Që prej 1 nëntorit e deri tani, dosja e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoj ka qenë nën hetime intensive, duke përdorur të gjitha metodat antikrim dhe marrë çdo provë e dëshmi, qoftë edhe bazuar mbi një dyshim të vetëm.
Por, mesa duket gjithçka ka shkuar jo me shpejtësinë e duhur. Pas arrestimit të shtetasit Redjan Rraja, Policia ka vepruar sërish. Këtë herë për të arrestuarit shtetasin Arjol Halilaj, roli i të cilit në krim ka qenë jo i drejtpërdrejtë.
Ai ka marrë autorët e krimit me makinën e tij dhe sipas burimeve konsiderohet ndihmës në krim, sepse ka shoqëruar makinën që udhëtonte prokurori Ndoj nga Durrësi deri në vendin ku edhe ndodhi atentati, nga i cili shoferi i Prokurorit Ndoj humbi jetën, ndërsa vetë ai mbeti i plagosur.
Në vijim të punës intensive që po kryen grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistë të Departamentit të Policisë Kriminale, Sektorit të Krimeve të Rënda në DVP Durrës, nën drejtimin e SPAK-ut, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, si rezultat i provave të siguara u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Arjol Halilaj, 29 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës.
Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit e kryer në rrethana cilësuese”.