Shalsi: Janë dhënë 4.8 milionë USD. Basha, rekordmen
BLEDAR HOTI
Partia Socialiste publikon skandalet e qeverisë për reklamat shtetërore, ku të favorizuara janë mediat televizive pro saj. Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, ka publikuar dje disa dokumente, ku bëhen të ditura shifrat marramendëse të lëshuara ndër vite, të cilat në total shkojnë deri në 4.8 milionë dollarë amerikanë për 6 vitet e qeverisjes së PD-së. “Sot, ne do të bëjmë publike shpenzimet e reklamave të disa ministrive, për t’u dhënë mundësi shqiptarëve të shohin sesi shpenzohen dhe ku shkojnë paratë e tyre. Në mënyrë që të kuptojnë akoma dhe më mirë sesi shpërdorohen paratë e tyre. Do ta fillojmë sot me Ministrinë e Brendshme, e cila në vitin 2006, e sapoardhur në pushtet, shpenzoi 7500 dollarë për reklamë. Një vit më pas, shifra u rrit në 100 mijë dollarë. Në vitin 2008, shifra përsëri dyfishohet, 219 mijë dollarë. Për të arritur te viti 2009, me 765 mijë dollarë. Kulmi arriti në vitin 2010, një shifër e paimagjinueshme, ndërkohë që Lulzim Basha drejtonte këtë ministri. Afërsisht 2 milionë dollarë ka shpenzuar ministria e Lulzim Bashës për llogari të Sali Berishës. Shuma ekzakte 1 930 000 dollarë, duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Një vit më pas, në vitin 2011, 1 milion dollarë për reklamë dhe propagandë qeveritare. Në vitin 2012, në 5-mujorin e parë, shifra kap 714 000 mijë dollarë”, tha Shalsi në konferencën për shtyp.
Nënkryetari i grupit të PS-së, Shalsi, ka bërë të ditur dhe firmat që kanë përfituar këto fonde. “Këto janë shpenzimet marramendëse, mbi 4 milionë euro, për të propaganduar qeverisjen e saj. Pra, Sali Berisha shpenzon miliona dollarë për të reklamuar veten e tij. Ajo që bie në sy është një kompani e pranishme në të gjithë këto vite, quhet ‘Promo shpk’. Nuk bëhet fjalë për reklama informuese, por për propagandë të pastër politike dhe e shitur te klientela e drejtpërdrejtë mediatike e Kryeministrit. Pra, nga njëra anë kemi dhjetëra, qindra, miliona euro të shpenzuara në reklama dhe, nga ana tjetër, janë të njohura kushtet e vështira të punës, pagat e ulëta të punonjësve të Policisë së Shtetit. Është një tjetër fakt i njohur, mospagesa e orëve të punës shtesë për qindra punonjës të policisë, mungesa e karburantit për makinat e policisë dhe gjithkush sjell në vëmendje pamjet e shëmtuara, ku policët ishin të detyruar që të shtynin makinat. Pse? Se nuk kishin naftë, për të vazhduar me mungesën e pranuar tashmë të logjistikës adekuate. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë së Sali Berishës, të cilën shqiptarët e dinë, por që ne do t’ua bëjmë edhe më të kuptueshme dhe më të qartë përditë”, theksoi Shalsi. Në dokumentet e ofruara nga PS-ja, nga vetë Shalsi rezulton se janë tri kompani që kanë përfituar fonde reklamash, këto janë “Promo shpk”, “Panorama shpk” dhe “Standard shpk”. Këto fonde janë dhënë gjatë vitit 2009, në vlerën e rreth 710 milionë dollarëve amerikanë. Në lidhje me këtë skandal ka reaguar edhe deputeti i PS-së, Erjon Braçe. Në rrjetin social “Facebook”, Braçe shkruan se “Berisha po i bën paratë e shqiptarëve reklamë qeveritare! Berisha po e çon reklamën qeveritare te kompania ‘Promo shpk’, në pronësi të shtetasit Eduard Frangaj. Vetëm Ministria e Brendshme ka paguar 4 600 000 dollarë!!! Partia Socialiste nisi sot një javë publikimi të dokumenteve që tregojnë se si Sali Berisha i ka bërë paratë e shqiptarëve reklamë për qeverinë; se si Sali Berisha reklamën e qeverisë e ka kthyer në mundësi për të paguar klientët e saj mediatik. Publikimi do të vijojë deri të dielën!! Çdo ministri ka ndarë mënjanë para të shqiptarëve për reklamë të qeverisë e me ato para janë paguar kompanitë mediatike, klientë të qeverisë. Rasti i parë, Ministria e Brendshme e drejtuar nga Bujar Nishani e Lulzim Basha: reklamë e qeverisë me vlerë 4 600 000 dollarë!!! 90% i janë paguar kompanisë ‘Promo shpk’ të shtetasit Eduard Frangaj!!!”, shkruan Braçe në “Facebook”.
7500 USD – Sipas dokumenteve të publikuara nga PS-ja, në vitin 2006 qeveria ka shpenzuar 7500 USD për reklamat qeveritare dhënë mediave të pro partisë në pushtet
100 000 USD – Në vitin 2007, në përllogaritjen e PS-së, rezulton se janë akorduar 100 000 dollarë amerikanë për reklama shtetërore, duke favorizuar mediat proqeveritare
219 000 USD – Viti 2008 ka pësuar rritje të fondeve për t’i shpenzuar për reklamat qeveritare. Shifra e dhënë në këtë vit shkon në 219 mijë dollarë amerikanë
765 000 USD – Në vitin elektoral, atë të 2009-s, qeveria ka shpenzuar për reklamat shtetërore 765 mijë dollarë amerikanë. Kjo është shifra e publikuar nga PS-ja
1 930 000 USD – Kjo është shifra më e madhe e shpenzuar ndonjëherë nga qeveria shqiptare për reklamat qeveritare. Sipas PS-së, kjo shifër është shpenzuar kur ministër ishte Lulzim Basha
1 milion USD – Vitin e kaluar, qeveria shqiptare ka shpenzuar 1 milion USD për reklamat e saj. Vitin e kaluar u zhvilluan edhe zgjedhjet lokale të 8 majit