Arratisja
Shumica e të arratisurve janë kriminelë me nam, të dënuar me burgim të përjetshëm
Bledi Gilaj
Shtatë të burgosur me rrezikshmëri të lartë, katër prej të cilëve të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje policësh dhe vepra të tjera të rënda, janë arratisur në mënyrë spektakolare nga burgu i Drenovës në Korçë, ndërkohë që policia ka mundur të kapë dhe të rikthejë njërin prej tyre në qeli. Ngjarja që ka tronditur vendin, ka ngritur në këmbë Ministrinë e Brendshme, atë të Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Shërbimin Informativ Shtetëror, duke angazhuar të gjitha forcat në dispozicion të tyre për kapjen e të arratisurve, që përbëjnë rrezikshmëri të lartë për publikun. Gazeta “Shqip” ka zbardhur hap pas hapi të gjithë operacionin policor, që nga mekanizmi i arratisjes së shtatë të dënuarve në orët e pasdites, arrestimi i njërit prej tyre e deri te shoqërimi i punonjësve të burgut të Drenovës dhe dyshimet për bashkëpunim të disa prej punonjësve të personelit me të burgosurit.
Arratisja
Nga të dhënat e para të grupit të punës që është ngritur në Ministrinë e Brendshme, mes këtij institucioni, Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe SHISH për arratisjen e shtatë të burgosurve, është mësuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 teksa të burgosurit, të gjithë të armatosur, kanë hapur zjarr për të mos lejuar afrimin e rojave dhe më pas kanë çarmatosur dhe neutralizuar policët e burgut, duke mundur të arratisen. Pesë minuta para arratisë, në afërsi të burgut është dëgjuar një shpërthim, një veprim që mendohet se është realizuar nga bashkëpunëtorët e të arratisurve, për të tërhequr vëmendjen e policëve. Burimet policore thanë se dyshohet se shpërthimi mund të jetë kryer edhe për të lajmëruar të burgosurit se gjithçka ishte gati. Burimet nga grupi hetimor shprehen se veç shpërthimit janë dëgjuar edhe të shtëna armësh, ndërkohë që të dënuarit kanë marrë një makinë të burgut dhe janë arratisur. Menjëherë pas kësaj, rojat e burgut kanë dhënë alarmin, ndërkohë që policia ka kaluar në një plan operacional për ngritjen e postblloqeve të shumta, me qëllim kapjen e të arratisurve.
Postblloqet
Policia ka dhënë informacionet e para për shtatë të arratisurit nga burgu i Drenovës dhe ka ngritur postblloqe në të gjitha akset rrugore që lidhin këtë zonë me pjesën tjetër të vendit, si dhe me zonën kufitare. Forca të shumta të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s janë nisur në zonën ku mendohet se ndodhen të arratisurit, ndërsa janë informuar dhe vënë në lëvizje edhe policitë e vendeve fqinje, Greqisë dhe Maqedonisë. Pa kaluar shumë minuta, një postbllok policie është përballur me makinën e burgut, me të cilën udhëtonin të arratisurit e armatosur. Burimet policore thanë se përballja ka ndodhur në rrugën Pogradec-Qafë Thanë dhe të arratisurit e kanë thyer atë, duke vazhduar udhëtimin drejt Qafë-Thanës.
Rrezikshmëria
Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bëjnë kujdes, pasi personat e arratisur janë të armatosur dhe shumë të rrezikshëm. Në të njëjtën kohë, MPB u kërkoi të gjithë atyre që mund të kenë informacione lidhur me këta persona dhe vendndodhjen e tyre, që të njoftojnë menjëherë komisariatet e policisë në numrin e telefonit 129.
Itinerari
Në këtë kohë, grupi i punës ka marrë informacion se të arratisurit janë shpërndarë në makina të ndryshme, ku një grup u tha se mund të ishte nisur drejt Tiranës, një tjetër drejt Maqedonisë dhe i treti drejt Greqisë. Në këto kushte, Policia e Shtetit ka informuar dhe vënë në lëvizje edhe policitë e vendeve fqinje, Greqisë dhe Maqedonisë, ku dyshohet se mund të shkojnë të arratisurit.
Grabitja në rrugë
Pa kaluar 30 minuta nga arratisja e të burgosurve, pjesa më e madhe e të cilëve të dënuar me burgim të përjetshëm, është dhënë informacion në polici se ishte vjedhur me armë makina e kryeplakut të një fshati pranë burgut të Drenovës. Të arratisurit i kanë marrë makinën kryeplakut të fshatit Qatrom, Myfit Ustalli. Kryeplaku ka treguar se një person, i cili i ishte dukur fillimisht si punonjës policie, i ka marrë mjetin Mercedes Benz, i zi, me targa KO 0357 B. “Mbrëmja ime ishte shumë normale, unë ndalova se mendova se ishte patrullë policie, ishte një person, nuk më terrorizoi, sepse për momentin kishte shumë makina të tjera të ndaluara. Nuk më drejtoi armën, arma ishte tip automatiku, nuk i kushtova shumë rëndësi sepse mendova se ishte polic. Ai kishte ndaluar një makinë tjetër, të cilët ishin miqtë e mi dhe unë ndalova sepse mendova se ishin personat e policisë. Në makinë isha bashkë me djalin, në momentin që zbrita për të parë se përse makina e miqve të mi kishte ndaluar, personi më tha ‘zbrisni, zbrisni’, mori makinën dhe u largua menjëherë”, ka shpjeguar kryeplaku. Ustalli ka denoncuar rrëmbimin e makinës, pa ditur se kishte të bënte me një prej të arratisurve nga burgu i Drenovës.
Arrestimi i Gorës
Rreth orës 21:30, falë postblloqeve të ngritura nga policia është arritur të kapet një nga të arratisurit. Burimet zyrtare nga MPB-ja deklaruan se Policia e Shtetit ka arritur të kapë të arratisurin Artur Demir Gora, i cili është dënuar në vitin 2003 me burgim të përjetshëm, për “vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai është arrestuar nga policia në aksin Dishnicë–Devoll. “Artur Gora ka qenë duke udhëtuar me një automjet Ford në drejtim të banesës së tij, teksa është ndaluar nga një postbllok i policisë, i ngritur për këtë qëllim. I arratisuri ka pretenduar se automjetin e ka marrë si taksi, por policia ka kryer edhe shoqërimin e drejtuesit të mjetit. Policia e Shtetit vijon aksionet për gjetjen dhe kapjen e gjashtë personave të tjerë, që janë arratisur dje pasdite nga burgu i Drenovës”, deklaroi Ministria e Brendshme. Fotografitë e tyre u janë vënë në dispozicion të gjitha shërbimeve policore në terren dhe në orët e vona të natës janë shpërndarë edhe për publikun.
Personeli i burgut
Pak ditë më parë, të burgosurit e arratisur kishin organizuar edhe një grevë urie, të cilën mendohet se e kanë shfrytëzuar për të përgatitur planin e arratisjes. Burimet nga grupi hetimor bëjnë të ditur se po hetohet për armët që kanë përdorur të arratisurit, nëse ato janë futur në burg në mënyrë të jashtëligjshme, apo ka pasur bashkëpunëtorë në radhët e policisë së burgjeve. Në orët e vona të natës, prokuroria ka urdhëruar shoqërimin e të gjithë personelit të burgut të Drenovës, që ishte në detyrë në momentin e arratisjes, ndërkohë që ata janë zëvendësuar nga kolegët e tyre për ruajtjen dhe sigurinë e ambienteve të burgut. Gjatë natës, stafi i burgut është marrë në pyetje, për të krijuar një ide më të qartë për mënyrën e arratisjes së shtatë të dënuarve, njëri prej të cilëve u kap, ndërsa gjashtë të tjerë vazhdojnë të jenë në kërkim policor.
Hetimet e prokurorisë
Tre prokurorë dhe katër oficerë të policisë gjyqësore kanë shkuar dje në mbrëmje në burgun e Drenovës në Rrethin e Korçës, për të hetuar këtë ngjarje të rëndë. Fillimisht janë këqyrur qelitë ku kanë qëndruar të arratisurit, ndërsa janë marrë deklarimet e gardianëve të burgut. “Tre prokurorët dhe katër oficerët e policisë gjyqësore, të drejtuar nga kryeprokurori i Korçës, Alket Mersini, kanë shkuar dje në mbrëmje në burgun e Drenovës, ku fillimisht është marrë në pyetje drejtori Genci Postoli dhe shefi i policisë së këtij burgu, Behar Bregu. Këta dy persona kanë qenë përgjegjësit për ruajtjen e të dënuarve në qeli, madje organizonin punën. Ata janë marrë në pyetje për orë me radhë, ku kanë shpjeguar edhe rregulloren e burgut, apo edhe për gardianët që kanë pasur turnin”, – pohojnë burimet nga prokuroria. Sipas tyre, ekspertime janë bërë edhe në qelitë ku ndodheshin personat e arratisur, për ndonjë send të futur në qeli, ndërsa vëmendje i është kushtuar edhe takimeve që kanë bërë këta të burgosur me familjarët apo shokët e tyre, pasi ka dyshime se mund të kenë marrë prej tyre armë, apo sende të mprehta. “Kanë nisur hetimet ndaj punonjësve të burgut të Drenovës, për shpërdorim detyre dhe dhënie ndihme për arratisje. Ka dyshime se drejtuesit, apo edhe gardianët, i kanë ndihmuar këta të dënuar që të dalin në mënyrë të paligjshme nga burgu”, – pohojnë burimet nga Prokuroria e Korçës.
Burgu i Drenovës në Korçë
2008
Ishte viti
Kur burgu i Drenovës është inauguruar. Institucioni i Ekzekutimit të Vendimit Penal në Korçë ndodhet në anë të rrugës nacionale Korçë-Ersekë, pranë fshatit Drenovë
4.8
Milionë euro
Ishte investim i Komisionit Europian. Rrjeti inxhinierik është bërë me financim të qeverisë shqiptare ku u alokua një fond prej 21.284.560 lekësh
312
Persona
Është kapaciteti i institucionit që është parashikuar për burgun e Korçës, i cili është i pajisur me ambiente observimi, qendër spitalore, objekte kulti dhe ambiente të tjera edukuese
4
Seksione
Ndodhen në burgun e Drenovës në Korçë, ku sipas një urdhri, është i kategorizuar burg i sigurisë së lartë. Por ka edhe seksione të zakonshme, një paraburgimi dhe një për të mitur
Të arratisurit
Admir Bahri Tafili, 38 vjeç, nga Shkodra, i dënuar me burgim të përjetshëm
Fran Pal Marashi, 35 vjeç, nga Shkodra, i dënuar me burgim të përjetshëm
Gëzim Gjergj Guri, 36 vjeç, nga Shkodra, i dënuar me burgim të përjetshëm
Gëzim Ndue Toma, 31 vjeç, nga Dibra, i dënuar me 12 vite burg
Reis Namik Haxhiraj, 42 vjeç, nga Vlora, i dënuar me 13 vite burg
Eduard Kujtim Lulo, 28 vjeç, nga Përmeti, i dënuar me 25 vite burg
I arrestuar
Artur Demir Gora, 44 vjeç, nga Korça, i dënuar me burgim të përjetshëm
Eduart Lulo
Eduart Kujtim Lulo, 28 vjeç, lindur e banues në Petran të Përmetit, është dënuar me 25 vite burg për “vjedhje me pasojë vdekjen”, “plagosje të lehtë me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai është arrestuar në vitin 2004 dhe është dënuar me vendim të formës së prerë në vitin 2005. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2004, kur Lulo kishte pak ditë që kishte mbushur 18 vjeç. Ai së bashku me Gentjan Dajlanin kishin planifikuar grabitjen në banesën e një të njohuri të tyre. I pandehuri Gentjan Dajlani ishte në klasë me djalin e dytë të familjes Kici Nikolla. Në banesë, dy grabitësit janë përleshur me familjen, kështu që Lulo ka përdorur armën. Nga shkrepjet e automatikut, Eduart Lulo vrau djalin e madh të kësaj familjeje, Paulin Nikollën, vetëm 21 vjeç. I pandehuri ka rrëfyer para gjykatës momentet pas ngjarjes së 8 shkurtit 2004.
Artur Gora
Artur Demir Gora, 44 vjeç, lindur e banues në Pojan të Korçës rezulton i arrestuar në vitin 2000 dhe i dënuar me vendim të formës së prerë në vitin 2001 me burgim të përjetshëm, për “vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Admir Tafili
Admir Tafili, 38 vjeç, lindur e banues në Shkodër, është dënuar me burgim të përjetshëm për plagosjen e ish-shefit të krimeve në Malësinë e Madhe, Prelë Pjetrushi, ngjarje e ndodhur në vitin 2001 dhe për vrasjen e dy vëllezërve të oficerit të policisë, Nikë dhe Gjovalin Pjetrushi, në mars të vitit 2012. Admir Tafili është vëllai i Genc Tafilit, i dënuar me 16 vite burg për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, ngjarje për të cilën ka qenë i dyshuar edhe vetë 38-vjeçari. Admir Tafili ndodhej në burg që nga korriku i vitit 2002, kur policia mundi ta arrestonte atë të plagosur. Por, në mars të vitit 2012, pas një leje të dyshimtë që i dhanë për të dalë nga burgu i Shënkollit në Lezhë, për të cilën u arrestuan dhjetë zyrtarë të këtij burgu, ai u arratis nga shtëpia e tij dhe vrau vëllezërit e ish-shefit të krimeve. Pas vrasjes së dyfishtë në Shkodër, forcat speciale RENEA arritën ta arrestonin në një lokal në Tiranë. Pas arrestimit në muajin prill të vitit 2012, Tafili u dërgua në burgun e Fushë-Krujës, ku është njohur me Fran Marashin. Dy të dënuarit u transferuan në burgun e Drenovës, nga ku dje mundën të arratisen sërish. Shpeshherë, Tafili kishte deklaruar nga burgu se duan t’i vrasin familjen, duke dhënë një paralajmërim për arratisjen e tij. Madje, ai ka pasur disa konflikte dhe ankesa gjatë qëndrimit të tij në burgun e Fushë-Krujës.
Fran Marashi
Fran Marashi, 35 vjeç, lindur e banues në Shkodër është dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Urës Vajgurore, ku ka vrarë katër policë, një qytetar dhe ka plagosur dy efektivë të tjerë. Fran Marashi, që mendohet të jetë organizatori i planit, bashkë me Admir Tafilin dhe Gëzim Gurin, ka mundur të arratiset edhe në vitin 2008 nga burgu i sigurisë së lartë në Burrel. Në atë kohë, së bashku me anëtarin tjetër të bandës së Urës Vajgurore, Prengë Lleshi, ata arritën të largoheshin nga dritarja e magazinës së ushqimeve. Por liria e tyre zgjati veçse dhjetë orë, pasi u arrestuan në një fshat, disa kilometra larg qytetit. Arratisja e tyre u shoqërua me shkarkimin e drejtuesve të burgut dhe personelit të turnit. Marashi i njohur si anëtar i bandës së Urës Vajgurore, është ekstraduar nga Italia në vitin 2006. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e policëve si dhe për krijim, organizim dhe drejtim të organizatës kriminale dhe kryerje të veprave nga organizata kriminale. Këtyre veprave penale i është shtuar edhe largimi nga vendi i dënimit. Ndërkaq, në shtator të vitit 2011, ai tentoi arratisjen e dytë, këtë herë, nga burgu i Fushë-Krujës. Por 33-vjeçari së bashku me tre të dënuar të tjerë po nga Shkodra, mes të cilëve ishte edhe i arratisuri i djeshëm, Gëzim Guri, para dy vitesh nuk ka mundur ta finalizojë planin e arratisjes.
Gëzim Guri
I arratisuri tjetër nga burgu i Drenovës është Gëzim Gjergj Guri, 36 vjeç, lindur e banues në Vaun e Dejës në Shkodër, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në rrethana cilësuese. Ai është akuzuar bashkë me shokun e tij Prel Vuçaj se kanë kryer një vrasje në ambientet e burgut të Burrelit, ku Guri vuante dënimin për një tjetër vepër penale. Ngjarja ka ndodhur më 20 mars të vitit 2002, ku është vrarë 37-vjeçari Fetah Kaçani, i cili ishte i dënuar me 25 vjet burg për një vrasje. Dy të burgosur të këtij burgu, Qemal Hani dhe Gëzim Guri janë grindur me njëri-tjetrin, duke përdorur edhe mjete të forta. Në konflikt ka ndërhyrë edhe Prel Vuçaj. Nga kjo grindje ka mbetur i plagosur Qemal Hani. Viktima Fetah Kaçani mendohet se është futur në mes të tyre për t’i ndarë, por ka gjetur vdekjen. Për këtë arsye, Guri nuk e ka pranuar kurrë akuzën, duke kërkuar deri në Gjykatën e Lartë ndryshimin e akuzës, megjithëse nuk është arritur diçka e tillë. Në vitin 2011, Guri bashkë me Vuçajn dhe të arratisurin e djeshëm Fran Marashi tentuan arratisjen nga burgu i Fushë-Krujës.
Reis Haxhiraj
Reis Namik Haxhiraj, 42 vjeç, nga Selenica e Vlorës rezulton i dënuar me 13 vite burg për pengmarrjen e një polici dhe plagosjen e vëllait të tij, ndërsa kohët e fundit është dënuar edhe për tentativën e vrasjes së punonjësve të policisë gjatë aksionit për arrestimin e tij. Arrestimi i tij është bërë në një operacion në mars të vitit 2011. Reis Haxhiraj e kishte kryer veprën penale në bashkëpunim me dy persona të tjerë, Artur Rrapaj dhe Zini Hoxha, edhe ky i fundit i arrestuar nga policia. Të tre këtë persona, në vitin 1998 në vendin e quajtur Izvor, të armatosur dhe të maskuar kanë rrëmbyer inspektorin e policisë, Yzedin Gucaj, si dhe kanë plagosur vëllain e tij, Dhimitër Gucaj. Por nuk ka qenë normal as arrestimi i tij, sikundër edhe raporti që kishte me drejtësinë, ai iu është kundërpërgjigjur me armë zjarri forcave të policisë, por falë punës së specializuar të tyre, është kapur me armë në dorë. Në cilësinë e provës materiale, efektivat e policisë sekuestruan një armë zjarri tip automatik model 56, kallashnikov, si dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh. Mësohet se i shumëkërkuari Reis Haxhiraj që nga koha kur kishte kryer rrëmbimin e deri në momentin e arrestimit, i fshihej drejtësisë në shtetin fqinj, Greqi.
Gëzim Toma
Gëzim Toma, 31 vjeç, rezulton një ndër të dënuarit e fundit për vrasje me dashje, e cila ka ndodhur këtë vit. Ai është dënuar për vrasjen e Fatos Daxhës, 25 vjeç, në Krastë të Martaneshit. Sipas të dhënave, Toma ka akuzuar fqinjin e tij, Daxha, se i kishte vjedhur drutë e zjarrit që ai kishte sistemuar në oborrin e pallatit. 25-vjeçari Daxha nuk e ka pranuar akuzën dhe i është lutur disa herë fqinjit ta linte të qetë në hallin e tij. Megjithëse reagimi i Daxhës ka qenë mjaft i butë, dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes kanë parë momentet e tmerrit. Gëzim Toma ka lënë sheshin para pallatit dhe është ngjitur në shtëpinë e tij, duke dalë prej andej me një thikë të madhe në dorë. Personat që kanë parë ngjarjen nuk kanë guxuar të ndërhyjnë për të ndalur krimin, pasi sipas tyre Toma ishte shumë i xhindosur dhe i është vërsulur komshiut, duke e goditur me thikë disa herë në trup. Toma kishte pak kohë që ishte transferuar në burgun e Drenovës dhe duket se ishte miqësuar me grupin e shkodranëve, me të cilët ka planifikuar arratisjen.