Mbi 300 punëtorë vdiqën, por gjigantët ndërkombëtarë nuk heqin dorë nga prodhimi me kosto të ulët
Rrëzimi i një fabrike në Bangladesh, që vrau mbi 300 punëtorë këtë javë, përbën një kujtesë të hidhur të faktit se industria botërore e shitjeve me pakicë është vazhdimisht në kërkim të prodhimit me kosto të ulët, pavarësisht rreziqeve që mbart kjo gjë në formën e jetës së njerëzve.
Por në një analizë, “Reuters” vëren se ka pasur pak shenja që çështjet e sigurisë apo kushtet e këqija të punës të krijojnë ndonjë problem të madh për rrjetet e supermarketeve në Perëndim, për aksionerët e tyre apo për blerësit në Shtetet e Bashkuara, Europë e gjetkë.
Pavarësisht një numri të madh aksidentesh që kanë vrarë qindra njerëz gjatë muajve të fundit, dhjetëra kompani të mëdha veshjesh vijojnë të veprojnë në Bangladesh.
Ky vend eksporton veshje me vlerë 15.6 miliardë dollarë çdo vit, gjë që përbën 80 për qind të eksporteve totale. Gjashtëdhjetë për qind e eksporteve të veshjeve shkon në Europë, 23 për qind në SHBA dhe 5 për qind në Kanada.
Rreth 18 muaj para se të ndodhte një tragjedi tjetër, ku 112 njerëz u vranë nga zjarri në një fabrikë tekstilesh, – aksionerët e Wal Mart patën mundësi të ngrenë problemin e mungesës së sigurisë. Me raport 50 me 1, ata hodhën poshtë propozimin për t’u kërkuar furnizuesve të raportojnë çdo vit mbi kushtet e sigurisë në fabrika.
Duke argumentuar kundër propozimit, menaxherët e Wal-Mart e bënë arsyen e tyre të qartë: në rast se furnizuesit do të plotësonin një raport të tillë, kjo gjë do të sillte kosto më të lartë për kompaninë dhe çmime më të larta për konsumatorët. Kjo për kompaninë do të thotë, dizavantazh konkurrues.
Pak kohë pas zjarrit, Wal-Mart pranoi se mallrat e shitura prej tyre prodhoheshin pikërisht në fabrikën e tragjedisë.
Bangladeshi nuk është burimi i vetëm i veshjeve të lira dhe krahut të lirë të punës që ka shkaktuar shqetësim për kushtet e punës. Nga Vietnami te protektorati amerikan Saipan, te fabrikat masive në Kinë, kompanitë perëndimore përdorin prodhues ku shëndeti dhe siguria e punonjësve është në pikëpyetje.
Katastrofa si ajo e 24 prillit ku një fabrikë tetëkatëshe u shemb, nuk e kanë ndryshuar llogarinë. Produktet e lira tërheqin blerës. Ndërsa dëmi në imazh i pësuar nga tragjeditë duket se nuk ka shumë efekt te shitjet.
Gjykatat, tregu dhe bursat duket se u thonë kompanive që janë në rrugën e duhur. Blerësit, si Mohini Raichura, po marrin vendime që justifikojnë strategjitë e supermarketeve. Raichura, 30 vjeç, punonjëse në një shoqatë bamirësie në Londër, po bën blerje te Primark, një shitës me çmime të ulëta, megjithëse ajo e dinte se disa nga produktet e kësaj kompanie prodhoheshin pikërisht në fabrikën e tragjedisë.
“Vij këtu sepse është lirë. Kjo është e tmerrshme. Me të vërtetë më bën mua një njeri të keq”, tha Raichura. “Por ju e dini, unë punoj për një shoqatë bamirësie dhe kam të ardhura të kufizuara. Paguaj qira në Londër dhe kjo mjafton që ta justifikoj veten”.
Ndërkohë, aksionet e disa prej kompanive të lidhura me fabrikën e tragjedisë, kanë pësuar rritje normale gjatë këtyre ditëve. Tragjedia e shkuar e zjarrit në fabrikë, ku punëtorët nuk patën mundësi shpëtimi sepse u qe mbyllur dera me kyç, nuk duket se kanë ndonjë ndikim te niveli i shitjeve.
Edhe një tentativë për të mbajtur Wal Mart përgjegjës për kushtet e punës në Azi para një gjykate amerikane, duket se dështoi më 2005. Michael Silverstein, një ekspert në grupin e konsulencës Boston, tha se joshja nga çmimet e lira të Bangladeshit është më e madhe sesa rreziqet dhe se shumica e supermarketeve besojnë se rreziqet janë të menaxhueshme.
“Bangladeshi është një burim i mirë për supermarketet e veshjeve. Ka kosto pune shumë të ulët, eficencë operacionale të mirë dhe për shkak se prodhon në sasi shumë të mëdha, kostoja e zinxhirit të furnizimit është gjithashtu e ulët”, tha ai. “Dukshëm kushtet e sigurisë dhe shëndetit duhet të kontrollohen. Furnizuesit duhet të vlerësohen dhe inspektohen vazhdimisht”.
Wal-Mart dhe kompani të tjera kanë premtuar ndërkohë se do të përmirësojnë kushtet. Këtë muaj, Wal-Mart tha se do të dhurojë 1.6 milionë dollarë për të nisur një shkollë aftësimi profesional në Bangladesh.