Aksidenti i Himarës


Të mbijetuarat i bëjnë thirrje për ndërhyrje Avokatit të Popullit dhe Kryeministrit


“Kompania e sigurimeve na sorollat për të shmangur pagesat e detyrueshme ndaj nesh”


Bardha Nergjoni


shoqet e florijesStudentet e mbijetuara nga aksidenti i Himarës paralajmërojnë protesta, pasi ende nuk kanë marrë paratë e sigurimit të shëndetit, që kompania siguruese u detyrohet, sepse pësuan dëmtime të ndryshme në trup nga rrëzimi i autobusit. Shqetësimi i tyre u ngrit që pas zbulimit të shtatzënisë së Florije Pecit, dy muaj më parë, ndërkohë që tashmë ato kërkojnë mbështetjen e gjithë studentëve për të drejtën e tyre. Madje, studentet që tashmë vazhdojnë masterin, me shenjat në trup thonë se mund të shkojnë deri në grevë urie.


Kaltra Pollozhani thotë se ende nuk kanë marrë asnjë kacidhe për aksidentin. “Kompania ka thënë se edhe pse ishit tek autobusi, nuk do të thotë që ju duhet të dëmshpërbleheni”, thotë Pollozhani. “Kemi shkuar më shumë se dhjetë herë pranë zyrave të kësaj kompanie që nga muaji shtator, kur kemi dorëzuar dosjet, por deri më tani nuk ka asnjë përgjigje. Ato na thonë që ka ardhur fondi, por do të na prisni deri javën tjetër, e kështu na thotë gjithmonë. Vetëm një javë më parë ka qenë hera e fundit që kemi shkuar, dhe na thanë që keni mangësi në dosje dhe duhet që të bëni dhe vizita të tjera mjekoligjore. Ndërkohë, dosjet tona janë të gjitha të kompletuara me të gjithë dokumentacionin që duhet dhe dëmshpërblimi duhet të bëhet në bazë të ekspertizave të asaj dite që ka ndodhur aksidenti”, ka thënë Kaltra Pollozhani, studentja që i mbijetoi aksidentit tragjik.


Një tjetër studente nga grupi i të mbijetuarave, Alma Deda, shprehet se së fundi kompania i ka kërkuar të bëjë një skaner. “Herën e fundit që isha pranë zyrave të kompanisë së sigurimeve, më kërkuan që të bëja dhe një vizitë te mjekoligjori me skaner, ndërkohë që mua ma kanë ndaluar mjekët që të bëjë vizita me skaner, pasi rrezet e tij më shkaktojnë probleme, sepse e kam kaluar numrin e rekomanduar për të bërë vizita me rreze”, shprehet studentja. Deda, gjithashtu deklaron se zyrtarë të kompanisë i kanë thënë se ata nuk e njohin dëmin psikologjik që u është shkaktuar, pas sipas tyre, për ata nuk ka vlerë.


Vajzat e aksidentit deklarojnë se kërkojnë mbështetje nga të gjitha institucionet që e drejta e tyre të vihet në vend. “Ne kërkojmë të drejtën tonë dhe nëse ata nuk do të na japin zgjidhje, do të shkojmë deri në protesta, duke mos përjashtuar edhe mundësinë për të shkuar në grevë urie”, është shprehur Adiola Musaku. Vajzat e aksidentit kërkojnë nga Avokati i Popullit dhe nga Kryeministri i vendit, që ta marrin në konsideratë kërkesën e tyre. “Ne kërkojmë që ju të na ndihmoni për një çështje kaq madhore, që mori 13 jetë njerëzish, si dhe ne na la me pasoja të rënda për shëndetin”, deklarojnë ato ndërsa paralajmërojnë se në ditët në vazhdim do të përshkallëzojnë hapat duke nisur grevën.