Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është paraqitur sot në mëngjes në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë deklarime mbi hetimet për çështjen e Emiljano Shullazit, në lidhje me ngjarjen e kërcënimit të rektorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule, në prill 2016.


Tahiri është thirrur për të dhënë shpjegime pak ditë pas marrjes në pyetje të drejtorit të Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj.


Në një prononcim për mediat pas dëshmisë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u shpreh se u paraqit për të treguar edhe këtu detyrën që ka bërë, duke shtuar se e sheh këtë si vazhdim të kontributit të tij për të bërë shtet dhe drejtësi në këtë vend.


“Unë iu përgjigja pozitivisht ftesës së prokurorisë së Krimeve të Rënda për të treguar edhe këtu detyrën që kam bërë dhe më vjen mire që jam ftuar të dëshmoj për detyrën time edhe me këtë rast, ku të dy profesorët deklaruan që janë kërcënuar. Këtë paraqitje e shoh si vazhdim të kontributit tim për të bërë shtet dhe drejtësi në këtë vend. Nuk do lejojmë që ca të jenë qytetarë të dorës së parë e ca të dorës së dytë. Ndaj duhet reforma në drejtësi, pasi i jep zgjidhje përpjekjes së shqiptarëve për të pasur një drejtësi të pastër”, tha Tahiri.


Dyshohet se dy akademikët janë kërcënuar nga ana e Emiljano Shullazit dhe grupit të tij në kulmin e zgjedhjeve për në universitete.


Prokuroria kontaktoi me ish-ministrin në telefon dy herë duke e ftuar të paraqitet në cilësinë e deklaruesit. Por Tahiri kërkoi që thirrja t’i bëhej me shkrim dhe për këtë arsye, organi i akuzës ia dërgoi me dokument fletëthirrjen ish-ministrit.


24 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)