Maskat në SHBA nuk janë të detyrueshme, por po të duan, le t`i mbajnë tha Trump. Presidenti amerikan u shpreh se sapo kishte bërë një nga testet që nxjerrin rezultatin për koronavirusin brenda pak minutash dhe se rezultati ishte negativ.
Deborah Birx, anëtare e Grupit Punues për luftimin e koronavirusit, i emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump tha se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) do të shtonin në ditët e ardhshme një rekomandim për vendosjen e maskave në udhëzimet për masat mbrojtëse.
Por, ajo shtoi se të gjithë amerikanët, të cilëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi, nuk duhet të krijojnë një “ndenjë të rreme të sigurisë” se ata do të mbrohen plotësisht nga sëmundja duke vendosur maskat.
Numri i të vdekurve në SHBA u rrit me 1.000 gjatë një dite të vetme, shifër kjo që nuk ishte shënuar më herët. Tani, bilanci i viktimave atje shënon 5,887, ndërsa infektimet janë 243,000.
Teksa ekonomia amerikane po vazhdon të ndjejë pasojat e krizës së koronavirusit, seanca e sotme informuese në Shtëpinë e Bardhë u përqëndrua fillimisht tek masat për të mbështetur financiarisht amerikanët dhe ekonominë e vendit.
Sekretari i Thesarit Mnuchin iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për vonesat në disbursimin e fondeve të asistencës për çdo amerikan, apo për sistemin bankar që do të mundësojë transferimin e fondeve tek kompanitë private. Sipas Sekretarit Mnuchin, pikësynimi është që fondet të mbërrijnë në destinacion gjatë javëve në vazhdim.