SPAHIU-01_8Protesta e paralajmëruar nga Aleanca Kuqezi për rrëzimin e shtetasit Sali Berisha, u zhvillua e qetë, e kufizuar, pa eksese dhe ishte e përmbledhur vetëm në fjalën e kryetarit të kësaj partie, Kreshnik Spahiut. Pasi foli për dështimin e negociatave për të garuar në koalicion me të majtën, Spahiu lançoi sloganin e këtyre zgjedhjeve të AK-së: “Koha për pastrim”, që për të ka qëllim largimin e Berishës dhe jo ardhjen në pushtet të Edi Ramës.


“Ne vijmë me një objektiv, përmbysjen e regjimit të të ndierit Sali Berisha. Por përveç shporrjes së Berishës, në koalicionin e ardhshëm që do të ndërtojmë pas 23 qershorit nuk do t’i japim shqiptarëve një Sali tjetër, nuk i japim votën për kryeministër Edi Ramës”, tha Spahiu.


Kreu i AK-së u shpreh se Sali Berisha do të largohet nga pushteti në 23 qershor, por deri atëherë ai tha se i bën dhuratë atij një jelek antiplumb.


Ndërkohë pasdite policia e kryeqytetit ka njoftuar se ka nisur procedim penal ndaj drejtuesve të AK-së, për shkelje të lejes së tubimit. Sipas policisë ishte marrë leje për të protestuar në sheshin “Nënë Tereza” dhe jo përpara selisë së kryeministrisë.


1 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)