Pagesa 1 mln lekë në muaj për t’u “falur” kazinove deklarimin e fitimeve
Tatimorët – Inspektori i tatimeve, Metjon Bijo, ndërhynte te disa inspektorë të tjerë, të cilëve u kërkohej të mos ushtronin kontroll te pikat e kompanisë ku ishte menaxher Kreshnik Kasaj në disa qytete të Shqipërisë
Lojërat e fatit – Menaxheri i kompanisë së basteve me përhapje të gjerë në shumë qytete të Shqipërisë, kishte krijuar lidhje të dyshuara si korruptive edhe me shtetasin Petrit Ahmetaj, që kishte njohje në radhën e inspektorëve të njësisë së lojërave të fatit
Sokol Çobo
Disa inspektorë të tatimeve dhe të njësisë së mbikëqyrjes së lojërave të fatit janë arrestuar me vendim gjykate, pasi kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë marrë ryshfet. Ata kanë lejuar disa kazino që të punonin pa kasë fiskale kundrejt një pagese prej 1 milion lekësh (të vjetra) në muaj. Prokuroria ka filluar hetimet gjashtë muaj më parë, pas një informacioni të mbërritur nga disa qytetarë të ndryshëm dhe menjëherë filloi hetimet me metoda speciale, ku u përfshinë edhe përgjimet dhe vëzhgimet. Gjatë hetimeve u arrit të dokumentohej veprimtaria e të paktën 14 punonjësve të Tatimeve dhe të Njësisë së lojërave të fatit, ku 7 persona u vunë në pranga ndërsa 7 të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjatë operacionit policor “STOP”, është arrestuar edhe një menaxher i një kompanie bastesh. Akuza thotë se ka faktuar se punonjësit shtetërorë të arrestuar favorizonin kompanitë e lojërave të fatit duke mos ushtruar kontrolle në pikat e tyre.
Operacioni nisi që ditën e mërkurë, kur u arrestuan dy persona, specialisti i hetimit tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Metjon Bijo, dhe menaxheri i lojërave të fatit, Kreshnik Kasaj. Pas ndalimit të Bijos dhe Kasajt, tri ditë më parë, dje janë shoqëruar dhe ndaluar me masë sigurie arrest në burg Jani Berukas, Tefik Mallkuçi, Valentin Lokaj punonjës te njësia e Mbikëqyrjes së lojërave të fatit, Petrit Ahmetaj, inspektor i Agjencisë së Mbrojtjes së konsumatorit te Bashkia Tiranë, Mensur Hoxha dhe Trëndafil Tarja te Hetimi Tatimor Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Ndërsa me arrest shtëpie është vendosur për shtetasen me iniciale I.R.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre. “Në bazë të hetimit, i cili ka nisur kryesisht nga ana e Prokurorisë së Tiranës bazuar në informacione nga qytetarë të ndryshëm, fillimisht u arrestuan Kreshnik Kasaj, me funksion menaxher në një kompani bastesh, i dyshuar për ‘korrupsion aktiv’ dhe Metjon Bijo, inspektor i administratës tatimore. Këta dy shtetas u arrestuan në datë 15 prill 2014, pasi menaxheri Kasaj po i jepte shumën prej 100 mijë lekësh të rinj inspektorit të tatimeve. Nga hetimet ka rezultuar se inspektori i tatimeve, Bijo, nëpërmjet influencës së tij, ndërhynte te disa inspektorë të tjerë, të cilëve u kërkohej të mos ushtronin kontroll te pikat e kompanisë ku ishte menaxher Kasaj në disa qytete të Shqipërisë”, thotë akuza. Prokuroria ka arritur të krijojë dyshime të arsyeshme se Kasaj, menaxher i kompanisë së basteve me përhapje të gjerë në shumë qytete të Shqipërisë, kishte krijuar lidhje të dyshuara si korruptive edhe me shtetasin Petrit Ahmetaj, i cili kishte njohje në radhën e inspektorëve të njësisë së lojërave të fatit. Nëpërmjet shtetasit Petrit Ahmetaj, menaxheri Kasaj shmangte kontrollet e disa prej inspektorëve të lojërave të fatit në pikat e kompanisë ku ai ishte menaxher. Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se menaxheri Kasaj, nëpërmjet lidhjeve të dyshuara korruptive me disa inspektorë të administratës tatimore dhe disa inspektorë të njësisë së lojërave të fatit u shmangej detyrimeve ligjore, pasi një pjesë e pikave të kompanisë rezultojnë të palicencuara ose me punonjës të paregjistruar.