Kreu i AK-së Kreshnik Spahiu ka akuzuar për tradhti kombëtare ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera. Sipas Spahiut, ministri duhet të ndiqet penalisht, pasi ka tradhtuar interesat e kombit gjatë një takimi me partinë greke “Agimi i Artë”, ku ka deklaruar se po punon për të ashtuquajturin “Verioepir”.


“Ministri Spiro Ksera është kthyer në urën e shtetasit Sali Berisha me “Agimin e Artë”. Sot në qeveri janë tre ministra grekë dhe 13 ministra filogrekë. Këta shtetas që po cënojnë integritetin territorial të Shqipërisë dhe po përpiqen të asimilojnë kulturën dhe simbolet shqiptare duhet të përgjigjen përpara ligjit, dhe nëse ligji nuk do të veprojë atëherë do të jetë vetë populli që do ti largojë ata me protesta. Skenari që po hartohet nga 3 ministrat grekë dhe 13 filogrekë dhe lidhjet e tyre me Agimin e Artë është ndër më të rrezikshmit që cënon paqen e të gjithë rajonit. Këta shtetas duhët të procedohet penalisht për tradhti kombëtare” deklaroi Spahiu gjatë një takimi që ka zhvilluar paraditen e sotme në Korçë, me simpatizantë të AK-së.


Më tej Spahiu ka komentuar zhvillimet më të fundit në vend lidhur me situatën e krijuar nga konflikti i “CEZ shpërndarje” dhe qeverisë.  “Shqipëria është gati të shpërthejë në protesta mbarëkombëtare prej papërgjegjshmërisë së qeverisë së shtetasit Sali Berisha i cili ndyu duart me paratë e privatizimit. Ujin, Shqipërisë ja ka dhënë Zoti dhe jo qeveria. Sali Berisha është pjesë e skenarit për destabilizimin e Shqipërisë, dhe këtë ai e ka provuar 15 vjet më parë dhe po tenton ta bëjë sërish. Sot në Shqipëri njerëzit po digjen të gjallë, vriten për ujë dhe papërgjegjshmëria për mbrojtjen e jetës së qytetarit nga kjo qeveri është zero”, deklaroi kreu i AK-së.


Në përfundim të aktivitetit lideri i kuqezinjve ka shpërndarë rreth 200 karta anëtarësie.


17 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)