“Fiks Fare”: Aktiviteti është hapur me licencën e një mjeku tjetër që punon në spitalin e Shkodrës
Një stomatolog pa licencën e stomatologut, ushtron aktivitetin i qetë në mes të ditës. Ai punon në Shkodër ku viziton dhe kuron me dhjetëra pacientë në ditë. “Fiks Fare” tregoi dje me fakte se zoti Mondi Ulqinaku, i cili ka mbaruar studimet e larta për stomatolog në vitin 2014 ushtron profesionin e stomatologut pa qenë i licencuar si mjek as nga Urdhri i Mjekut dhe as nga ai i Stomatologut. Ai nuk e ka dhënë provimin e shtetit. Ndërkohë, punon si i vetëpunësuar në klinikën e tij private, të cilën e ka hapur me licencën e një mjeku tjetër stomatolog, që është i punësuar në spitalin shtetëror të Shkodrës. Sipas Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror në Shkodër, ai jo vetëm që punon në kundërshtim me ligjin, shkelje për të cilën mund të ndiqet penalisht, por ajo që është më e rëndësishme është se rrezikon jetën e pacientëve. Disa ditë më parë, “Fiks Fare” mori një email, ku pretendohej se në klinikën “Nord Dental” në Shkodër, pranë sheshit të madh rus punonte si mjek stomatolog një person i palicencuar për të ushtruar profesionin. Sipas tyre, ai lavdërohet te pacientët se i ka mbaruar studimet në Itali, por faktikisht ai nuk ka dhënë as provimin e shtetit, për të pasur kualifikimin e nevojshëm për të ushtruar profesionin. “Fiksi” shkoi në Shkodër për të verifikuar këtë denoncim. Një bashkëpunëtore e “Fiks Fare” bëri një kontroll te klinika dentare “Dental Nord”. Kontrolli mjekësor u krye nga z. Mond Ulqinaku, i cili pranoi që ishte i diplomuar si mjek në Tiranë dhe se nuk kishte shumë vite që punonte si dentist. Pasi bën vizitën, ai i rekomandon pacientes së tij të bënte një grafi. Mjeku që i bën grafinë tregon që kishte rreth dy vjet që e njihte si stomatolog zotin Ulqinaku. Sipas tij, mund të kishte rreth 5 vjet që punonte në atë profesion. Pasi shikon grafinë, i diplomuari për stomatolog Ulqinaku, i tregon se duhet të heqë dy dhëmbë e të mbushë dy të tjerë. Deri në mars të vitit 2015, mjekët stomatologë licencoheshin pranë Urdhrit të Mjekut për të ushtruar më pas profesionin. Gazetarët e “Fiksit” intervistuan Alban Bekteshin, përfaqësues i Urdhrit të Mjekut në Shkodër. Ai sqaroi se pas verifikimeve në listat e tyre u pa se Mond Ulqinaku nuk ishte i licencuar, të paktën deri në mars 2015. Për periudhën pas marsit, ne e verifikuam edhe pranë Urdhrit të Stomatologut. Presidenti i tij, Nikollë Deda, me anë të mesazhit konfirmoi se edhe në këtë urdhër nuk është i licencuar. “Fiksi” u interesua edhe pranë Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror, ku Mondi Ulqinaku ka dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme për të hapur një klinikë dentare, por i mungonte certifikata e licencës për të ushtruar profesionin e stomatologut. Ai kishte QKR, QKL, planimetrinë e objektit dhe kontratën me firmën e asgjësimit të mbetjeve. Bashkë me inspektorë të Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror, “Fiks Fare” shkoi pranë klinikës ku i kërkoi një intervistë zotit Mondi Ulqinaku. Ai pohoi që ka përfunduar studimet për laborant dentar dhe studimet për Stomatologji, por nuk pranoi të intervistohej, madje u kërkoi gazetarëve të “Fiks Fare” të dilnin jashtë klinikës së tij private. Por, kur gazetarët e Fiksit jashtë kësaj klinike po intervistonin inspektoren e ISHSH, znj. Besara Gjergjej, Mondi Ulqinaku u afrua për të dhënë intervistë. Ndërkohë që inspektorja po shpjegonte se ai u gjet duke punuar në gojën e pacientit, dhe se mjeku që ai pretendonte të kishte licencën nuk ishte i pranishëm, zotëria tha se nuk e kishte parë të nevojshme të licencohej si mjek për të ushtruar profesionin. Sipas inspektores, mjeku që pretendohet se punon në këtë klinikë e ka të pamundur të gjendet në dy vende njëkohësisht, pasi punon edhe në spitalin shtetëror. Para këtij fakti, zoti Ulqinaku bëri të paditurin. Inspektorja tregon për “Fiksin” se zotëria, duke punuar në këto kushte, nuk shkel vetëm ligjin, por ai rrezikon edhe jetën e pacientëve. Pasi vetëm një anestezi e gabuar dhe jeta e pacientit rrezikohet. Sipas saj, masat që do të merren ndaj tij do të shkojnë deri në mbyllje të klinikës. Ndërsa Presidenti i Urdhrit të Stomatologëve pranon se nëse ai është kapur duke punuar në gojën e pacientit, situata është aq e rëndë sa mund të shkojë edhe për ndjekje penale.