Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit vendos pranimin e kërkesës së prokurorisë për arrestimin e Prengës


Herion Mesi


Keshilli mandtareveNgjarja e Laçit ku mbetën të plagosur 7 persona për çështjen e lagunës së Patokut, ku protagonist i saj akuzohet se është deputeti socialist, Armand Prenga, ka mbërritur në Kuvend, i cili do të çelë sesionin e ri me votimin e kërkesës së organit të akuzës për arrestimin ose jo të deputetit të Qarkut të Lezhës. “Gjyqi i votave” për Armando Prengën pritet të zhvillohet paraditen e sotme me mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare. Pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, Kuvendi mesditën e djeshme ka protokolluar dokumentin mbi Prengën dhe pak orë më vonë, do të mblidhej Këshilli i Mandateve për të diskutuar mbi mandatin e deputetit socialit, i cili vendosi të ishte i pranishëm në “gjyqin e parë” për ngjarjen, i cili do të zhvillohej nga kolegët e tij deputetë. Me pranga në duar dhe kokë të ulur, Prenga do të shfaqej në oborrin e Kryesisë së Kuvendit i shoqëruar nën masa të rrepta sigurie, ku efektivë të Policisë së Shtetit e shoqëruan atë deri në sallën e Konferencave të Kryetarëve në katin e katërt të godinës së Kryesisë, ku i pranishëm do të ishte gjithashtu edhe avokati i tij mbrojtës, Baftjar Rusi. Në mbledhjen e djeshme në emër të prokurorisë si institucioni që kërkoi heqjen e mandatit të deputetit socialist, ishin dhe dy prokurorët, Altin Binaj dhe Arban Kraja, ndërsa në ambientet e jashtme të Kryesisë do të qëndronin familjarët e Armando Prengës. Pas dëgjimit të të gjitha diskutimeve të palëve të pranishme, Këshilli i cili vijoi diskutimet me dyer të mbyllura, duke vendosur që t’i propozojë Kuvendit heqjen e imunitetit deputetit socialist, Armando Prenga. Një vendim ky që pritet të miratohet paraditen e sotme, pikërisht në seancën përuruese të sesionit të ri parlamentar. “Gjyqi” ndaj Prengës përmes votës dhe miratimi i kërkesës për heqjen e mandatit të deputetit, do të bëjë të mundur arrestimin e deputetit nga prokuroria. Një vendim i tillë do t’u hapë rrugë hetimeve për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Laç një ditë më parë, ngjarje në të cilën u plagosën 7 persona, si dhe rezultoi se një ndër autorët e “dyshuar”, tashmë i arrestuar dhe që akuzohet për 3 vepra penale është pikërisht deputeti i PS-së në Qarkun e Lezhës. Mbi bazën e veprimeve të deritanishme hetimore, Prokuroria ka krijuar dyshime se deputeti plagosi me armën pa leje Tom Calin, si dhe ka kanosur duke u drejtuar pistoletën personave që shoqëronin Gjok Calin para Komisariatit të Policisë Kurbin. Ky i fundit kishte shkuar për të bërë denoncim se ishte goditur nga deputeti në Patok. Sipas kërkesës së saj që depozitoi në Kuvend, prokuroria kërkon arrestimin e deputetit, pasi dyshohet për konsumimin e elementeve të veprave penale; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Kanosje”.

Votimi

Kushtetuta në nenin 73 pika 3 të saj, si dhe Rregullorja e Kuvendit në nenin 119 përcaktojnë qartë të gjithë procedurën që ndiqet në rastin kur deputeti është ndaluar ose arrestuar pa autorizim, kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi, siç është rasti i deputetit të Qarkut te Lezhës. Për rastet e arrestimit në kushtet e flagrancës, Ligji Themeltar i Shtetit parashikon që Prokurori i Përgjithshëm duhet të njoftojë menjëherë Kuvendin, i cili vendos në lidhje me masën e arrestit. Sipas Rregullores së Kuvendit, çështja e Armando Prengës pritet të kalojë nëpër të njëjtat procedura si në rastet e deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku kur prokuroria kërkoi autorizim për arrestim. “Në rastin kur një deputet është ndaluar ose arrestuar pa autorizim në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Kryetarin e Kuvendit. Kryetari i Kuvendit thërret menjëherë Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, i paraqet dokumentet e përcjella nga Prokurori i Përgjithshëm dhe i kërkon të shqyrtojë çështjen”, thuhet në pikat 1 e 2 të nenit 119 të Rregullores së Kuvendit. Po sipas këtij neni, në pikat 3 dhe 4 të tij, përcaktohet që këshilli përgatit raportin, i cili i dërgohet seancës plenare brenda dy ditëve, ku deputetët vendosin me votim të fshehtë, pro ose kundër masës së ndalimit ndaj deputetit Armando Prenga. Dhe me shumë gjasë, një votim i tillë do të ndodhë pikërisht pasditen e nesërme, në seancën inauguruese të punimeve parlamentare ku do të bëhet dhe çelja e sesionit të ri parlamentar. “Këshilli, brenda 2 ditëve nga njoftimi i Kryetarit të Kuvendit, shqyrton nëse ka vend për procedim ndaj deputetit të arrestuar ose të ndaluar, duke dëgjuar Prokurorin e Përgjithshëm dhe deputetin e ndaluar ose të arrestuar. Këshilli paraqet raportin për seancën plenare të Kuvendit, e cila thirret nga Kryetari i Kuvendit brenda 2 ditëve nga paraqitja e raportit. Kuvendi me votim të fshehtë duhet të vendosë për heqjen ose mosheqjen e masës së ndalimit ose të arrestimit të deputetit”, thuhet në nenin 119 të rregullores. Duke u nisur nga deklaratat publike të shumicës dhe pakicës se çdo kërkesë e prokurorisë do të miratohet, nuk ka asnjë dyshim për vendimmarrjen e sotme të Kuvendit.