Raportet më të fundit tregojnë se kostoja më e ulët del kur paguhet nën dorë


Në Shqipëri, 40% e bizneseve korruptojnë me ryshfete administratën publike të tatim-taksave për të marrë shërbimet prej saj. Ndërsa 37% e biznesit zgjedh më mirë të japë ryshfet sesa të paguajë taksat. Këto janë të dhënat që publikon raporti i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO – International Labour Organization), në bashkëpunim me Shoqatën “Biznes Albania” me seli në Tiranë, në një studim për mënyrën sesi operon biznesi në Shqipëri. Raporti në fjalë mbështetet në të dhënat e vjela nga anketimi i 500 ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në nivel kombëtar. Konkluzioni i tij kryesor është se bizneset “zgjedhin ryshfetin në vend të ligjit” në kushtet e një administrate publike burokrate, jo efikase dhe të korruptueshme. Raporti paraqet një realitet ku 40% nga 500 bizneset e vogla dhe të mesme të intervistuara, pranojnë të kenë paguar ryshfet për të marrë nga administrata publike shërbime. Sipas raportit, subjektet private janë vonuar nga punonjësit e administratës tatimore, enkas që t’i detyrojnë të mbarojnë punë duke u dhënë para nën dorë. Ndërsa 37% e tyre pohojnë një dukuri tjetër: rritjen e barrës fiskale dhe të tarifave të shërbimeve në atë masë, që për bizneset kostoja del më e ulët kur japin ryshfet nën dorë sesa kur paguajnë taksat.


Pse ryshfet në vend të pagesës së taksave?


Raporti i Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe Shoqatës “Bisness Albania” nënvizon edhe një faktor tjetër: dështimi i operimit përmes një sistemi të kompjuterizuar për të paguar taksat, shoqëruar me presionet e administratës tatimore përmes kontrolleve arbitrare, për të krijuar kushte që bizneset t’u japin më mirë para nën dorë sesa të paguajnë gjobat. Sipas këtij raporti, 76% nga 500 bizneset e intervistuara janë të shqetësuar nga presioni që ushtron mbi ta administrata publike e tatimeve. Ndërsa 90% e tyre e konsiderojnë të ulët efikasitetin me të cilin operon kjo administratë. Sipas raportit, dhënia e ryshfetit vjen edhe nga humbja e besimit te sistemi gjyqësor, të cilin 90% e bizneseve të intervistuara e cilësojnë thellësisht të korruptuar.


Gjysma e qytetarëve të Shqipërisë japin ryshfet


Por nuk janë vetëm bizneset që preferojnë ryshfetin në vend të zbatimit të ligjit. Nga një sondazh në nivel rajonal, të kryer nga kompania e mirënjohur GALLUP në partneritet me Lëvizjen Europiane në Shqipëri, rezulton që 49% e shqiptarëve japin ryshfet për të marrë shërbime në sektorët publikë të mjekësisë, gjyqësorit dhe arsimit. Kjo shifër e vë Shqipërinë në krye të vendeve të rajonit për dhënien e ryshfetit. Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, thotë për programin shqip të “Deutsche Welle”-s, se “sipas sondazhit, niveli i dhënies së ryshfetit në Bosnjë–Hercegovinë është 18%, në Maqedoni 13%, në Mali të Zi dhe në Serbi 12%, në Kroaci 10% dhe në Kosovë 9%”. Një bashkëjetesë mes mentalitetit, formimit kulturor nga njëra anë dhe kushteve social–ekonomike nga ana tjetër, e kanë kthyer ryshfetin në Shqipëri në këmbim të shërbimeve nga sektori publik në një dukuri që po fiton legjitimitet, si diçka normale, pothuajse e pashmangshme. Prof. Kosta Barjaba, ekspert në sociologji, thotë për programin shqip të “Deutsche Welle’-s, se në këtë realitet luan rol vendimtar kalimi nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri të hapur, nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi të tregut të lirë.


Shifrat


40 për qind


Janë 40% e bizneseve që korruptojnë me ryshfete administratën publike të tatim-taksave për të marrë shërbimet prej saj; 37% e biznesit zgjedh më mirë të japë ryshfet sesa të paguajë taksat


76 për qind


76% nga 500 bizneset e intervistuara janë të shqetësuar nga presioni që ushtron mbi ta administrata publike e tatimeve, 90% e tyre e konsiderojnë të ulët efikasitetin e administratës


37 për qind


37% e të intervistuarve pohojnë rritjen e barrës fiskale dhe të tarifave të shërbimeve në atë masë, që për bizneset kostoja del më e ulët kur japin ryshfet nën dorë sesa kur paguajnë taksat