Pakënaqësitë
Shtohen reagimet pë drejtimin e PD-së. Deputetja: Arsyet pse nuk u miratua projekti ynë pë lustracionin
Reagimet
Murrizi – Njihen te qytetarët me dy ose tre emra të tjerë përveç atyre që kanë në pasaportë, si ‘Rjepsi’ ose ‘Çorapja’ apo ‘Qukapiku’ A ose B
Përdorimi – “Halli i shefave është si t’i kenë sa më të përdorshëm, nuk shqetësohen nga asnjë kriter etik dhe njerëzor”, shprehet deputetja Mesila Doda
Lustracioni – Në dhjetor, deputetët Doda dhe Idrizi do t’i paraqisnin Kuvendit një draft që synonte hapjen e dosjeve dhe bërjen e lustracionit
PD kundër – Partia Demokratike do të ishte e para që do të pozicionohej kundër propozimit të depozituar në Kuvend nga shoqëria civile, përmes deputetes demokrate Mesila Doda
Gjana – “Shtrohet pyetja përse liderët nuk dalin dot jashtë kësaj vorbulle. Mendoj se më shumë sesa nga vetëpërfshirja, liderët nuk i shpëtojnë dot përpunimit nga kjo simbiozë që i rrethon. Simbiozë në të cilën kanë dhe autorësinë e tyre”
Hapja e dosjeve – Mazhoranca do të votonte në maj variantin e propozuar nga ministri Erion Veliaj për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, ligj që akoma nuk ka nisur zbatimin
HERION MESI
Shtohen pakënaqësitë ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, për shkak të bashkëpunëtorëve që ai mban në Partinë Demokratike. Debati që ka përfshirë demokratët nëse ka apo jo spiunë të ish-regjimit komunist në radhët e Partisë Demokratike ka provokuar reagimin e deputetes Mesila Doda. E pyetur rreth deklaratave të ditëve të fundit, ku anëtarë dhe ish-deputetë të PD-së akuzojnë kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, se në paradhomën e tij mban persona që i kanë shërbyer ish-Sigurimit të Shtetit të regjimit komunist, Doda shprehet se kjo është e vërtetë dhe shton se spiunët në politikën shqiptare dhe administratën e lartë shtetërore janë kudo dhe gëzojnë mbrojtje speciale nga liderët e sotëm politikë. Në prononcimin e dhënë dje për gazetën “Shqip”, nismëtarja për hartimin e draftit të lustracionit dhe hapjes së dosjeve të regjimit komunist, që u rrëzua nga Kuvendi katër muaj më parë, kujton se ishte kjo arsyeja se pse drafti që u hartua nga shoqëria civile dhe që u depozitua në Kuvend afro një vit më parë nga ajo dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, u kundërshtua me forcë nga të dyja kampet politike, qoftë nga PS-ja ashtu edhe nga kolegët e saj të PD-së. Ish-studentja e Lëvizjes së Dhjetorit të ’90-s, shprehet se krerët e partive, përfshi edhe atë të PD-së, shqetësohen se si mund t’i kenë sa më të përdorshëm eksponentët e regjimit të kaluar në partitë e tyre dhe nuk e vrasin mendjen për kriteret etike dhe njerëzore që duhet të kenë përfaqësuesit e partive që ata drejtojnë. “Spiunët në politikën shqiptare dhe administratën e lartë shtetërore janë kudo dhe gëzojnë mbrojtje speciale. E kotë të bëjnë sot politikanët dhe shoqëria civile sikur interesohen, sepse e pamë shqetësimin e tyre dhe sulmin e gjithanshëm kur depozituam ligjin që i hiqte xhelatët nga politika dhe ekzekutivi. Halli i shefave është si t’i kenë sa më të përdorshëm, nuk shqetësohen nga asnjë kriter etik dhe njerëzor”, shprehet deputetja Doda në prononcimin e saj për gazetën “Shqip”.
Debati për spiunët
Deklarata e kreut të PD-së dega Lushnjë, Myslim Murrizi, se në paradhomë me Bashën qëndrojnë njerëz që i kanë shërbyer regjimit të kaluar. “Asnjëherë nuk gjen radhë për të takuar kryetarin e PD-së, z. Basha, sepse në paradhomë gjen njerëz që kanë mbi supe më shumë se emrin e tyre prindëror. Janë ose servilë, që nuk kanë asnjë peshë në elektorat ose janë të urryer ndër demokratë, sepse i kanë shërbyer me zell Sigurimit të Shtetit dhe njihen te qytetarët me dy ose tre emra të tjerë, përveç atyre që kanë në pasaportë, si ‘Rjepsi’ ose ‘Çorapja’ apo ‘Qukapiku’ A ose B”, deklaroi Murrizi. Por reagimi do të vinte nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, i cili mohoi kategorikisht se në PD ka “sigurimsa”. “PD-ja ka një detashment që i përket përvojës dhe traditës në PD, ka edhe një grupim të ri, që krijoi edhe një lloj freskie në PD. Ata që njihen, njihen, pjesa e re ka filluar të njihet. Janë djem e vajza me shkollimet më të mira, me grintë, me dëshirë për të punuar në politikë. Sigurisht që edhe ata do të krijojnë njohjen e tyre. Të thuash cilët janë këtu sigurimsat?”, tha Ristani. Por debati brenda PD-së do të vijonte sërish, ku pak orë pas kësaj deklarate, do të ishte ish-deputeti i PD-së, Jemin Gjana, i cili, përmes faqes së tij zyrtare në “Facebook”, do të shprehej se në PD, por edhe në partitë e tjera, ka njerëz të marrë peng që para viteve ’90. “Në partitë politike të vendit dhe në strukturat e qeverisjes qendërzohen kryesisht, dhe nuk shkulen kollaj prej andej, njerëz të kompromentuar e të zënë peng para dhe pas vitit 1990 …. Para ndryshimit të sistemit dihet përse. Më prapa, për një mori arsyesh. Shtrohet pyetja përse liderët nuk dalin dot jashtë kësaj vorbulle. Mendoj se më shumë sesa nga vetëpërfshirja, liderët nuk i shpëtojnë dot përpunimit nga kjo simbiozë që i rrethon. Simbiozë në të cilën kanë dhe autorësinë e tyre. Simbiozë që ka si cilësi thelbësore servilizmin, sjelljen e pështirë dhe njëkohësisht kërcënimin sapo vërehet rreziku. Kjo kategori e zë kryq derën e lidershipit, edhe sepse ia arrijnë të krijojnë përshtypjen se për arsye të lidhjeve komprometuese kanë ndikim të madh në vota”, deklaroi Jemin Gjana.