Ashtu siç edhe pritej, Shqipërisë i është refuzuar statusi i vendit kandidat në BE. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian kanë arritur në konkluzionin se Shqipëria nuk ka bërë aq sa duhet për të marrë këtë status, megjithatë zgjerimi me vende të reja është rikonfirmuar si politike kyçe e BE-së.


Ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou-Marcoullis vend që mban presidencën e Bashkimit Europian, në një konferencë për shtyp të mbajtur gjatë mbrëmjes së sotme ka lexuar edhe konkluzionet e mbledhjes së Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, ku ndërsa përgëzoi Shqipërinë për progresin e bërë, deklaroi se zgjedhjet e ardhshme janë një test kyç për statusin e vendit. Ndërkohë ajo theksoi se BE është në pritje të raportit të Komisionit Europian për progresin e bërë nga Shqipëria.


“Këshilli mirëpriti progresin e bërë nga Shqipëria për të përmbushur prioritetet dhe vuri në pah rekomandimet për t’i dhënë Shqipërisë statusin vendit kandidat dhe vlerëson zgjedhjet parlamentare si test kruçial për funksionimin e institucioneve. Këshilli e fton komisionin për të raportuar sa më parë”, – deklaroi Ministrja e Jashtme e Qipros në konferencë për mediat.


Ndërkohë përmes një mesazhi në Twitter, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, theskoi se dyert e BE janë të hapura për Shqipërinë sapo të realizojë reformat e kërkuara, ndërsa i bëri thirrje klasës politike shqiptare të dialogojnë e të zgjidhin problemet, pa mbajtur peng axhendën e BE


11 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)