Prokuroria: 80 persona u dërguan brenda 4 muajsh në Amerikë. Klandestinët, nga Malësia e Madhe 


Gjykata e krimeve te rendaProkuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur skemën e trafikut të njerëzve në SHBA, ku dy ditë më parë janë arrestuar 15 persona, ndërsa një person është shpallur në kërkim. Hetuesit kanë arritur të gjejnë edhe një sasi të fitimeve të trafikantëve, ku rreth 40 mijë euro i janë gjetur në çorape një të arrestuarit. Akuza saktëson se rrethi i personave ishte shumë i ngushtë, madje edhe personat që do të shkonin në SHBA e njihnin njëri-tjetrin. Pjesa më e madhe e 80 personave që janë identifikuar nga prokuroria ishin nga Malësia e Madhe, por ka pasur edhe klandestinë nga Mali i Zi.


Në kuadër të këtij procedimi janë autorizuar përgjime telefonike të personave të dyshuar me qëllim zbulimin e aktivitetit kriminal dhe identifikimin e autorëve të veprës penale. Nga përdorimi i mjeteve speciale të hetimit, rezulton se 16 personat e arrestuar organizojnë dhe ndërmjetësojnë kryerjen e veprës penale. Këta shtetas kontaktojnë me personat e interesuar për të shkuar në SHBA dhe në bashkëpunim me persona të tjerë organizojnë kalimin e tyre në linja të ndryshme kryesisht Itali-Spanjë-Meksikë-SHBA si dhe linja Bullgari-Spanjë-Kosta Rika-Guatemalë-Meksikë-SHBA. Pagesat që përfitojnë nga çdo person janë nga 20.000 $ deri në 24.000$” pohojnë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila saktëson se hetimet paraprake të këtij procedimi janë ndjekur në bashkëpunim me Zyrën e Shërbimit të Sigurisë diplomatike në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë.


Mësohet se, pasi klandestinët mbërrijnë në SHBA, ata vendoseshin në kampe të ngritura posaçërisht për këtë kontingjent. Më pas, familjarët e klandestinëve interesoheshin për të afërmit e tyre dhe sipas ligjeve amerikane, cilindo shtetas amerikan, apo rezident prej vitesh, mund të jetë garant për këta klandestinë. Shumica e klandestinëve kishin të afërm në SHBA, të cilët dolën garant, ndërsa pjesa tjetër është deportuar në Shqipëri. Disa prej klandestinëve janë pyetur nga autoritetet e SHBA-së, të cilët kanë treguar edhe itinerarin, ndërsa do të duhet një bashkëpunim më i ngushtë për të zbardhur të gjithë trafikun.


Ndërkohë, grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i kryesuar nga prokurori Përparim Kulluri, bën me dije se shtetasi maqedonas Nertil Pervizi vinte kontaktet me persona të tjerë në Bullgari dhe Itali, të cilët ndihmonin për kalimin e shtetasve në Spanjë, nga ku më pas i ndihmonin për të kaluar në kufirin për në Meksikë. Dyshohet se ai ka bashkëpunuar me shtetas të tjerë maqedonas në drejtim edhe të falsifikimit të pasaportave kryesisht bullgare që përdoreshin nga personat për të lëvizur lirshëm në vendet e BE-së me destinacion SHBA. “Në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar rreth 90 mijë dollarë që posedonin shtetasit Nertil Pervizi dhe Fatos Fasko në momentin e arrestimit dhe që dyshohet se janë të ardhura nga aktiviteti kriminal. Përveç kësaj linje, personat e dyshuar ndihmonin për të kaluar shtetasit edhe në Angli. Fatmir Flaga dhe Alfred Myrtaj ushtrojnë aktivitetin kriminal në drejtim të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, pasaporta, karta identiteti, patenta etj” pohojnë burimet nga Prokuroria.


Sipas tyre, pas goditjes së këtij grupi, ka filluar puna për evidentimin e pasurisë së këtyre personave. Hetuesit i kanë dërguar kërkesë bankave t nivelit të dytë për llogaritë bankre, ndërsa hipotekave dhe QKR-së për pronat e paluajtshme që zotërohen nga të arrestuarit. s.ç.


 


Të arrestuarit:


Fatmir Bakalli


Nezir Pervizi (shtetas maqedonas)


Fatos alias Dashnor Fasko


Enver Karaj


Pashko Nilaj


Prël Nicaj


Ali Metvelaj


Gjergj Martinaj


Fatmir Flaga


Nikoll Kolaj


Filip Kërtunga


Zaim Hysenbelliu


Gëzim Tafaj


Durim Koxha


Alfred Myrtaj


Lek Nicaj, në kërkim