Sot pritet të nënshkruhet marrëveshja e koalicionit parazgjedhor mes kryesocialistit Edi Rama dhe kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Marrëveshja do të firmoset në qytetin e Shkodrës, ku do të zhvillojë punimet konferenca rajonale e Partive Socialiste Europiane, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të së majtës së Ballkanit. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se në
përfundim të këtij aktiviteti, Rama dhe Meta do të siglojnë një dokument të detajuar të marrëveshjes. PS dhe LSI kanë refuzuar të zbulojnë paraprakisht detaje të marrëveshjes, përmes së cilës e majta kërkon të maksimalizojë çdo votë drejt qëllimit final, fitimin e zgjedhjeve.
Sipas ligjit, afati kohor për regjistrimin e koalicioneve pranë KQZ-së është 23 prilli. Nesër pritet që Partia Socialiste bashkë me partitë e tjera të koalicionit opozitar të kenë zyrtarizuar marrëveshjet mes tyre.
22 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)