PanaritiMinistri i Jashtëm, Edmond Panariti, e ka justifikuar skandalin financiar në ambasadën shqiptare në Uashington me kufizimet në buxhetin e shtetit. Sipas tij kriza ekonomike ka detyruar dhe vende të tjera të mbyllin përfaqësitë diplomatike. Ndonëse nuk ka shume hollësi për mënyrën se si do të zgjidhen problemet financiare të përfaqësisë më të rëndësishme diplomatike të shtetit shqiptar, Panariti premtoi se ambasada në Uashington do të funksionojë normalisht.


“Më lejoni t’ju garantoj se shumë vende po mbyllin përfaqësitë diplomatike për shkak edhe të krizës. Më lejoni t’ju garantoj se ministria do garantojë funksionimin normal të ambasadave natyrisht duke pasur më përparësi qendrat kryesore si SHBA dhe Bruksel. Nuk ka nevojë për panik. Shqetësimet për probleme në buxhet i kam bërë të ditura dhe kam pasur mbështetjen e dy kaheve politike. Problem i kërkon zgjidhje ndërinstitucionale, problemi është transparent. Jemi të hapur dhe nuk kemi gjë për të fshehur”, tha Panariti për mediat pas takimit me homologun malazez, Igor Luksic.


Pak ditë më parë  “Top Channel” publikoi një letër të ambasadorit shqiptar në Uashington, Gilbert Galanxhi, drejtuar Ministrisë së Jashtme shqiptare, ku herë me ironi e herë me dhimbje tregohet një situatë dramatike në ambasadën që persupozohet të jetë më e rëndësishmja për shtetin shqiptar. Në letër theksohet se në fondin e vitit 2013 që qeveria ka miratuar për këtë ambasadë, parashikohet që për nëntë muaj kjo ambasadë i duhet t’ia dali vetëm me 12 dollarë.


11 mars 2013 (gazeta-Shqip.com)