Policisë së Shtetit iu desh rreth 1 vit kërkimesh që të bënte të mundur arrestimin e vëllezërve Çala, të cilët kërkoheshin nga policia për grabitjen e 4.6 milionë eurove në prillin e kaluar n Rinas.
Ata kërkohen sepse akuzohen për ngjarjen e ndodhur më 9 prill të vitit 2019, kur një grup personash arritën që të marrin sasinë e parave të transportuara me blinda nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri jashtë shtetit nëpërmjet Rinasit.
Gjatë ngjarjes pati një shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe grabitësve, nga ku humbi jetën njëri prej këtyre të fundit, Admir Murataj.
Ky i fundit ishte mjaft i afërt me Klement Çalën, ndërsa dyshohet se së bashku grabitën blindat po 2 vite më parë afër Rinasit.
Pas ngjarjes policia vuri në pranga kosovarin Ragio Hajdinin, Elton Piklin, Renaldo Sulajn, Oltion Veselin, Saimir Çelën, Alkond Bengasin dhe Hasan Kanaçin.
Më pas hetimet u shtrinë në Elbasan aty ku u zbulua se furgoni me nënshkrimin hetimi tatimor fals ishte modifikuar në një servis të këtij qyteti.
Në kërkim u shpallën pikërisht vëllezërit Klement dhe Eldi Çala të cilët u arrestuan sot .