Kontrata me shqiptarët!
Pushteti politik duhet të kuptojë se kontrata më e rëndësishme e “Top Channel” nuk është ajo për ambientet. Kontrata më e rëndësishme është ajo që “Top Channel” ka me shqiptarët, kontratë që e ka bërë televizionin më të madh dhe më të rëndësishëm në vend. Kontratë, që “Top Channel” është i vendosur që të mos e shkelë kurrë.
Faktet
Beteja disavjeçare e shtetit ndaj “Top Channel”, vendimi i gjykatës dhe mosrespektimi i kontratës
“Top Channel” ka një kontratë qiraje, të vlefshme deri në 2025 dhe i ka paguar të gjitha detyrimet
“Top Channel” respekton të drejtën e ish-pronarëve, por ndërkohë kërkon edhe zbatimin e ligjit
Tre muaj përpara zgjedhjeve, qeveria ka rinisur betejën me median më të madhe në vend, të konsideruar armike për shkak të qëndrimeve realiste dhe kritike, duke kërkuar edhe përmes vendimeve të fundit të gjykatave ta vendosë “Top Channel” në vështirësi dhe pamundësi për të punuar.
Synimi edhe këtë herë ka qenë nxjerrja jashtë nga ambientet e ish-ekspozitës “Shqipëria Sot” dhe mbyllja e programeve kryesore të saj. Dhe kjo përpjekje e radhës ndodh pas vitesh të tëra përpjekjesh të qeverisë, pas presionit politik, pas vënies prej saj nën kontroll të gjyqësorit dhe pas një veprimi të pareshtur me të vetmin synim: ekzekutimin e “Top Channel”.
Rezulton nga të gjitha veprimet se që prej fillimit të këtij aksioni të gjatë politik ndaj kësaj medie, qëllimi i vetëm ka qenë mbyllja ose vënia në kushtet e pamundësisë të “Top Channel”. Ky qëllim është kërkuar vazhdimisht të realizohet përmes të gjitha formave: dëbimit nga ambientet e tij, proceseve gjyqësore, presionit financiar, në mënyrë që televizioni më i ndjekur i shqiptarëve të mos ketë mundësi të ushtrojë aktivitetin, të mos realizojë misionin e informimit dhe të mos ketë mundësi që të kritikojë apo denoncojë fenomenet negative që lidhen me keqqeverisjen.
Prej shumë vitesh “Top Channel”-it i është dashur të përballet me sulme direkte të pushtetit, në mënyrë që televizioni të ndryshojë politikën e tij editoriale, të heqë dorë nga kritika e pasqyrimi realist i ngjarjeve, sepse në të kundërt i është bërë e qartë se ai nuk duhet të ekzistojë. Të gjitha vendimet e marra kanë pasur synim mbylljen e televizionit dhe në rastin tjetër, vendosjen në vështirësi që herët apo vonë të thyenin pavarësinë e tij.
Aktualisht, për shkak të këtij sulmi shumëvjeçar dhe të paprecedentë të qeverisë, disa prej emisioneve më të ndjekura të shqiptarëve në “Top Channel”, si “Portokalli”, “Top Story”, “Top Shoë” “Procesi Sportiv” ose “Dua vendin tim” rrezikojnë të ndërpresin transmetimin. Për këtë ndihmoi së fundi me një vendim edhe gjykata, e cila nën ndikim politik dhe jo vetëm, iu bashkua radhës së vendimeve politike duke vendosur që “Top Channel” të dëbohet nga ambientet e ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”, pavarësisht se ka një kontratë me shtetin shqiptar deri në vitin 2025 dhe pavarësisht se ka paguar rregullisht të gjitha detyrimet financiare ndaj tij.
Përgjatë gjithë historisë gjyqësore, gjykata e të gjitha shkallëve, në mënyrë të hapur apo të fshehur ka treguar se është vasale jo vetëm e interesave politike, por edhe atyre financiare e klienteliste.
Përgjatë këtyre viteve përballje ligjore, “Top Channel” ka zbuluar, prekur dhe ndier vetë jo vetëm presionin direkt politik të qeverisë, por edhe korrupsionin në sistemin e drejtësisë, i cili përveçse është vënë në shërbim të politikës, është vënë edhe në shërbim të interesave të ngushta financiare, një fenomen i njohur dhe që çdo qytetar e ka ndier dhe paguar vetë në kurriz të tij, e për të cilin çdokush nga ne nuk ka më asnjë dyshim. Për këto arsye gjithë këto vite, shqiptarët e kanë renditur në të gjithë sondazhet dhe vrojtimet këtë sistem gjyqësor si më të korruptuarin nga të gjitha hallkat e shoqërisë.
Prej katër vitesh “Top Channel” ka kërkuar pikërisht nga ky gjyqësor të bëjë drejtësi për çështjen e ish-ekspozitës, kur ministri i Ekonomisë i asaj kohe, Genc Ruli, vendosi pa asnjë paralajmërim, në mënyrë të dyshimtë dhe në ditën e fundit të tij si ministër për të ndërprerë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe të menjëhershme me “Top Channel” dhe për t’i dhënë udhë sulmit të radhës ndaj “Top Channel”-it me synim eliminimin e televizionit. Në letrën e beftë që i dërgoi atë kohë “Top Channel”-it, ministri Ruli i referohej ligjit për zgjidhjen e njëanshme të kontratës, por nuk thoshte asgjë për kushtet ligjore të kontratës mes Ministrisë dhe shoqërisë “Top Channel”, e cila kishte vlerë ligjore deri në vitin 2025. “Top Channel” i është përmbajtur jo vetëm me rigorozitet, por ka tejkaluar me disa herë kushtet e kontratës, duke e kthyer godinën e vjetër të ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”, në ekspozitën e kulturës dhe artit të së ardhmes. Ky vendim i ministrit Ruli u padit në gjykatë nga “Top Channel”.
“Top Channel” deklaron se respekton të drejtën e ish-pronarëve për të marrë pronën e tyre dhe ka qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të tyre. Por ndërkohë, “Top Channel” kërkonte edhe zbatimin e ligjit nga ana e qeverisë, siç është në rastin e kontratës që “Top Channel” kishte nënshkruar me qeverinë për objektet ku ushtron një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së tij dhe ku ka kryer investime në disa milionë euro.
Por në asnjë rast asnjë argument kontraktual dhe ligjor nuk është respektuar nga kjo qeveri, e cila vazhdimisht u investua dhe u angazhua në beteja të paprecedenta kundër një medie. Këto sulme të njëpasnjëshme do të ndaleshin vetëm nëse “Top Channel” do të vihej nën kontroll si çdo institucion tjetër në vend. Nëse do të ndodhte kjo, “Top Channel” mund të fitonte disa ambiente, mund të fitonte edhe financime direkte nga qeveria, por do të humbiste shumë më tepër. Pushteti politik duhet të kuptojë se kontrata më e rëndësishme e “Top Channel” nuk është ajo për ambientet. Kontrata më e rëndësishme është ajo që “Top Channel” ka me shqiptarët, kontratë që e ka bërë televizionin më të madh dhe më të rëndësishëm në vend. Kontratë, që “Top Channel” është i vendosur që të mos e shkelë kurrë.
Emisionet & spektaklet
Disa prej emisioneve më të ndjekura të shqiptarëve në “Top Channel”, si “Portokalli”, “Top Story”, “Top Show”, “Procesi Sportiv” apo “Dua vendin tim” rrezikojnë të ndërpresin transmetimin