Mjeku Pëllumb Pipero kohët e fundit është në shumë e ekrane, ku ka dhënë këshilla për qytetarët se si të mbrohen nga COVID-19. Shumë qytetarë e simpatizojnë, por duket se ka dhe nga ata që duan t’i prishin punë.
Një qytetar ka keqpërdorur emrin e tij dhe i ka dërguar një SMS-së një personi tjetër duke u hequr si mjeku Pipero i kërkon që të karantinohet, duke e futur në panik. Vetë Pëllumb Pipero ka reaguar pas këtij mesazhi dhe shkruan se nuk është dërguar prej tij, por prej atyre që kërkojnë të bëjnë keq e kërkon që autori të vitet para ligjit.
Mesazhi i doktor Pëllumb Piperos:
“Të Dashur Qytetarë. Sapo lexova një mesazh të tillë, i cili jo vetëm nuk është dhe nuk mund të jetë i imi, dhe si i tillë është i dënueshëm, por mbi të gjitha është shumë i dëmshëm për situatën që kalon jo vetëm vendi ynë, por e gjithë bota nën peshën e një pandemie shumë serioze që deri tani ka shënuar mijëra viktima, dhe për të cilën ende nuk kemi një armë në dorë për ta luftuar, as medikamente të certifikuara dhe as vaksinë. E vetmja armë që kemi është në duart tuaja, të qëndroni në shtëpi, të bëni durim dhe të respektoni këshillat tona.
Mesazhe si ky që po lexoni janë shumë të dëmshme, madje dhe të dënueshme! Këshilloj këdo që guxon e shkruan në emrin tim sot, ose të kolegëve të mi nesër, të mos luajë kësisoj. Sot ne kemi përballë coronavirusin dhe duhet të mjekojmë të sëmurët e të gjurmojmë e identifikojmë rastet e kontaktit, nesër ligji do gjurmojë e vërë para përgjegjësisë të gjithë ata që guxojnë të luajnë me jetën e qytetarëve!”, shkruan mjeku.