marrë fund tani në 100-vjetorin e Pavarësisë”.
Rënia e kufirit
Mitingu i djeshëm shënoi simbolikisht rënien e kufirit ndërshqiptar. Aktivistët më herët kishin ngritur një mur prej kartoni të cilin më pas e rrëzuan me ovacione. Aty morën pjesë banorë nga Kukësi e Prizreni, si dhe qindra të tjerë nga mbarë trojet shqiptare dhe diaspora. Në fund të manifestimit nisi nënshkrimi i peticionit për bashkimin e shqiptarëve, përkatësisht të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Preshevës, Ulqinit e trojeve të tjera të Malit të Zi, Çamërisë dhe Sanxhakut. Festa e Morinit u realizua gjatë paradites dhe menjëherë më pas, nënshkruesit u nisën për të festuar pasdite në Vlorë. Në të dyja anët e kufirit ka pasur përqendrim të dendur të policisë, ndërsa nuk është shënuar asnjë incident. Muri i policisë speciale të ardhur nga Shkodra dhe të tjerë nga Prishtina kanë garantuar rend dhe siguri për të dyja doganat. Në dy doganat, Morin dhe Vërmicë ka dominuar atmosfera kuqezi.
Kukës
Shifrat, 120 mijë shqiptarë nga Kosova erdhën në Shqipëri
Në datat 27 dhe 28 nëntor, në doganën e Morinit në Kukës është shënuar një fluks i jashtëzakonshëm i shqiptarëve të Kosovës, që kanë udhëtuar drejt Tiranës dhe Vlorës. Deri në mbrëmjen e datës 27 nëntor, një burim i doganës së Morinit tha se një shifër të përafërt të udhëtarëve në drejt të Shqipërisë, pasi mijëra njerëz kishin kaluar pa u numëruar. “Fluksi i këtyre dy ditëve të fundit ka qenë i jashtëzakonshëm, mund të them se deri tani në darkë kanë hyrë në Shqipëri rreth 100 mijë njerëz që kishin qëllim të manifestonin gëzimin e 100-vjetorit, ndërsa edhe mijëra të tjerë mund të udhëtojnë natën, duke gdhirë data e 100-vjetorit”, tha efektivi i doganës. Shqiptarët e Kosovës kanë udhëtuar me makinat e tyre, si dhe në mënyrë të organizuar me qindra e qindra autobusë. Edhe gjatë orëve të natës, fluksi i tyre ka vazhduar. Deri në orët e hershme të mëngjesit të datës 28 kanë hyrë në Shqipëri afërsisht 18 mijë persona qëllimi të cilëve ka qenë pjesëmarrja në festimet e 10-vjetorit. Gjatë natës së shkuar vargu i automjeteve në autostradë ka mbushur krejt korsinë që nga Kukësi deri në Milot dhe mendohet se ky udhëtim përbën shfaqjen me të qartë të krenarisë shqiptare dhe dëshirën më të shprehur për bashkimin e shqiptarëve në një shtet. S. D.