Ligji i pastërtisë


DSIK-ja, institucioni që fut në sitë lidhjet e shtetarëve


BLEDAR HOTI


Visho Ajazi ne KuvendTë gjithë zyrtarët e shtetit, që përfshihen në detyra të rëndësishme në të cilën u kërkohet të mbajnë, të transportojnë informacione të cilësuara si sekrete shtetërore, duhet të pajisjen me certifikatën e sigurisë. Ky dokument tepër i rëndësishëm lëshohet nga një institucion i specializuar, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Pikërisht kjo strukturë e posaçme në varësi të Këshillit të Ministrave, fut në sitë të gjithë zyrtarët e lartë, apo të cilët u duhet të merren me çështje të sigurisë apo që qarkullojnë materiale të cilësuara si top sekret. E gjithë procedura e ndjekur quhet me emrin “vetting”, çka nënkupton një pritje për pastërtinë e figurës së zyrtarëve.


Formulari


DSIK-ja, e cila tashmë operon dhe si një strukturë e posaçme, është Autoritet i Sigurimit Kombëtar në marrëdhënie me NATO-n, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe vendet e huaja. Zyrtarëve apo nëpunësve që i duhet t’i nënshtrohen kësaj procedure i jepet një formular i posaçëm, me rreth 30 faqe, ku i kërkohet që të japin të dhëna të hollësishme si: emër, mbiemër, lidhjet familjare, numër telefoni, numër llogarie bankare, adresa e banimit. Gjithashtu kërkohet të dihet dhe për rrethin shoqëror që personi kërkon të punësohet. Ky proces pas dorëzimit të formularit zakonisht kërkon një procedurë që mund të zgjasë deri në 3 muaj gjithsej. Më pas të gjitha këto të dhëna i dërgohen SHISH apo agjencive të tjera të zbulimit që operojnë në vendin tonë. Këto struktura më pas ndjekin nga afër dhe kontrollojnë të dhëna apo lidhjet e “dyshimta” që mund të kenë zyrtari që pritet të emërohet në detyrë. Për dhënien e certifikatës së sigurisë mësohet se janë tri shkallë vlerësimi, ku e treta lidhet me marrjen në zotërim të dokumenteve të superklasifikuara. Sipas informacioneve, kreu i Shërbimit Sekret Shqiptar, për nga rëndësia e postit duhet të pajiset me të tre llojet e certifikatave të sigurisë. E njëjta procedurë mësohet se ndiqet dhe për rastin e kabinetit qeveritar, pra ministrave. Ligji thotë se, pas përfundimit të afatit për vlefshmërinë e këtij dokumenti, që u lejon akses për t’u njohur me informacione të klasifikuara të sigurisë kombëtare, ndiqet e njëjta procedurë si edhe herën e parë, përcaktohen gjithashtu edhe kriteret se çfarë duhet të plotësojë kërkuesi. Por neni 3 i këtij ligji thotë gjithashtu se, certifikata e sigurisë lëshohet në bazë të përshtatshmërisë me detyrën dhe besnikërinë ndaj vendit, ndikimit të jashtëm dhe kërkesave të tjera siç janë: sjellja personale, qëndrimi ndaj sigurisë kombëtare dhe rendi publik, apo edhe qëndrimi ndaj informacionit të klasifikuar. DSIK-ja ka një rol të caktuar në këtë proces, ku duhet të fusë në sitë dhe të pajisë me certifikata sigurie të gjithë zyrtarët, të cilët shërbejnë si brenda dhe jashtë vendit. Ky institucion vepron mbi bazën e ligjit “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”. Sipas nenit 3 të ligjit “Sekreti shtetëror, në bazë të përmbajtjes, të vlerave dhe interesit shtetëror klasifikohet në njërin nga tri nivelet e mëposhtme: a) “Tepër sekret”, kur ekspozimi i paautorizuar mund t’i shkaktojë dëme veçanërisht të rënda sigurisë kombëtare. b) “Sekret”, kur ekspozimi i paautorizuar mund t’i shkaktojë dëme serioze sigurisë     kombëtare. c) “Konfidencial”, kur ekspozimi i paautorizuar mund t’i shkaktojë dëme sigurisë kombëtare. Për përcaktimin e sekretit shtetëror nuk do të përdoret asnjë term tjetër. Rregullat e procesit të klasifikimit të sekretit shtetëror, si dhe të delegimit të autoritetit klasifikues, përcaktohen me akte nënligjore të Këshillit të Ministrave”.


 


Procedura


DSIK – Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar lëshon certifikatat e sigurisë për të gjithë zyrtarët e shtetit shqiptar


Formulari – Zyrtarit i kërkohet që të plotësojë një formular ku të përshkruajë me hollësi të dhënat personale dhe lidhjet familjare apo shoqërore


Kooperimi – Verifikimi i të dhënave më pas realizohet me një bashkëpunim mes DSIK-së dhe strukturave të posaçme sekrete si SHISH apo dhe AIM


 


Neni


Detyra e drejtorit të DSIK


Për të organizuar, drejtuar e kontrolluar masat për ruajtjen, klasifikimin dhe administrimin e informacionit të klasifikuar krijohet Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) pranë Këshillit të Ministrave.


Drejtori i saj emërohet nga Kryeministri.


DSIK-ja ka këto detyra:


1. Harton politika, programe e procedura për sigurimin e informacionit të klasifikuar dhe kontrollon zbatimin e tyre prej institucioneve. U rekomandon drejtuesve të institucioneve marrjen e masave të     shpejta dhe të përshtatshme për korrigjimin e shkeljeve të vërejtura.


2. Mbikëqyr rregullat e sigurimit fizik, ushtarak dhe elektronik të informacionit të klasifikuar, si dhe të anës teknike të marrjes, përpunimit, administrimit dhe arkivimit të tyre.


3. Harton procedura për parimet e klasifikimit dhe të shenjëzimit, trajnimit dhe edukimit profesional dhe harton udhëzime për klasifikimin e deklasifikimin. Kryen rishikimin e programeve të secilit institucion, kërkon raporte nga këto institucione dhe bashkëpunon për përmbushjen e përgjegjësive.


4. Bën certifikimin e personelit, i cili do të administrojë informacionin e klasifikuar.


5. Informon të paktën një herë në gjashtë muaj Kryeministrin për çështjet e mësipërme.


6. I propozon Këshillit të Ministrave akte nënligjore për çështjet që lidhen me ruajtjen e informacionit të klasifikuar.


7. Shqyrton kërkesa për autoritetet klasifikuese nga institucione që nuk e kanë atë, dhe nëse është e përshtatshme, ia propozon për miratim Kryeministrit.


Organizimi dhe struktura e DSIK-së rregullohet me akte nënligjore.