Vejsiu: Si do të justifikohet MAS para të rinjve që do të zbulojnë se maturantët me më pak pikë se ata janë fitues në degën e tyre më të preferuar?


Dështon Matura 2016. Mos renditja e degëve sipas preferencave ndëshkon rëndë kandidatët për student


Shpresa Mezini

rezultatet-e-matur-euml-s-dalin-t-euml-m-euml-rkur-euml-n_hdOponenca për ndryshimet në procesin e Maturës Shtetërore të këtij viti, 2015-2016, ka qenë e vazhdueshme nga ana e specialistëve të arsimit. Në disa raste edhe nga vetë maturantët, që kërkonin shpjegimet që nuk u dhanë kurrë. Nuk kanë munguar kritikat e ashpra për të ashtuquajturat risi, për të cilat nuk pati informacion të mjaftueshëm në ndihmë të kandidatëve të rinj për student, që sot po përballen me një drejtim që nuk e kanë zgjedhur vetë, duke u “salduar” në degë që nuk përfaqësojnë të ardhmen e tyre. Gjithçka ndodh vetëm nën “hyqmit” të MAS, kreu i të cilës as nuk ka pranuar kritika dhe as është ulur ndonjëherë përballë mendimeve kundër, disa prej të cilave të shoqëruara edhe me argumente bindëse që do të parandalonin një dëm të madh që po i bëhet maturantëve, të cilët të paorjentuar, por edhe si pasojë e përjashtimit nga e drejta për të renditur preferencat bënë zgjedhjet e gabuara. Kjo është arsyeja pse sot një numër i konsiderueshëm të rinjsh do të nisin rrugëtimin e dijes pa dëshirë dhe me pengje për një vendim të diktuar nga MAS, pa dijeninë e tyre.


Ndryshe nga përvojat e mëparshme të Maturës Shtetërore, udhëzimi nr. 13 i MAS për “Procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional si dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, me kohë të plotë në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2016-2017” përjashton maturantët nga e drejta për tu regjistruar dhe çregjistruar në një tjetër degë, që për ta është më preferenciale, pas shpalljes së vendeve vakante. “Të gjithë kandidatët shtetas të huaj, të cilët kanë kryer procesin e aplikimit online dhe janë shpallur fitues, duhet të paraqiten në sekretaritë mësimore të IAL-ve dhe të regjistrohen me dokumentacion në programin e studimit përkatës. Regjistrimi nga sekretaritë do të kryhet brenda datave 15-20 shtator 2016. Kandidati shtetas i huaj që është shpallur fitues në më shumë se një program studimi lejohet të regjistrohet me dokumentacion vetëm në njërin nga programet e studimit ku është fitues”.


Regjistrim ky që sipas udhëzimit është përfundimtar, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një degë jo shumë të pëlqyer nga ana e maturantit, i cili më vonë me shpalljen e vendeve bosh, referuar rendit, mund të ngjitej më lart në “klasifikim” duke u shpallur fitues në një degë më të preferuar prej tij. Jo! Kjo e drejtë u është mohuar maturantëve pasi regjistrimi në fazën e parë sipas MAS tanimë është përfundimtar, pa të drejtë rizgjedhje. Vendim që nga njëra anë u heq të drejtën kandidatëve të zgjedhin degën që duan, ndërsa nga ana tjetër u jep të drejtën një grupi maturantësh që edhe pse me më pak pikë se të parët listohen në degë më të mira.


“Ky është skandali! Nëse një maturant nuk është shpallur fitues në më të preferuarin drejtim studimi, regjistrohet në atë që ai arriti. Kur plotësohen vendet bosh (pas datës 20 shtator) do të shikojë që një numër i konsiderueshëm maturantësh, që ishin renditur pas tij në listën përfundimtare janë shpallur fitues në preferencën e tij të dëshiruar. A nuk është për të ardhur keq? Mbase dikujt duhet ti vijë turp! Si duhet të veprojnë maturantët që nuk janë shpallur fitues në më të dëshiruarën preferencë? Të regjistrohen? Mbase u ndodh siç thashë më lart, fitojnë ato që kanë pikë më pak se sa ai. Po sikur të mos regjistrohen? Mbase u ndodh që të mos e arrijnë dot të preferuarën e madhe dhe për pasojë do të mbeten me gisht në gojë. Përse nuk e menduan këtë situatë specialistët apo ata që hartuan udhëzimin 13, që nuk duhej quajtur udhëzim, pasi e ka ngatërruar më shumë situatën?”, shprehet për gazetën “Shqip”, ish-drejtori i Arsimit Parauniversitar në MAS, Fatmir Vejsiu.


Si njohës i mirë i këtij procesi që nga aplikimi i parë i procesit të Maturës në vitin 2006, por edhe si një nga të paktët kritikë në këtë drejtim, ai ngre pyetjen se çfarë të keqe do të kishte nëse preferencat do të renditeshin si më parë dhe fituesit do të shpalleshin me formulën që e përdori AKP më së miri për 10 vjet, që deri vjet rezultoi e suksesshme? “Mirë u ndryshuan formulat e llogaritjes së pikëve edhe pse të renë e mësuan vetëm pasi u shpallën rezultatet, po përse nuk u ruajt metodologjia e shpalljes së fituesve?! Si do të justifikohet MAS para maturantëve që do të evidentojnë që një apo më shumë maturantë me më pak pikë se ata janë shpallur fitues në degën e tyre më të preferuar? Si do të justifikohen senatet edhe vetë MAS për mos angazhim, që maturantët në disa drejtime kanë humbur deri në 25% të pikëve për faktin që nuk kishin zhvilluar disa lëndë me zgjedhje? Si do të justifikohen senatet për faktin që nuk dinë që lëndët Arte dhe Histori Arti janë ekuivalente? A ka mundësi të rregullohet një dëm i tillë?”, thotë për “Shqip” ish-drejtori i Arsimit Parauniversitar në MAS.


Vejsiu thekson se nga ky proces i ndryshuar “kuturu” kemi 3 grupe maturantësh: Ata që kanë fituar degën më të preferuar; Ata që kanë fituar 1 ose disa nga 10 preferencat dhe ata që s’kanë fituar fare. “Grupi i tretë është m i privilegjuar se grupi i dytë pasi mund të kalojë në renditje një maturant të grupit të dytë, që për hir të udhëzimit është i detyruar të regjistrohet duke mos pasur mundësi të çregjistrohet për të plotësuar 1 vend bosh në degët e tij të preferuara.