Mbrëmë në spitalin Ushtarak, situata ka qenë më shumë se kaotike. Nga njëra anë ishin të plagosurit nga tërmeti, ndërsa në një moment tjetër mbërritën dy të plagosur me armë, të cilët në njëfarë mënyrë anuluan edhe vizitën e kryeministrin Rama në Spitalin e Traumës.
Mareglen Haka dhe halla e tij Shpresa Baka mbërritën të plagosur me armë zjarri, ndërsa shoqërues i tyre ishte Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, ky i fundit i njohur me videopërgjimin për vrasjen e Tom doshit.
Ka qenë ora 23.30 e së shtunës, kur me makina luksoze në hyrje të spitalit ushtarak mbërritën dy të plagoosurit, një djalë dhe një grua, të shoqëruar nga "të fortë" që thërrisnin e bërtisnin, ndërsa betoheshin për hakmarrje, e sidomos kur morën vesh lajmin se gruaja nuk mundi të shpëtojë. Bëhej fjalë për Shpresa Bakën, e cila ishte halla e Mareglenit.
Por, në spital forcat speciale morën në ruajtje Mareglen Hakën, që mendohet se ishte shënjestra e atentatit. Mareglen Haka, 28 vjeç, është një personazh i njohur për policinë. I konsideruar si një nga të "fortët" e Fushë Krujës, ai është arrestuar në shtator 2018 së bashku me disa persona të tjerë gjatë një aksioni të RENEA-s në Nikël.
Haka u arrestua në posedim pa leje të armëve dhe municioneve luftarake dhe shitjes së lëndëve narkotike. Bashkë me të u arrestua edhe Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, i cili transportoi mbrëmjen e shkuar atë dhe hallën e tij drejt spitalit.