Përgatitje
Largohen rojet me uniformë, ndërkohë që hiqet stema zyrtare e institucionit
“Çarmatoset” Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, pa u zyrtarizuar dhe pa u publikuar vendimi i qeverisë shqiptare për ta shndërruar këtë godinë në selinë e ardhshme të Partisë Demokratike. Tashmë në godinën e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura Shqiptare “janë zhdukur” papritur ushtarët që duhet të bëjnë vendroje, ndërkohë që ende është në vendin e vet kabina e rojës.
Porta e hekurit është hequr fare, gjithashtu nuk ekziston tabela metalike që njoftonte se kjo ndërtesë është “Zonë ushtarake” dhe të bën me dije se nuk mund të hyhet kollaj. Në sfond duken disa mjete të rënda që shërbejnë për të gërmuar dheun, dhe siç mësoj, janë fadromat që po përgatisin themelet për xhaminë e madhe, e cila do të ndërtohet në lulishten e Namazgjasë. Në ndërtesën e SHQUP ka shumë pak njerëz, vetëm gazetarët e revistës së FA dhe të gazetës “Ushtria”, të tjerët janë me pushime. Askush nuk di të shpjegojë për vendimin e ri, ndërkohë që mësojmë se organika e punonjësve që punojnë në Qendrën Kulturore të Ushtrisë Shqiptare është e konsiderueshme. Por të gjithë janë në pushime.
Nga ana arkitektonike, godina e SHQUP-it nuk është fare e përshtatshme për një seli partie, siç ka vendosur qeveria që ta shndërrojë në shtabin qendror të opozitës shqiptare. Ka disa salla dhe pak zyra. “Nëse do të kthehet në seli të PD-së, kjo ndërtesë do të duhet të rikonstruktohet nga e para”, thotë një punonjës i godinës që nuk dëshiron të tregojë rolin e tij konkret në këtë seli. “Duhen qindra mijë euro patjetër”, thekson duke thithur një cigare dhe shton se “e kam dëgjuar nga një specialist që do të merret me ndërtimin”. Të mërkurën e kaluar, Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim për ta kaluar godinën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në seli të Partisë Demokratike. Godina ka një oborr të stërmadh dhe përreth disa lokale, shumica e të cilave janë prishur kur u mor vendimi për të ndërtuar pak më tej xhaminë e madhe të Tiranës.
Një anëtar i qeverisë shqiptare deklaroi dy ditë më parë se vendimi për tjetërsimin e pronës së ushtrisë nuk është diskutuar në Këshillin e Ministrave, çka përbën një skandal më vete. Nga ana tjetër, vendimi nuk është publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave. Por nga Ministria e Mbrojtjes nuk ka pasur mohim rreth këtij fakti, që u bë publik nga “Top Channel” ditën e enjte. Ministrja e ardhshme e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila pritet të marrë detyrën në ditët e para të shtatorit, deklaroi në një intervistë për “Top Channel” se qeveria e re do ta zhbëjë menjëherë këtë vendim që ajo e cilësoi të paligjshëm.
Porta
Tashmë nuk ekziston porta qendrore e Shtëpisë së Ushtrisë, së cilës i është hequr dhe stema zyrtare
Ushtarët
Deri para kohë më parë, në selinë e SHQUP-it qëndronin dy ushtarë të paarmatosur që bënin shërbim periodik
Kodheli
Ministrja e ardhshme e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, deklaroi se do ta zhbëjë vendimin e qeverisë për SHQUP-in