Partia Socialiste Europiane ka ulur në një tavolinë kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Krerët e së majtës së Ballkanit morën pjesë në punimet e PSE-së në Bruksel. Mes të pranishmëve në takim ishin edhe kreu i PS-së, Edi Rama, dhe ai i LSI-së, Ilir Meta. Si pjesë e së majtës europiane, kreu i socialistëve Rama kërkoi nga BE të mbështesin Shqipërinë në rrugën drejt integrimit. Rama tha se shqiptarët meritojnë statusin e vendit kandidat dhe ritheksoi qëndrimin e PS-së pro këtij hapi. Ai theksoi se duhet të jemi vigjilentë për zgjedhjet e lira. Ndërsa kreu i LSI-së, Meta vlerësoi se Shqipëria ka bërë progres në reformat e rëndësishme për integrimin e vendit dhe sidomos në vitin e fundit. Në takimin e liderëve të Ballkanit ka qenë i pranishëm edhe komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle.