Mazhoranca
Vizata e ministrit boshnjak të Ekonomisë përdoret për premtime elektorale
Herion Mesi
Pavarësisht raporteve dhe vërejtjeve të përsëritura të ndërkombëtarëve për mospërfshirjen e administratës publike në fushata elektorale, mazhoranca qeverisëse duket se është mobilizuar me të gjitha forcat për të sfumuar aktivitetet elektorale të opozitës. Edhe pse nuk ka nisur zyrtarisht, tashmë në ethet e fushatës zgjedhore për garën e 23 qershorit janë përfshirë të gjithë, ku së fundmi listës së gjatë të administratës shtetërore i shtohen edhe ambasadorët e Shqipërisë në botë. Bëhet fjalë për ambasadorin shqiptar në Sarajevë, Flamur Gashi, i cili gjatë ditës së djeshme është shfaqur publikisht në qytetin e Krujës përkrah kandidatit të PD-së për deputet në Qarkun e Durrësit, Gent Strazimiri.
Vizita në Krujë
Sipas deputetit demokrat Strazimiri, mësohet se ambasadori Gashi ndodhej në Shqipëri për të shoqëruar ministrin e Ekonomisë së Bosnjës, Erdal Trhujl dhe delegacionin e tij të biznesmenëve boshnjakë që e shoqëronin atë. Ndërkohë, vizita në vendin tonë e kreut të Financave të Bosnjës, dhe grupit që e shoqëron nuk është lajmëruar dhe as pasqyruar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Por prania e deputetit të Tiranës, që tashmë garon në Krujë, përkrah delegacionit të Bosnjës, nënkupton se vizita e ministrit Trhujl është përdorur jo thjesht për qëllime ekonomike të vendit, por edhe për përfitime elektorale. Në faqen e tij zyrtare në rrjetin social ‘Facebook’, duke komentuar vizitën e Ministrit të Ekonomisë në Krujë, Strazimiri premton se në këtë qytet, gjatë këtij viti, do të ketë një numër të lartë vizitorësh të huaj, ku vetëm nga Bosnja do të jenë 50 mijë turistë. “Një ditë e mrekullueshme në Krujën turistike, në shoqërinë e ambasadorit shqiptar në Sarajevë, z. Flamur Gashi, ministrit të Ekonomisë së Bosnjës, z. Erdal Trhulj, dhe delegacionit të biznesmenëve gazetarëve që e shoqërojnë. Nga kontratat e firmosura deri tani mes zyrave turistike të të dyja vendeve, vetëm nga Bosnja këtë vit Kruja do të vizitohet nga 50 000 turistë”, shkruan kandidati për deputet i PD-së në Krujë, Gent Strazimiri.
Fushata
Ndërkohë, përveç përdorimit të diplomatëve, janë me qindra punonjës që, sipas opozitës, po detyrohen të marrin pjesë përkrah militantëve në mitingjet e Partisë Demokratike. Më së shumti, në fushatën e demokratëve po përdoren mësuesit, jo vetëm për shkak të masivitetit të tyre, por edhe sepse lënia e orëve të mësimit është më e thjeshtë. Konkretisht, vetëm pak ditë më parë në Fier, drejtoria arsimore u bëri thirrje drejtorëve të shkollave dhe mësuesve për të marrë pjesë në hapjen e fushatës së Partisë Demokratike. “Përshëndetje, nesër, ditën e mërkurë, data 15 maj, ora 18:30, në sheshin përballë universitetit ‘Kristal’ në Fier organizohet hapja e fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Drejtorët e shkollave të sigurojnë pjesëmarrjen në këtë miting së bashku me stafin e tyre. Brenda ditës së sotme konfirmoni marrjen e këtij email-i dhe pjesëmarrjen”, thuhet në email-in e publikuar nga deputeti i PS-së në Qarkun e Fierit, Ervin Koçi.