Shqipëria pritet të marrë ditën e sotme kryesimin e Këshillit të Europës, ndërkohë që në Strasburg tashmë ka nisur mbledhja e Komiteti të Ministrave të Këshillit të Europës, ku janë të pranishëm ministrat e jashtëm të 47 vendeve anëtare. Zv/kryeministri dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, i cili kryeson delegacionin shqiptar në këtë komision, në cilësinë e tij, si President i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës do të paraqesë prioritetet dhe aktivitetet e kryesisë së parë shqiptare të këtij organi të rëndësishëm politik të Këshillit të Europës.
Ceremonia në të cilën bëhet kalimi i drejtimit të KiE, Shqipërisë, pritet të mbahet në orën 12.00, ku kryediplomatit shqiptar, Edmond Haxhinasto do t’i dorëzohet çelësi për drejtimin e këtij këshilli nga Britania e Madhe, e cila e mban aktualisht. Për herë të parë që nga anëtarësimi në Këshillin e Europës, në 13 korrik 1995, Shqipëria do të marrë kryesinë e Komitetit të Ministrave të organizatës, për periudhën 23 maj -9 nëntor 2012. Nëpërmjet kësaj presidence, Shqipëria do të bëhet zëri i përbashkët i 47 vendeve anëtare, nën moton: “Të bashkuar në diversitet”.
23 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)