Qeveria miraton një vendim që u jep të drejtën e blerjes subjekteve me kontratë
Fatjona Mejdini
Këshilli i Ministrave mori dje vendimin për të privatizuar pronat shtetërore, të cilat janë dhënë me qira dhe kanë një sipërfaqe të konsiderueshme prej 500 m². Vendimi i djeshëm i qeverisë vjen si rezultat i disa ndryshimeve dhe shtesave të bëra në vendimin “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet, dhe për procedurën e shitjes”. Kushti kryesor për kalimin në pronësi të kësaj prone shtetërore, është investimi mbi 150% të vlerës së truallit dhe ai i shlyerjes së të gjitha detyrimeve që subjektet që janë me qira në këto troje mund të kenë ndaj shtetit. “Pasuritë shtetërore, të dhëna me kontratë qiraje ose enfiteoze, me sipërfaqe mbi 500 (pesëqind) m², i shiten në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, kontraktuesit, në rast se vlera e investimit të kryer prej tij është mbi 150% e vlerës së truallit, si dhe kur subjekti nuk ka detyrime ndaj shtetit. Me plotësimin e këtij kushti, ministri përgjegjës për ekonominë urdhëron vazhdimin e procedurave për privatizimin e objektit, sipas përcaktimeve të këtij vendimi”, theksohet në vendimin, i cili pritet të hyjë në fuqi pasi nuk kalon për shqyrtime të tjera dhe miratim në Parlament. Në këtë vendim theksohet gjithashtu, se në rastet kur objekti ka pronarë trualli, vlera e truallit, sipas përcaktimeve të bëra në dosjen e privatizimit, i kalon pronarit për kompensim. Procesi i privatizimit gjithashtu pritet të vendoset dhe në rastin kur kontrata e qirasë është ende në vazhdim dhe nuk ka përfunduar mes shtetit dhe një subjekti të caktuar. “Kur ministri përgjegjës për Ekonominë urdhëron përfshirjen në procedurë privatizimi të ndërmarrjes, shoqërisë dhe institucionit që ka dhënë mjedise me qira ose enfiteozë, me sipërfaqe mbi 500 (pesëqind) m², apo urdhëron përfshirjen në procedurë privatizimi të objektit të dhënë me qira, mbi 500 (pesëqind) m², përpara përfundimit të kontratës së qirasë, në publikimin për shitjen e tyre njoftohet ekzistenca e kontratave të qirasë ose enfiteozës, të lidhura në këtë objekt. Blerësi është i detyruar të respektojë kushtet e kontratës deri në përfundimin e afatit të saj”, theksohet në vendim e qeverisë. Për realizimin e tij ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Financave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, prefekti i qarkut dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Dy ditë më parë, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se në momentin që qeveria socialiste do të vinte në pushtet të gjitha pronat shtetërore të kaluara për privatizim do të verifikoheshin, pasi PS kishte gjetur parregullsi të mëdha për një pjesë të tyre. “Do të bëjmë transparencë për kthimin dhe kompensimin e pronave. Sot ka pronarë që janë shfaqur me dhëmbët e pushtetit për të marrë një copë këtu dhe një copë atje, duke u fshehur pas kostumit të ministrit. Të gjitha këto do të shikohen me kujdes. Ne jemi kthyer në kohën e latifondistëve, duke sjellë pasurimin e një klase dhe varfëri të skajshme te pjesa dërrmuese e popullsisë”, deklaroi Rama dy ditë më parë.