Grupi parlamentar i PS-së, përmes një letre drejtuar kryeministrit Berisha, përsërit kërkesën për interpelancë lidhur me zbatimin e marrëveshjeve koncesionare për shfrytëzimin e kromit në Bulqizë dhe problemet e shumta që lidhen me këtë çështje.


“Grupi Parlamentar i PS ju ka kërkuar të paraqiteni 2 herë në interpelancë urgjente për çështjen e Bulqizës. Me kërkesën e Dt. 07.05.2012 dhe kërkesën tjetër Dt. 10.07.2012, kemi kërkuar që Ju si Kryeministër i vendit, të jepni shpjegime para parlamentit rreth punës tuaj për të ndalur rrethanat kriminale dhe pasojat tragjike me minatorët dhe mineralin. Gjithashtu, me kërkesën e Dt. 09.07. 2012 i kemi kërkuar informacion Ministrit të Qeverisë Suaj për Ekonominë, Tregtinë dhe Energjetikën lidhur me pagesën ose jo të detyrimeve të ACR ndaj shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për detyrimet e papaguara që ministri i atëhershëm, Genc Ruli i shtyu me një kontratë nën tavolinë dhe një justifikim banal sipas të cilit parlamenti ishte mbyllur”, – theksohet në letër.


Më tej, nënkryetari i grupit të PS-së, Sajmir Tahiri, në letrën e shkruar në emër të PS, thekson se heshtja e kryeministrit ndaj situatës në Bulqizë nuk mund të ketë shpjegim tjetër veç kapjes së shtetit, korrupsionit dhe nënshtrimit ndaj karteleve mafioze që kanë zaptuar Bulqizën.


“Z. Kryeministër, heshtja Juaj ndaj situatës në Bulqizë nuk mund të ketë shpjegim tjetër veç kapjes së shtetit, korrupsionit dhe nënshtrimit ndaj karteleve mafioze që kanë zaptuar Bulqizën. Por njëkohësisht, heshtja Juaj është edhe simbol i injorimit të shtetit ligjor, parlamentarizmit dhe detyrimit Tuaj kushtetues për të dhënë llogari para deputetëve”, – lexohet në letrën e grupit parlamentar të PS.


Reagimi i Partisë Socialiste merr shkas nga ngjarja e djeshme në të cilën humbi jetën një minator në galerinë e minierës në Martanesh për t’i kujtuar kryeministrit kushtet makabre në të cilat punojnë minatorët.


“Inventari makabër i minatorëve që trajtohen si skllevër dhe i minierave që janë kthyer në kampe përqendrimi të kohëve moderne, do bënte të dridhej e të kërcente nga karrigia, dhe njeriun më të pashpirt, jo më Kryeministrin e vendit”, shkruhet më tej në letrën e PS.


31 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)