Pas Ristanit, edhe nënkryetarja e KQZ-së shpreh dëshirën për t’u angazhuar
Pas Arben Ristanit, edhe ish-zëvendëskryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, ka ambicie për t’i hyrë politikës. Në një intervistë televizive, Subashi nuk e pranon se mund të përfshihej në politikë, nëse do të kishte një ftesë nga PS-ja. Ajo shprehet se do të ishte e lumtur të rimerrte detyrën që kryente deri në 2003-shin, atë të gjyqtares, dhe sipas Kodit Zgjedhor duhet t’i rikthehet pas mbarimit të mandatit si anëtare KQZ-je. Por ajo nuk e përjashton mundësinë për t’u renditur në 2013-n ndër deputetet e forcës që e emëroi në KQZ. “Absolutisht jo, synimi i parë i imi është që pikërisht të ndodhë ajo vazhdimësi e zbatimit të Kodit Zgjedhor dhe unë për këtë do të isha e lumtur. Nëse nuk do të ndodhë, unë jam një njeri i lirë sot të bëj zgjedhjet për atë çfarë kam investuar në karrierën time. Më duhet të testoj, të investoj për të gjitha ato vite që i kam shërbyer politikës, që sigurisht do të mbeten në vlerësimin e atyre që menaxhojnë politikën”, deklaron për “AS TV”, Dëshira Subashi, ish-nënkryetare e KQZ-së. Sipas Kodit Zgjedhor, 7 ish-anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u garantohet punësimi në detyra të ngjashme me ato që kanë pasur më parë. Pak ditë më parë, me vendim të Këshillit të Ministrave, ish-kryetari i këtij komisioni, Arben Ristani, u emërua zv.ministër i Brendshëm. Hyrjen e tij në politikë e paralajmëroi vetë Kryeministri Sali Berisha gjatë një fjalimi në Parlament.