Komisioni Qendrori Zgjedhjeve do të marrë vendim në mbledhjen e sotme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë sot mbi kërkesën e Aleancës Kundër Importimit të Plehrave AKIP për zhvillimin ose jo të referendumit të kërkuar prej tyre. Vendimi i KQZ vjen tre muaj pasi Aleanca dorëzoi 64 mijë firma të grumbulluara nga qytetarët në të gjithë vendin.
KQZ njoftoi javën e kaluar se sipas mendimit të saj, shumica e firmave janë të falsifikuara, duke sinjalizuar kështu rrëzimin e kërkesës. AKIP nga ana e saj thotë se pretendimi për falsifikim është një sajesë që synon t’i mohojë shqiptarëve mundësinë për të mbajtur referendumin e parë të kërkuar nga vetë qytetarët.
“Qytetarëve u është kërkuar, emri, atësia, mbiemri, ditëlindja, numri i identifikimit personal të kartës së identitetit apo numri i pasaportës dhe në fund, firma. KQZ ka verifikuar sakaq faktin që emrat në listën e firmave janë realë, numrat e identifikimit personal dhe fotokopjet e kartave të identitetit janë reale, por pretendon se pasi qytetarëve u është janë marrë të gjitha të dhënat, një person tjetër ka firmosur në vend të tyre, gjë që nuk ka kurrfarë logjike,” thotë AKIP.
KQZ pati tre muaj kohë për të verifikuar firmat dhe e shfrytëzoi të tërë afatin, madje e kapërceu atë sepse firmat u dorëzuan më 14 mars. Pretendimi i KQZ për falsifikim erdhi vetëm pasi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Arvizu u shpreh publikisht i shqetësuar mbi faktin se pse KQZ nuk lejonte zhvillimin e referendumit.
27 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)
