BAJRAM PEÇI
Prania e pashtershme me krijimtari në gjininë e satirës dhe humorit nuk besoj se ka lënë kënd në Shqipëri pa njohur më të shquarit, skenaristët Jani Duri dhe Vangjel Kozma, që si dy miq të mirë në dhjetëvjetorin e spektaklit japin në bashkëpunim shembullin aq të kthjellët dhe admirues në skenimin e pjesëve që do të interpretohen për “Portokallinë”. Të integruar me përmbajtjen e një shoqërie kalimtare si kjo e jona, të qenët pjesë funksionale e saj, pasi përjetuan dramat, deshën t’i veshin të ardhmes një petk më të virtytshëm të qeshurash e argëtimesh. Uni i tyre i shkrimtarit nuk ka reshtur prej dhjetë vjetësh të nxjerrë e të japë përmes satirës dhe humorit, në sasi dhe cilësi krijimi, kufizimet e defektet e shoqërisë dhe të individit. Ata ia mbërrijnë t’i njohin ato, nuk i lënë “t’i fshihen vetes” apo “t’i vidhen botës”. Të dy ata i shndërrojnë gjetjet në një sistem vlerash të gjalla, të thjeshta për argëtim e qeshje dhe, pse jo, në mjete të fuqishme të përçimit të edukatës qytetare, për të qeshur “…me gjendjen në të cilën jemi katandisur”. Përmes shkrimeve të tyre, të shndërruara më pas nga regjisori Altin Basha në role që ekzekutohen në skenë nga një trupë e mrekullueshme aktorësh, Duri dhe Kozma satirizojnë qytetarë e stërfshatarë meskinë, falangën e moralistëve politikë së bashku me krerë shtetarësh, prirje e shije, mendjengushtësi dhe njerëz me dialekte e vese, me krekosje snobe etj. Pas një dekade “Portokalli” preket lehtësisht kapërcimi cilësor, duke u bërë e qartë se është lënë pas dhe tejkaluar tradita e satirës që trashëguam. Me “Portokallinë”, një erë e re kish filluar. Ka ardhur kështu dhe është rritur i shëndetshëm një spektakël skeniko-televiziv, ku shfaqen në forma konkrete ato gjëra që dikur s’lejoheshin, druheshin prej tyre ose censuroheshin.
Pas një përvoje dhjetëvjeçare mes satirës, batutave e të qeshurave të “Portokallisë”, pikanten e mbresave Jani Duri na e sjell të përmbledhur me një botim të shtëpisë botuese “Saras”, në formën e një “Kodi”. Libri hapet me një parathënie (dhe këtu është vendi që bashkë me lexuesin të qeshim paksa) që Vangjel Kozma ia shkroi “shumë të mërziturit Jani” para se t’ia lexonte. Një parathënie përplot “ngrënie në fjalë” mes këtyre dy miqve, për të cilët, siç shprehet në të Kozma, “…humori dhe satira janë gjërat më serioze që mund të bënin në jetë”. Parathënia ngjan sikur të ishte një bisedë e pandërprerë, atje, në zyrën e përbashkët ku krijojnë pareshtur satirë, ndaj vlerësimi për Jani Durin “…se di shumë, ka durim të madh dhe, mbi të gjitha, është shumë, shumë i mërzitur”, është shenjë paralajmërimi për lexuesin mbi argëtimin që e pret me leximin e asaj tufe krijimesh me përmbajtje humori.
Në thelb të “Kodit Portokalli” autori vendos këndvështrimin satirik për rolet, pjesët satirike, aktorët, regjinë, kritikët etj., dhe fton lexuesin që kodin e tij “ta shkelin”, duke përdorur si argument përqeshësh një thënie më se serioze, “Ligji i Mërfit”, të Artur Blok, se “Ligjet janë si qilimat, të cilët, pasi enden mirë e bukur, me mundime të mëdha, më në fund shtrohen për t’u shkelur”. Te “Kodi…” i Jani Durit ndihet e preket (se qëndron e varur tërë kohën pezull faqe më faqe) satira e një prozatori të qartë, të hollë e të ditur, që rri këndshëm mes intelektit të formuar e zhvilluar në këtë gjini dhe humorit popullor, seriozes dhe të qeshurës. Si njohës i mirë i asaj çka ndodh dhe ndërvepron mes hapësirës shumëformëshe të skenës, kulisave të pas skenës dhe sallës me spektatorë, J.Duri vihet në kërkim të “Kodit” të “jetës” humoristike që përshkon “banorët” e këtij ambienti. Si një stilist vetmitar dhe i ndjeshëm, ai pret përmes “Kodit…” petkat e gjithsecilit që jeton në skenë, përfshi dhe “intimet” dhe këtë e bën përmes satirës që di ta shprehë me një besnikëri të ftohtë (nga sa shprehet dhe preket në jetën e përditshme), që përbën dhe dhuntinë e tij të madhe për fytyrën e përmbajtjes së spektaklit.
Jani Duri, ky krijues aq i zoti për ta fshehur veten nga mediat, shfaqet te botimi “Kodi Portokalli” si një shikues që i mvesh realitetit humorin dhe shemb iluzionet. Në sajë të fantazisë dhe ironisë, ai është i aftë të vlerësojë virtytet e veset e skenës, paravijës po se po, por shpesh dhe prapavijës së saj.
Si një qytetar i kujdesshëm në vrojtimin e jetës, si spektator i vëmendshëm në shijimin e satirës dhe si skenarist brenda botës së skenës, Jani Duri ka vrojtuar e vrojtuar pa reshtur, plot dhjetë vjet. Ai ka parë se në traditën e spektakleve, një spektator i kënaqur kur del nga shfaqja, në të shumtën e herëve është shprehur se trupa e kish “qarë” shfaqjen. J.Duri e mbart këtë zhargon dhe e fut në “Kod” si filozofi të regjisorit: qaje rolin nëse do të qeshë publiku. Më tej, sheh që “Portokallia” ka dhjetë vjet që ecën dhe ecën pa u ndalur dhe e fut në “Kod” si “…dëshmi të pakundërshtueshme të dështimit të parashikimeve të kundërshtarëve të saj”, të cilët edhe më tutje do të kërkojnë qimen në qull; do të konstatojë se gomari mund të çalojë edhe nga veshët e do të ngulë këmbë se nuk është gomar. “Kodi Portokalli” përshkohet nga “ligjet” e rrugës e të shpresimit, propozimit dhe rolit, të rrëshqitjes dhe “ligji i dërrasës së kalbur”, të cilat kanë si “akte nënligjore” rrjedhimet plot humor. Njëlloj si gjuhët e flakëve lëpijnë e ngrohin një trup fizik, ashtu dhe arti i qëmtuar i fjalive të kodifikuara te “Kodi” i Jani Durit, ngroh zemrat dhe mvesh pasione sa të matura aq dhe të gëzueshme. Ato synojnë vlerat e skenës, të spektaklit, të aktorit, parë këto nën këndin e satirës, humorit dhe sarkazmës.
Ndërsa Jani Duri dhe Vangjel Kozma i erdhën gjinisë së satirës dhe spektaklit shqiptar në kohën e duhur, libri “Kodi Portokalli” i vjen lexuesit në fund të një dhjetëvjeçari humori xixëllues. Sezoni “Portokalli” përfundoi, trupa e spektaklit do të shtriqë këmbët në rërën e plazheve për të marrë energji për sezonin e ardhshëm, ndërsa lexon me endje “Kodin Portokalli”, liliputët kanë rastin që t’ia lidhin vrullin artistik. Ha, ha, ha… nuk ka gjasa të ndodhë!