John Withers
“Shqipëria është në buzë të greminës kleptokracia po predominon vendin”
Nuk mbështes ndonjë forcë politike, por një koalicion për demokraci
SOKOL BALLA
Mund t’ju drejtohem në emër si John, por në fakt, ata të cilët janë duke ndjekur këtë intervistë ju njohin si ambasadori Withers nga aktiviteti juaj trevjeçar në Shqipëri, aktivitet i cili, në fakt, vijon të diskutohet edhe sot mes shqiptarëve. Në fakt, siç e thashë në fillim të programit, se ju keni heshtur për gati dy vjet, mbase nuk është korrekt pasi ju keni folur për një revistë shqiptare dhe për “Zërin e Amerikës”. Gjithashtu keni dërguar edhe një deklaratë gjatë kohës së publikimit të kabllogrameve të “Wikileaks”. Shumë shqiptarë mund të pyesin. Përse i thatë po ftesës sime për ta zhvilluar këtë intervistë, me premtimin për t’i thënë gjërat troç?
Arsyeja përse pranova lidhet me faktin se, pavarësisht se po bëhen gati dy vjet që jam larguar nga Shqipëria, unë ndjehem thellësisht i lidhur me vendin dhe njerëzit. E kam shumë për zemër. Kujdesem për atë që ndodh atje. Ne jemi miq për një kohë të gjatë. Kam qenë i nderuar, njëkohësisht jam i privilegjuar të bisedojmë përsëri, pasi gjithmonë i kam pëlqyer intervistat që kemi zhvilluar së bashku, pasi janë provokative dhe me pyetje të formuluara mjeshtërisht. Pavarësisht se kanë kaluar dy vjet, për mua, shqiptarët janë njerëz me të vërtetë të veçantë. Nuk flas këtu vetëm për elitat, por për njerëzit e thjeshtë, të cilët më kanë trajtuar mua me shumë respekt. Kjo mundësi të flas me ju, përsëri është një nder për mua, por tani unë flas në një kapacitet tjetër, pasi siç ju thashë, tashmë unë do t’i them gjërat troç, pasi tani mund ta bëj një gjë të tillë. Një diplomat duhet të flasë një gjuhë të veçantë, atë diplomatike. Mesazhi përçohet tek ata të cilët e njohin gjuhën diplomatike, pasi është një traditë e gjatë që përfshin trajnime dhe të kuptuarit e asaj që kam dashur të them. Ndërsa tani si një qytetar i thjeshtë, i cili nuk flet në emër të Qeverisë Amerikane, Departamentit Amerikan të Shtetit apo Ambasadës, por si një amerikan dhe siç e dini për një amerikan ka shumë rëndësi liria e të shprehurit. Unë do të jem shumë i hapur me pikëpamjet e mia se çfarë po ndodh në vendin tuaj të mrekullueshëm.
Kur u larguat nga Shqipëria ishit i shqetësuar për nivelin e demokracisë në vend, balancimin e pushteteve, korrupsionin në sistemin e drejtësisë dhe në fakt, raportet ndërkombëtare kanë treguar atë që ne jemi duke shkuar keq në çështje që lidhen me korrupsionin, pavarësisë e gjyqësorit, lirinë e të shprehurit gjithashtu në nivelin e demokracisë. Kjo ju jep të drejtë juve, por a jeni i kënaqur me këtë?
Jo, nuk besoj që asnjëri, i cili e njeh Shqipërinë dhe kujdeset për të, do të gëzohej nga zhvillimet më të fundit. Atë kohë shpreha shqetësimet e mia. Tani si një observues në distancë, pasi nuk mund të jem një observues i afërt siç e bëja në të shkuarën, duke parë atë që është duke ndodhur tani, situata është përkeqësuar. Unë mendoj se frika (dhe do ta përdor këtë fjalë, frikë), që unë kisha për atë që do të ndodhte me institucionet e pavarura demokratike, ndodhi. Presioni mbi to ishte i dukshëm. Tani, me zhvillimet e fundit, përfshi këtu edhe zgjedhjen e Presidentit nga vota njëpartiake, duke zgjedhur një person të cilin unë e respektoj shumë si individ, pasi e njoh nga koha kur ishte ministër i Brendshëm. Ai është një burrë kurajoz. Situata me shëndetin ku ai u gjend, e kaloi me një durim të madh dhe trimëri, gjë të cilën mbase shumë njerëz nuk do ta kishin demonstruar. Të tilla karakteristika dolën gjatë situatës ku ai ndodhej. Por nuk po merrem këtu me individin Bujar Nishani si njeri, por me rolin e zotit Nishani. Ai është edhe siç premtoi Kryeministri, një besnik i Partisë Demokratike. Nuk është aspak gabim të jesh besnik i Partisë Demokratike, por në klimën dhe rrethanat që kalon Shqipëria sot, a do të demonstrojë zoti Nishani se është një njeri i pavarur në ato raste kur do t’i duhet të ngrihet kundër vullnetit të Kryeministrit? Jam shumë skeptik se ai do ta bëjë një gjë të tillë. Jam skeptik, pasi nëse shikoni shumë politikanë shqiptarë, besnikëria është diçka për të cilën… kur Kryeministri flet për diçka, ata veçse e ndjekin nga pas. E kam të lehtë ta drejtoj gishtin te shumë prej tyre, që futen në këtë kategori. Ndjesia ime është se në një demokraci merr parësi ndëshkimi, ai politik dhe moral. Nëse ju nuk keni pikëpamjet personale dhe vullnetin për t’i mbrojtur këto pikëpamje, thjeshtësisht ktheheni në atë që ne e quajmë “Yes Man”, njeriu lepe-peqe për gjithçka.
Pra po thoni se zoti Nishani nuk mund të ngrihet dhe të ketë qëndrimin e tij për çështje të caktuara, duke u kthyer kështu në një “Yes Man”?
Nuk mundem të parashikoj se ç’do të ndodhë në të ardhmen, por ai duhet ta provojë gabim skepticizmin tim, rreth rolit të tij në lidhje me marrëdhëniet me Kryeministrin. Tani, ai ka një rol të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare. Ja ku jemi tani, kemi Kryeministrin dhe kishim Presidentin Topi, i cili kërkonte të vendoste drejtues të mirë në sistemin e gjykatave. Tani lind pyetja: Cilët do të jenë njerëzit që do të emërohen nga Presidenti Nishani dhe a do të munden ata të qëndrojnë të pathyeshëm nga tekat e PD-së? Sepse kështu Bujar Nishani ka krijuar deri tani karrierën e reputacionin e tij, sikurse edhe të tjerët si Lulzim Basha e të tjerë e të tjerë. Tani nëse keni, një gjykatë të kompozuar nga gjykatës, të cilët do të anojnë nga njëra parti politike, si mund të keni një sistem drejtësie që flet dhe u shërben të gjithëve? Ne e dimë rrezikun e politizimit të gjykatave.
Në çfarë drejtimi na çon një zhvillim i tillë? Drejt çfarë rreziku?
Për momentin, kemi situata interesante po aq edhe ironike në rrethana të caktuara. Partitë po tentojnë të heqin imunitetet e zyrtarëve të lartë në Shqipëri. Unë jam një mbështetës i fuqishëm i kësaj gjëje, për të cilën u përpoqa kur isha ambasador. Arsyeja për këtë është se me pasjen e imunitetit mund të ndodhin shumë gjëra, pasi një person mund të kryejë diçka, ta fshehë dhe të mos jetë përgjegjës. Prandaj imunitetet duhet të hiqen dhe nuk ka asnjë pikëpyetje për këtë. Pavarësisht kësaj, vjen ajo që do ta përshkruaj si një rrezik. Në mënyrë që heqja e imuniteteve të jetë në përputhje me shtetin ligjor, duhet të keni gjykata, të cilat janë të pavarura nga ndërhyrjet politike. Ju patjetër duhet të keni gjykata që flasin vetëm në emër të ligjit dhe jo për cilindo që është një aktor i fortë politik. Në të kundërtën, gjykatat kthehen në një armë në duart e një partie politike, duke realizuar dëshirat e asaj force politike. Kam lexuar sot një citim të bërë disa ditë më parë nga Kryeministri Berisha. Ai sulmonte Partinë Socialiste, për mosvotimin më datë 6 gusht. Dhe çfarë ai deklaronte. Thoshte që të gjithë deputetët e opozitës janë milionerë. Mos vallë është kjo arsyeja përse Kryeministri kërkon heqjen e imuniteteve, duke sulmuar deputetët e Partisë Socialiste? Pyetja ime për Kryeministrin mund të jetë kjo: Tashmë për shtatë vjet, ju jeni Kryeministër, përse ne nuk kemi pasur një luftë madhore ndaj korrupsionit gjatë këtyre viteve? Për një moment mund të themi se kjo s’ka ndodhur, pasi njerëzit janë me imunitet. Por, po ata të cilët janë dyshuar për korrupsion dhe nuk kanë imunitet, përse ju nuk u morët me ta? Dhe nëse çështjen e imuniteteve e keni sinqerisht, a do të jeni ju i gatshëm të merreni edhe me të korruptuarit brenda partisë suaj të dyshuar për korrupsion? Apo vetëm për deputetët e PS-së? Nëse në këtë deklarim Kryeministri është cituar në mënyrë korrekte, kjo për mua është shqetësuese. Është ky motivi i vërtetë? Dhe nëse ky është motivi i vërtetë, e gjithë çështja ngre pikëpyetje në lidhje me nevojën imediate që Shqipëria ka për t’u pastruar sa më parë nga korrupsioni. Nëse tentohet një manipulim i korrupsionit, kjo nuk sjell asgjë tjetër, përveç zmadhimit të korrupsionit, duke gllabëruar çdo institucion të formuar për të mbrojtur jo të pasurit e korruptuar, por qytetarët e thjeshtë.
Në fakt, zoti ambasador, ndërkohë që flisni, mua më vijnë ndërmend disa fakte. Fakte që vërtetojnë këtë që thoni ju. Faktin që gjatë këtyre muajve të fundit, shumë vendime të gjykatës për shpifje. Akuza të ngritura kryesisht nga qeveritarë ose familjarë të tyre dhe janë dënuar më pas deputetët e opozitës. Apo faktin e kundërt, disa çështje të mëdha, që lidheshin me korrupsionin apo me abuzimin e pushtetit duke filluar nga Gërdeci, rruga Durrës-Kukës apo edhe një video-skandal i vitit të kaluar, që solli më pas edhe 21 janarin, të gjitha këto çështje të mëdha u mbyllën në favor të zyrtarëve të qeverisë dhe kjo në fakt, është situatë shqetësuese për demokracinë, apo jo?
Është një risk shumë i madh mospasja e një sistemi të pavarur drejtësie. Është një kërcënim i madh tejet i madh për një demokraci. E tërë ideja e një demokracie është një qeverisje e kufizuar në pushtetin e saj. Dhe nëse do t’ia thonit këtë çdo politikani amerikan, zotit Romney apo zotit Obama, ata do të binin dakord me këtë. Pushteti domosdoshmërisht duhet të ketë atë që njihet si kontroll dhe balancimi i tij. Pushteti i përqendruar në duart e një partie politike apo individi konsiderohet si një rrethim i demokracisë. A e dini se cili është rreziku i një sistemi gjyqësor të politizuar? Këtu në shtëpinë time është një foto e Musine Kokalarit, gjatë gjyqit të saj, ku në fytyrën e saj duket një shprehje shpirtërore pafajësie, sepse ajo ishte e pafajshme. Por ishte politikisht e domosdoshme për regjimin komunist të sulmohej, pasi konsiderohej e rrezikshme për ata.
Mos doni të thoni se jemi duke shkuar drejt të njëjtit model?
Për momentin, Shqipëria është duke qëndruar në buzë të greminës. Nëse gjykatësit apo njerëzit e drejtësisë zgjidhen sipas kritereve politike apo i janë borxhlinj pushtetit në një formë apo tjetrën për mos të kundërshtuar njerëzit e pushtetit, atëherë kjo është e rrezikshme. Sepse gjyqësori përdoret për qëllime politike dhe jo për të përmbushur misionin e dhënies së drejtësisë. Kjo nuk është vetëm në Shqipëri. Shikoni se çfarë është duke bërë Putini në Rusi. Shikoni ç’po ndodh në Hungari, Rumani, Gjeorgji… Në të gjitha këto vende, shikoni ç’po ndodh në Ukrainë. Atje ju keni një kundërshtar politik të gjithëpushtetshëm, i cili e burgosi atë të cilën fliste në emër në popullit, duke urdhëruar gjykatat të vepronin në këtë mënyrë. Kjo është ajo rrëshqitja e ngadaltë në drejtim të së keqes. Për tre vjet unë kam ngulmuar kur jam shprehur për t’i pasur institucionet e pavarura. Tani, gjithnjë e më shumë, kjo pavarësi po rrëmbehet.
Ish-presidenti Topi, dy javë më parë, shprehu po të njëjtat shqetësime kur pohoi se demokracia jonë po shkon drejt një diktature dhe vendit i duhet një ndryshim politik. Në 2013-n, ne kemi zgjedhjet e përgjithshme. Me këtë të ardhme që e përshkruat si shqetësuese, mendoni se në 2013-n Shqipëria ndodhet përpara nevojës së një rotacioni politik?
Fillimisht do të thoja që Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhje të cilat shkojnë përtej pikëpyetjeve dhe dyshimeve. Pra të lira dhe të ndershme. Ku nuk ka dyshime apo problematika, siç ndodhën në zgjedhjet e shkuara. Jo manipulime, jo ndërrim rregullash loje, jo dominim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, jo një kolegj elektoral, i cili braktis përgjegjësitë e tij që i jep ligji. E theksoj se duhet medoemos të mbani zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është parësore. Unë mendoj se ngrihet një pikëpyetje e madhe përpara shqiptarëve. Dhe kjo pikëpyetje e madhe është se, a kanë mundësi politikanët të zgjidhin hallet tuaja? A është politika rruga e duhur për të përmirësuar shoqërinë tuaj? Pra janë pyetje që duhet të marrin përgjigje nga vetë shqiptarët. Ajo çfarë duhet të kini parasysh është se hallet tuaja nuk ka për t’i zgjidhur komuniteti ndërkombëtar. Ata thjesht mund t’ju ndihmojnë, por jo të zgjidhin problemet tuaja. Zgjidhjet duhet të vijnë nga brenda vendit. Pak më herët, më pyetët nëse më mungonte Kryeministri Berisha. Nuk e di se çfarë ai mendon apo çfarë problemesh ka me mua. Berisha është një person i jashtëzakonshëm. Ajo që unë nuk bie dakord janë politikat që ai kërkon të implementojë. Të kundërshtuarit e këtyre politikave nuk do të thotë se unë jam mbështetës i ndonjë platforme të ndonjë force tjetër politike. Unë nuk mbështes asnjërën prej tyre. Çfarë unë mund të mbështes është koalicioni për demokraci. Jo ndonjë forcë politike, por një lëvizje sociale në të mirë të popullit shqiptar. Kjo për mua është e rëndësishme. Shikoni se çfarë ndodhi në Birmani. Një grua e vetme, trime, pavarësisht vuajtjeve, shikoni çfarë bëri. Shikoni se ç’po ndodh në Filipine, ku filipinasit luftuan për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, kur Markosi po tentonte t’i manipulonte dhe Akino u zgjodh president.
Por edhe Akino do të akuzohej për abuzim me pushtetin…
Kjo është bota e vërtetë dhe reale.
Dhe kjo është dilema që kanë shqiptarët kur thonë se ne e dimë se çfarë mund të prodhojë Berisha, por a do të mundet Edi Rama të jetë një kryeministër i mirë…
Prandaj është e rëndësishme që njerëzit të bëhen aktivë. Kjo është ekzaktësisht ajo që duhet të bëjnë, duke u kthyer ata në arbitra të demokracisë dhe jo politikanët. Qytetarët duhet të jenë ata të cilët të dalin kundër…
Nuk iu përgjigjët direkt pyetjes sime, nëse Edi Rama mund të jetë një kryeministër i mirë.
Si mundem unë ta di këtë? Ai kurrë nuk ka mbajtur një post të lartë drejtues në nivel kombëtar. Nuk kam asnjë ide dhe nuk dua të përfshihem në një çështje të tillë. Çfarë unë di, lidhet me ato veprime të ndërmarra nga qeveria aktuale dhe të them që Rama do të veprojë njësoj, këtë nuk mundem ta di. Nuk mund të gjykoj rreth së ardhmes.
Çfarë shqiptarët mund të rrezikojnë?
Është tërësisht një veprim që u përket shqiptarëve ta ndërmarrin. Unë nuk jam duke folur këtu për veprime që mund të duken radikale siç mund të jenë demonstratat. Natyrisht, në mënyrë kategorike jo për veprime të dhunshme, pasi violenca është mjeti i fundit në raste ekstreme. Nuk po flas për këtë. Jam duke folur për veprime të thjeshta. Shqiptarët duhet ta ngrenë zërin e tyre. Nuk ka gjë më të fuqishme në historinë e njerëzimit se sa liria. Nëse njerëzit qëndrojnë gojëkyçur, indiferentë për gjëra esenciale do të thotë se janë duke e humbur lirinë. Nëse njerëzit ankohen për mënyrën e qeverisjes dhe thonë se nuk është shumë keq, pasi mund të ishte edhe më keq, por çfarë mund të bëjmë. Njerëzit mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Shqiptarët, si shumë popuj të tjerë, i pëlqejnë konspiracionet. Por konspiracioni më i madh është heshtja.
Në rregull, por këtu kemi një kontradiktë. Vitin e shkuar pamë një video-skandal të përmasave të mëdha, ku përfshihej ish-kryeministri Ilir Meta. Ngjarjet që pasuan ishin gati tragjike, siç ishte 21 janari, ku humbën jetën katër protestues.
Ishte me të vërtetë tragjike.
Më pas, patëm zgjedhjet e 8 majit, ku ish-ministri i Brendshëm, gjatë ngjarjes së 21 janarit, mundi liderin e opozitës dhe ish-kryeministri me partinë e tij morën gati më shumë se 50% të votave në këto zgjedhje. Çfarë po ndodh për mirë apo për keq në demokracinë tonë?
Fillimisht, para se të përgjigjem, ngrihet pyetja: A i fitoi Lulzim Basha me të vërtetë zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Tiranës? Ajo ishte shumë e çuditshme dhe e pajustifikueshme. Ndryshimi i rregullave të lojës, numërimi i votave të hedhura gabim etj., treguan se kjo nuk është rruga mbi të cilën ecën demokracia. Sistemi i gjykatave, në veçanti ai i Kolegjit Zgjedhor u duk i painteresuar për ligjin dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u duk se ndihmoi mazhorancën. Mbetet një pyetje e hapur se kush fitoi në këto zgjedhje. Për sa i përket pyetjes suaj, kjo është pyetja që duhet të drejtojnë shqiptarët që kanë votuar për njërin krah apo tjetrin. Vëzhgimi im është ky: Shqiptarët duket se votojnë për personalitete dhe mendoj se nuk duhet të jetë kështu. Shqiptarët duhet të votojnë për një qeveri efektive. Komentatorët politikë dhe vetë politikanët nuk e shikojnë atë që po ndodh gjerësisht. Shqiptarët e thjeshtë duhet të mendojnë rreth së ardhmes. Qeveria shqiptare merr shumë para nga sistemi i taksave, kredi, ndihma ndërkombëtare, pra merr shumë para. Nëse do të isha shqiptar, do të pyesja çfarë ndodh me këto para? A po përdoren në përmirësimin e jetës sime si qytetar? Është duke ndryshuar sistemi shëndetësor, ai arsimor, strehimi, zonat rurale, transporti, siguria publike…? Nëse nuk ka përmirësim, atëherë çfarë po ndodh me këto para? Pasi nuk janë para të qeverisë, por paratë e popullit.
Gjatë kohës kur ishit diplomat në Shqipëri, a ka pasur ndonjë rast kur kishit ndjesinë që po ndiqeshit, ishit nën survejim apo përgjoheshit nga autoritetet?
Jo. Kurrë nuk e kam pasur një ndjesi të tillë. Jeta ime në Shqipëri ishte tërësisht e hapur. Kudo që kam shkuar përnjëherë jam dalluar dhe njohur nga njerëzit në rrugë. Asgjë s’ka qenë sekrete, s’kisha ç’të fshihja. Nëse dikush ka tentuar të spiunojë për mua, do jetë zhgënjyer pafund. S’ka pasur ndonjë skandal që ata mund të zbulonin apo ndonjë gjë joshëse. Për ata do të ketë qenë një jetë e mërzitshme. Nuk e di nëse pretendimet (për përgjimin e opozitës dhe ambasadorëve)janë të vërteta. Nëse janë të vërteta, atëherë jemi përballë një çështjeje shumë serioze dhe diçka duhet bërë për këtë. Më lejoni të shtoj disa gjëra për të rinjtë shqiptarë. Shumë prej tyre kur më takonin shprehnin dëshirën për gjetjen e një mënyrë për t’u larguar nga Shqipëria, pasi thoshin se për ta nuk kishte të ardhme. Kjo ta thyen zemrën, pasi Shqipëria ka potenciale. Nëse për ta nuk ka të ardhme në Shqipëri, kjo vjen sepse lidershipi nuk është duke zhvilluar këtë potencial. Çfarë më shqetëson lidhet me të gjitha ato veprime që kam parë që i ngjasin një loje të kalkuluar e të avashtë shahu me qëllimin final për përqendrimin e pushtetit në duart e një partie të vetme. Veçanërisht në duart e një personi.
Sipas jush Berisha?
Po, Kryeministri. Ajo çfarë nuk dëgjoj janë njerëzit brenda partisë së tij, ishte vetëm një deputet që foli hapur…
Mark Marku?
Pra, njerëzit brenda PD-së nuk flasin. Kam lexuar një poemë të Migjenit, vijoj të lexoj poezi shqiptare, natyrisht të përkthyera.
Besoj se keni dëgjuar për vdekjen e poetit të madh, Ali Podrimja.
Po, e kam dëgjuar dhe në fakt, kam cituar një prej poezive të tij gjatë një evenimenti për Kosovën. Por kjo poezi e Migjenit, s’më kujtohet titulli tani, ku Migjeni flet për një varfër i cili jetonte me ato çfarë i falnin të tjerët. Lindi diçka brenda vetes së tij për t’iu kundërvënë situatës ku ndodhej. Kur nisi të fliste për jetesën ku ishte, u godit nga një makinë dhe më pas nga dëmtimi i iku të folurit. Uroj që kjo mos të jetë një metaforë për ngjarjet e fundit në Shqipëri. Shpresoj që shqiptarët të ngrenë sirenat e alarmit të komunizmit dhe jo të goditen nga makina e kleptokracisë, që duket se po predominon vendin tani. Është me rëndësi madhore që shqiptarët të hedhin sytë nga e ardhmja, duke thënë se ne duam të jetojmë në një vend ku mund të marrim vendime gjyqësore të drejta, të shprehemi pa pasur frikën më të vogël nga policia apo të tjera forca, zgjedhje të lira, politika që adresojnë nevojat e njerëzve të thjeshtë dhe jo përqendrim pasurie te një pjesë e vogël njerëzish…
Në fakt, kur flisni për demokracinë brenda Partisë Demokratike dhe kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës, zotin Basha, e vetmja gjë që më vjen në mendje lidhet me destinacionin e tij të ardhshëm, atë të drejtimit të PD-së, natyrisht i zgjedhur nga zoti Berisha. Ai është një person i artikuluar mirë, i rafinuar, por ai është i parapërcaktuar e jo i zgjedhur. Njëkohësisht duket se ka edhe pëlqimin e amerikanëve.
Në nivel personal është shumë e lehtë si për të gjithë politikanët shqiptarë, përfshi Kryeministrin apo zotin Rama, zotin Meta, zonjën Topalli, zotin Basha, t’i pëlqesh ata.
Në këtë pikë ju bini në kundërshtim me ambasadorin Arvizu kur vjen puna te zonja Topalli…
Unë jam një qytetar i thjeshtë dhe nuk flas si një ambasador amerikan. Jam i sigurt se ai mund të flasë më mirë se unë. Është e lehtë të pëlqesh të gjithë këta njerëz…
Kur them pëlqej, pra preferohen politikisht…
Mendoj se kemi të bëjmë me një iluzion, pasi amerikanët mbështesin njerëzit në bazë të veprimeve të tyre dhe jo për atë që përfaqësojnë. Në qoftë se çdonjëri prej këtyre politikanëve që përmenda afër Kryeministrit, nëse veprimet e tyre janë kontradiktore me vlerat ndërkombëtare dhe demokracinë, ata jo vetëm që nuk do të jenë të preferuarit, por edhe do të kundërshtohen. Ju garantoj se nuk kemi të bëjmë me çështje personaliteti, por është një çështje e veprimeve që ndërmarrin.
A është Shqipëria ama një nga arsyet e pensionit tuaj, që sipas disa thashethemeve në Shqipëri është i parakohshëm?
Po, deri diku dhe jo në atë sens që është sugjeruar. Dola në pension se kjo kishte kuptim për mua dhe gruan time. Në Departamentin Amerikan të Shtetit ishte shumë e vështirë të gjenim një post ku të shërbenim të dy si diplomatë, në një vend jashtë Amerikës. Kjo sepse në qeverinë amerikane nepotizmi është një diçka që nuk lejohet. Ndoshta në qeveritë e tjera, jo këtë tonën. Vështirësia që kisha gjatë qëndrimit në Shqipëri ishte të qenët larg bashkëshortes. Me ndershmëri po jua them juve, meqenëse ajo nuk është këtu, se nuk jam duke ia bërë qejfin. Nuk ndihem i plotë kur jam pa atë.
Shqipëria luajti rolin e vet, por jo ashtu siç është sugjeruar nga disa, prandaj keni dëgjuar ato thashetheme sikurse edhe ju. Dola në pension për arsyet që ju shpjegova. Doja të kisha shtëpinë time, duke suportuar familjen gjatë kësaj kohe. Erdhi një moment kur për mua dhe Meri Ruth ishte e vështirë të na jepej një detyrë bashkërisht si diplomatë, meqenëse SHBA nuk toleron nepotizmin, paçka se në disa vende kjo nuk përbën ndonjë problem madhor.
Pra, zoti Withers po sugjeroni se një nga arsyet, jo më kryesorja le të themi, që deri-diku shkuat në një pension të parakohshëm, sepse ju donit të flisnit hapur për Shqipërinë?
Mundet ta thoni këtë. Ishte shumë e qartë për mua, pasi lashë Shqipërinë, është një thënie e vjetër “Ju mund të merrni diçka nga një burrë, por jo vetë burrin”. Unë u largova nga Shqipëria, por Shqipëria nuk u largua prej meje…
Zoti Withers, a nuk mendoni se kështu siç flisni, kur vjen puna për Shqipërinë i merrni gjërat pak më shumë sesa duhet personalisht?
Jo. Unë ndiej se Shqipërinë e marr shumë seriozisht. Mendoj se shumë të tjerë jo. Ka shumë stereotipa për Shqipërinë fatkeqësisht. Them se nuk e marr si diçka personale, sepse edhe në këtë intervistë këtu kam folur për të mirat dhe të këqijat. Nuk i shikoj shqiptarët si asnjë gjë tjetër, vetëm si qenie humane. Në Amerikë themi se qeniet humane kanë të drejtën e lirisë dhe të qenët të lumtur. Ndoshta perceptimi në Shqipëri është i ndryshëm. Atyre nuk u duhet një njëri që sjell shpresë të rreme. Ju festoni këtë vit 100 vjet pavarësi. 1912, Vlora, ky flamur, ky burrë dhe të tjerë burra e gra, ju festoni atë. Është për të ardhur keq, është ironike që festoni 100-vjetorin e ëndrrës së këtyre njerëzve, ndërkohë që kjo ëndërr është sabotuar. Këta njerëz luftuan për lirinë dhe nuk luftuan për të pasur një burrë të fuqishëm për të udhëhequr në të shkuarën apo tani. Ata luftuan për lirinë. Unë do t’u drejtohesha shqiptarëve duke u thënë se deklarata jonë e pavarësisë është shkruar gjatë e me delikatesë, ndërsa e juaja u shkrua në pak rreshta me shkrim dore, duke qëndruar si një dokument me fuqi të plotë i shkruar ndonjëherë. Tani është koha për të ringjallur ëndrrën e tyre, nderuar sakrificat e tyre duke nisur së thëni jo, ne nuk do të lejojmë të na merret liria. Ne nuk do të lejojmë që të drejtat tona të përgjysmohen. Ne nuk do të lejojmë zbehjen e demokracisë. Ne të gjithë e dimë se ç’do të thotë të jetuarit në një vend autoritar. Ne nuk do ta kemi atë përsëri dhe ne do të nisim tani.
Duket që politika e jashtme e administratës Obama deri diku ka dështuar në forcimin e institucioneve demokratike në vendet e Europës Lindore, siç edhe ju i përmendët, Hungaria, Rumania, Shqipëria, Gjeorgjia, Ukraina…
Besoj se kjo është një pikëpamje e gabuar. Nga eksperienca ime, administrata Obama është e shqetësuar dhe aktive në këto çështje. Kam qenë shumë i impresionuar me sekretaren Hillary Clinton. Ajo shkon në Rusi dhe përpara Rusisë kritikoi zgjedhjet e atjeshme. Ajo nuk ka frikë. Është absolutisht e pafrikësuar. Ato që ka bërë për të drejtat e grave, të minoriteteve, duke sfiduar e kritikuar, kanë krijuar pakënaqësi tek udhëheqësit a atyre vendeve. Ajo është një shembull i vërtetë.
Po, por ajo u takua me zotin Berisha disa javë përpara zgjedhjes së Presidentit të ri, kur të gjithë kërkonin nga ai të lejonte zgjedhjen konsensuale. Në fakt, ne nuk dëgjuam asnjë fjalë nga zyra e sekretares amerikane të Shtetit për këtë çështje.
Nuk mund të flas për këtë për aq kohë sa nuk kam qenë në ato takime. Por, natyrisht mos harroni se unë kam punuar për zonjën Clinton, të cilën e kam takuar, megjithëse s’mund të them që ajo i mban mend detyrimisht ato takime. Unë i kam shërbyer si ambasador në Shqipëri dhe instruksionet dhe fjalimet e mbajtura ishin sipas direktivave të saj. Unë kam parë edhe ambasadorë të akredituar në vendet që folëm, përfshi Gjeorgjinë, në fjalimet e tyre publike të shprehin gjëra haptas jo në gjuhën e zakonshme diplomatike. Të tilla veprime që shkaktojnë probleme në demokraci për ne janë tejet shqetësuese. Çdo ndihmë nga jashtë nuk mund të ndryshojë situatën në favorin tuaj. Duhet ta bëni për veten tuaj. Gjithmonë ka për t’iu dalë përpara kjo pyetje. Përse Amerika duhet të kujdeset më shumë sa vetë shqiptarët për veten e tyre? Kujdes, po. Por ju duhet të jeni të parët për t’ju kundërvënë zhvillimeve të tilla. Përsëri e thekson se nuk jam duke folur për veprime radikale, pasi jam tërësisht kundra akteve të dhunës. Folët për atë takim. Përse liderë të caktuar shqiptarë nuk i shkruan sekretares së Shtetit ku t’i thoshin se këto janë ndjesitë tona për këtë njeri që ju jeni duke e takuar. Asgjë s’e ndalonte një veprim të tillë. Përse nuk u shkruajnë kongresmenëve, fuqive të botës, gjë të cilën duhet ta ndërmarrin njerëzit me një shpirt. Në të tilla kushte nuk ke çfarë bën më shumë.
Marrë me shkurtime nga “Top Story”
Planet
“Po shkruaj libra, do të shkruaj edhe për Shqipërinë”
Për shumë kohë unë dhe bashkëshortja nuk kishim një shtëpi. Kishim nevojë për pasjen e një shtëpie. Ja ku jemi. Tashmë e kemi një shtëpi pas shumë përpjekjesh. Është e nevojshme të jem pranë familjes, dy vëllezërve të mi që jetojnë në Kolorado dhe nënës time, e cila mbushi 88 vjeçe. Ajo jeton shumë afër meje vetëm 20 minuta larg nëse s’ka trafik. Kam shpenzuar shumë kohë gjatë karrierës, duke qëndruar larg. Tani është koha t’i qëndroj pranë dhe të mësoj prej saj. Mund t’ju them se për moshën që ka po shkon shumë mirë, duke qenë më aktive tani që është 88 vjeçe krahasuar me mua dhe vëllain që jemi te të 60-at. Jemi krenarë për të dhe të qenët djemtë e saj. Të qenët diplomat ishte një pjesë interesante e jetës time. Më duhet të shkruaj, gjë të cilën e kam nisur. Shqipëria nuk është pjesë e librave që do të shkruaj, jo për momentin. Kam disa plane. Fillimisht të përfundoj librin për babanë dhe Holokaustin për t’ia dhuruar nënës, e cila është shumë e lumtur për këtë. Ai është varrosur me nderime në Krematoriumin nacional në Alington. Ne shkojmë shpesh atje për vizitë. Për atë që ai dhe nëna ime bënë për mua, dua që libri i parë të jetë për babanë. Dëshiroj që librin e dytë ta trajtoj në këndvështrimin e një udhëtari duke evidentuar momentet e lumtura që unë kam jetuar. Ndoshta libri i tretë për Shqipërinë.