“Ua premtoi kosovarëve daljen në det, por ia dha Fazlliçit”
Gjatë një takimi me pushues nga Kosova në Shëngjin, kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, e konsideroi Kryeministrin Berisha si krokodilin e politikës, që është vënë në shërbim të grekëve dhe serbëve. “Ne kemi dy kryeministra antishqiptarë. I pari është Ivica Daçiç, ish-zëdhënësi i Sllobodan Millosheviçit, dhe tjetri, Sali Berisha. Ata kanë një qëllim të përbashkët, ta lënë Shqipërinë jashtë”, deklaroi Spahiu. Në takimin e zhvilluar në Shëngjin të Lezhës me pushuesit, ku pjesa më e madhe ishin shqiptarë nga Kosova, Spahiu theksoi se “Berisha është përgjegjësi i vetëm i dështimit të Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian”. “Serbia është integruar në Bashkimin Europian, ndërsa Shqipëria jo. Sali Berisha është vetëm një krokodil i politikës, një zvarranik i Beogradit”, theksoi Spahiu. AK-ja akuzoi Berishën se e gënjeu popullin e Kosovës kur u premtoi se ky port do të jetë i kosovarëve. Deklaratat u bënë nga kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu, gjatë një tubimi me pushuesit nga Kosova, të cilët ndodheshin në plazhin e Shëngjinit. “Kryeministri mashtroi 2 milionë shqiptarë të Kosovës. Berisha i premtoi Portin e Shëngjinit qeverisë së Kosovës dhe nuk ia dha. Berisha ia premtoi Kosovës, por në të vërtetë ia dha Fazlliçit. Kryeministri serb e shqiptar realizoi ëndrrën serbe për daljen në Adriatik, duke kryer kështu një mision kundër bashkimit kombëtar”, tha Spahiu.
Deklarata: Berisha ia premtoi Kosovës, por në të vërtetë ia dha Fazlliçit Portin e Shëngjinit. I dha dalje në det Serbisë së Daçiçit
